Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke shënuar ditën e 63-të radhazi të protestës kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrjet në kor "Ju erdhi fundi!", protestuesit po marshojnë në bulevardet e kryeqytetit, duke përsëritur mesazhin e tyre se nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave.
Protestës së kësaj mbrëmjeje iu bashkuan sërish edhe shqiptarë të ardhur nga Diaspora, të cilët morën pjesë krah qytetarëve në tubim dhe në marshim, në një nga mbrëmjet me pjesëmarrjen më të lartë të javëve të fundit.
Prej 63 ditësh pa ndërprerje, protestuesit mblidhen çdo mbrëmje në Tiranë, duke e kthyer këtë në një nga lëvizjet qytetare më të gjata dhe më të qëndrueshme në vend. Organizatorët e kanë cilësuar vazhdimësinë e protestës si dëshmi të vendosmërisë së qytetarëve për të kërkuar ndryshim politik.
Marshimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje dhe slogane kundër qeverisë dhe klasës politike që, sipas protestuesve, ka drejtuar vendin gjatë 36 viteve të fundit. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

