Një defekt në linjën e tensionit 20 kV, që furnizon me energji stacionin e pompave në Fushë Milot, ka shkaktuar probleme të përkohshme me furnizimin me ujë në disa zona të Durrësit. Sipas njoftimit të Ujësjellësit Durrës, defekti, i shkaktuar nga erërat e forta, bëri që stacioni i pompave të qëndronte jashtë funksionit nga ora 22:30 e mbrëmjes së djeshme deri në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm.
Për shkak të ndërprerjes së funksionimit të stacionit, probleme me furnizimin me ujë pritet të ketë në fshatrat Shkallë, Sektor Rinia, Arapaj, Xhafzotaj dhe Rrashbull. Autoritetet e ujësjellësit kanë bërë me dije se situata lidhet me defektin në linjën elektrike dhe rikthimi i furnizimit me ujë do të varet nga normalizimi i plotë i funksionimit të sistemit të pompimit.

