Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka ftuar në takim të përbashkët liderët e partive politike në Kosovë. Sipas ftesës së dërguar, takimi pritet të mbahet të martën e 18 gushtit në orën 09:00 dhe ka për synim “të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve”, raporton Leonita Bajrami, korrespondente e Top Channel.
Thirrja e Haxhiut për takim të përbashkët pason deklaratën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tërheqje nga kërkesat për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe propozimin për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Të premten, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti mirëpriti këtë qëndrim të LDK-së, duke treguar që ka ftuar për takim tre liderët e partive opozitare.
Sipas Kurtit, ka ardhur koha të diskutohet për emra të përveçëm për president. Nga zgjedhjet e 7 qershorit, ende nuk janë funksionalizuar institucionet në Kosovë.
Konstituimi i Kuvendit nuk është kryer, meqë Lëvizja Vetëvendosje edhe pse ka numrat, kërkonte kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Top Channel

