Lajme Zone
Digjen 300 hektarë pyje në Lurë/ Qindra emergjenca prej 4 ditësh në luftë me flakët nga toka dhe ajri, vatra aktive dhe në zonat e tjera
Të tjeraTop Channel

Digjen 300 hektarë pyje në Lurë/ Qindra emergjenca prej 4 ditësh në luftë me flakët nga toka dhe ajri, vatra aktive dhe në zonat e tjera

Zjarri në Lurë ka marrë përmasa dhe po zhvillohet në 3 drejtime të ndryshme nga kahu Gurë Lurës, Fushë-Lurës dhe Borie Lurës, vatër e cila është ofruar shumë pranë banesave të këtij fshati.

Zjarri në Lurë ka marrë përmasa dhe po zhvillohet në 3 drejtime të ndryshme nga kahu Gurë Lurës, Fushë-Lurës dhe Borie Lurës, vatër e cila është ofruar shumë pranë banesave të këtij fshati. Në kahun që rrezikohen banesat, janë përqendruar të gjithë forcat operacionale të angazhuara duke e vënë disi nën kontroll ndërsa në dy drejtimet e tjera flakët po shkrumbojnë pyje dhe kullota.

Flakët në Lurë vijojnë prej katër ditësh dhe kanë djegur deri më tani mbi 300 hektarë pyje me bredhë dhe kullota. Lufta po vijon nga toka me rreth 220 forca nga autoritetet vendore, ushtria zjarrfikëset dhe vullnetarët si edhe nga ajri me 2 avionë Air Tractor. Pavarësisht këtij angazhimi zjarri vijon me intensitet.

Vatër tepër aktive është dhe ajo në Dajt sipër Qafëmollës në një sipërfaqe me pisha. Për shkak të terrenit të thepisur lufta kryesore po bëhet nga ajri ku 2 helikopterë të forcës ajrore po hedhin ujë prej orëve të para të mëngjesit por flakët ende vijojnë përhapjen.

Ndërsa zjarri në zonën e Priskës së Madhe falë luftës nga ajri në ditën e 3 të tij mundi të shuhej. Megjithatë ekipet janë në terren pasi për shkak të temperaturave të larta dhe erës ekziston rreziku i riaktivizimit të vatrave.

Forcat operacionale, të ndihmuara dhe nga forcat ushtarake në Abazë të Krujës vijojnë ende monitorimin e zjarrit, i cili herë pas here merr sipërfaqe i favorizuar nga era. Edhe në Krujë ndërhyrja nga ajri ka qenë decisive për ta rikthyer situatën në normalitet.

Po ashtu po vijoi puna për fikjen e zjarrit mbi malin e Nëmerçkë, mbi fshatin Biovizhdë, ku ka 2 vatra zjarri, njëra prej tyre ndodhet midis pyllit dhe kullotës në terren shumë të vështirë dhe është e paarritshme me forca këmbësore. Po ashtu vijon të jetë aktiv dhe zjarri në shpatin e malit Dhëmbel.

Edhe në Dibër në vendin e quajtur “Qafa e Helmes” zjarri vijon të jetë aktiv në një zonë të pyllëzuar me ah. Vatra aktive ka në Mirditë, Fushë arrëz Shkodër malësi të madhe dhe Elbasan. Top Channel