Bashkimi Europian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Thirrja nga Brukseli vjen pak ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë dhe në ditën kur në Prishtinë pritet të zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Në një përgjigje për “Express”, BE ka theksuar se pret që vendimi i gjykatës të respektohet, duke nënvizuar njëkohësisht mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara si një institucion gjyqësor të pavarur. “Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e BE-së. Brukseli rikujton se Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, ndërsa procedurat u zhvendosën në Hagë me synimin për të garantuar procese gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta lidhur me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. BE: Procesi nuk përfn me vendimin e 16 shtatorit
Bashkimi Europian ka bërë të qartë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përbën fundin e procesit gjyqësor. Sipas Brukselit, vendimi mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria e Specializuar. “Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thekson BE-ja. Në përfundim, Brukseli vlerëson se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ndërkohë, në Prishtinë pritet të zhvillohet sot, nga ora 14:00, një marsh paqësor në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve nga e gjithë Kosova, ndërsa kërkesa kryesore është drejtësia për katër ish-krerët e UÇK-së. Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar gjatë gjithë kohës me kritika nga Kosova, ku Gjykata Speciale është akuzuar nga kundërshtarët e saj për njëanshmëri. Aktakuza ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së përmban 10 pika, prej të cilave gjashtë lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kishte kërkuar dënime me nga 45 vjet burgim për të akuzuarit. Dhomat e Specializuara u formuan në vitin 2015 dhe nisën të funksionojnë gjatë viteve 2016–2017, pas ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjeve për zhvendosjen e procedurave në Holandë. Krijimi i tyre erdhi pas presionit të fortë ndërkombëtar, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në dhjetor 2015, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kishte kërkuar krijimin e një gjykate që do të trajtonte akuzat e lidhura me konfliktin në Kosovë. Pak muaj më herët, në korrik 2015, edhe Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, kishte paralajmëruar se nëse Kosova nuk do ta krijonte vetë këtë mekanizëm gjyqësor, atëherë komuniteti ndërkombëtar do ta bënte në vend të saj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: BE kosova

