Për të shënuar Ditën Botërore të Diabetit, ekspertët shpjegojnë se si konsumimi i më shumë fibrave mund të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak dhe t'ju ndihmojë të humbni peshë. Duke u rritur, Marc Ramirez, 58 vjeç, mendonte se diabeti i tipit 2 ishte një fat i pashmangshëm për të. Gjashtë anëtarë të familjes së tij vuanin nga kjo sëmundje dhe kishin përjetuar komplikacione të rënda, duke filluar nga transplantet e veshkave dhe pankreasit, deri te amputimet dhe dializa. Prandaj, kur u diagnostikua në vitin 2002, gjithçka iu duk e pashmangshme. Më vonë, mjeku i tij i tha se do të duhej të përdorte insulinë gjatë gjithë jetës.Lexo edhe:6 aromat e pazakonta të trupit që mund të paralajmërojnë për probleme serioze shëndetësore “U përpoqa të përmirësoja shëndetin tim duke mbajtur dietë, duke u ushtruar më shumë, duke numëruar kaloritë dhe duke pakësuar karbohidratet. Fatkeqësisht, këto strategji nuk ishin të qëndrueshme dhe nuk e ndaluan përparimin e diabetit”, thotë ai. “Ndihesha i zhgënjyer dhe i pafuqishëm. Për vite me radhë kisha parë vuajtjet që shkaktonte diabeti në familjen time dhe e shihja veten të destinuar të ndiqja të njëjtën rrugë.” Marc Ramirez ka një histori familjare të diabetit të tipit 2 dhe mendonte se zhvillimi i kësaj sëmundjeje ishte “i pashmangshëm”. Por në vitin 2011, Marc zbuloi një qasje rrënjësisht të ndryshme, pasi rastisi të lexonte librin Programi i Dr. Neal Barnard për kthimin e diabetit në remision (Dr Neal Barnard’s Program for Reversing Diabetes). Në të prezantohej një dietë me pak yndyrë dhe me bazë bimore, pa pasur nevojë të numëroheshin kaloritë, të kontrolloheshin porcionet apo të eliminoheshin karbohidratet. Marc hoqi dorë nga të gjitha produktet me origjinë shtazore dhe kaloi te ushqime të tilla si tërshëra e zier me kanellë dhe rrush të thatë, makaronat primavera dhe sasi të bollshme frutash e perimesh. Rezultatet ishin mbresëlënëse. Brenda dy muajve, ai arriti të ndërpriste marrjen e medikamenteve për diabetin. Gjashtë muaj më vonë, diabeti i tij u konsiderua zyrtarisht në remision. Ai gjithashtu kishte humbur pothuajse 25 kilogramë, duke rënë nga rreth 114 kilogramë në 93 kilogramë. Përvoja e Marc-it i bashkohet një numri gjithnjë e më të madh studimesh që sugjerojnë se një dietë me pak yndyrë dhe me bazë bimore mund t'i ndihmojë njerëzit të menaxhojnë diabetin e tipit 2. Marc Ramirez ndoqi programin e Dr. Neal Barnard dhe tani e ka diabetin e tipit 2 në remision. Tashmë, kjo qasje prezantohet në dokumentarin e ri Reversing Diabetes (Kthimi i diabetit në remision), ku shfaqet edhe Dr. Neal Barnard. Dokumentari u publikua në Amazon Prime dhe Apple TV të martën, më 10 nëntor. Por, si mund të ndihmojë në menaxhimin e një sëmundjeje të lidhur me nivelin e sheqerit në gjak një dietë që përfshin tërshërë, makarona dhe fruta? Dhe cilët persona mund të përfitojnë prej saj? Pse ushqimet me shumë yndyrë rrisin rrezikun e diabetit Tradicionalisht, personave me diabet të tipit 2 u këshillohet të kontrollojnë konsumin e karbohidrateve dhe sheqerit për të menaxhuar sëmundjen. Në fund të fundit, karbohidratet shpërbëhen në glukozë më shpejt dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa yndyrnat dhe proteinat, duke shkaktuar një rritje më të menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak. Megjithatë, ndonëse ekspertët përgjithësisht bien dakord se rritjet e vazhdueshme të sheqerit në gjak kontribuojnë në rezistencën ndaj insulinës, shkenca moderne po dëshmon se marrëdhënia midis ushqyerjes dhe diabetit është shumë më komplekse. Mjeku amerikan dhe studiuesi klinik Dr. Barnard, së bashku me kolegët e tij në Komitetin e Mjekëve për Mjekësinë Përgjegjëse (Physicians Committee for Responsible Medicine), kanë kaluar dekada duke studiuar një qasje të ndryshme: ushqyerjen me bazë bimore dhe me pak yndyrë. Studimet e tyre sugjerojnë se kjo mënyrë ushqyerjeje mund të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak, të ulë kolesterolin dhe t'i ndihmojë disa njerëz ta çojnë diabetin e tipit 2 në remision. Dr. Neal Barnard zhvilloi një program për të ndihmuar në kthimin e diabetit të tipit 2 në remision përmes një diete me pak yndyrë dhe me bazë bimore. “Konsumimi i ushqimeve me shumë yndyrë – për shembull, mishi, produktet e qumështit dhe ushqimet e skuqura mund të shkaktojë grumbullimin e yndyrës brenda qelizave të muskujve dhe të mëlçisë, duke i penguar ato të funksionojnë normalisht”, shpjegon Dr. Barnard. “Për shembull, kur ka shumë yndyrë brenda qelizave të muskujve, ato reagojnë më pak ndaj insulinës dhe bëhen rezistente ndaj saj. Kjo do të thotë se thithin më pak glukozë, duke çuar në nivele më të larta të glukozës në gjak.” Studimet e Dr. Barnard sugjerojnë se humbja e peshës dhe pakësimi i yndyrës së tepërt në këto qeliza mund të ndihmojnë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës, ndërsa konsumimi i më shumë fibrave mund të ndihmojë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Një studim i vitit 2020, ku morën pjesë 244 të rritur mbipeshë, zbuloi se personat që ndoqën një dietë vegane me pak yndyrë për 16 javë patën një ulje prej 34,4 për qind të yndyrës në qelizat e mëlçisë dhe një ulje prej 10,4 për qind të yndyrës në qelizat muskulore. Sfidimi i qasjes tradicionale Dr. Barnard dhe kolegët e tij filluan duke testuar këtë qasje te personat me diabet të tipit 2. Në një studim klinik të vitit 2006, të financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, Dr. Barnard dhe kolegët e tij ndanë rastësisht 99 pjesëmarrës në dy grupe: njëri ndoqi një dietë vegane me pak yndyrë, ndërsa tjetri një dietë të bazuar në rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Diabetit të asaj kohe. Dieta e grupit të krahasimit përfshinte mish pa shumë yndyrë dhe produkte qumështi me pak yndyrë, si dhe kufizim të kalorive për pjesëmarrësit mbipeshë. Grupi vegan u përqendrua te drithërat integrale, fasulet, perimet dhe frutat, duke shmangur produktet me origjinë shtazore dhe yndyrnat e shtuara, pa kufizime në kalori apo në madhësinë e porcioneve. Pas 22 javësh, të dy grupet kishin përmirësuar kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Te pjesëmarrësit që nuk kishin ndryshuar mjekimin për diabetin, HbA1c një tregues i nivelit mesatar të glukozës në gjak gjatë një periudhe më të gjatë ra me 1,23 pikë përqindjeje në grupin vegan, krahasuar me 0,38 pikë përqindjeje në grupin e krahasimit. Personat që ndoqën dietën vegane humbën gjithashtu mesatarisht rreth 6,3 kilogramë, krahasuar me rreth 3,2 kilogramë në grupin tjetër. Më së fundmi, një studim, bashkautor i të cilit ishte Dr. Barnard dhe që u botua në revistën BMJ Open Diabetes Research & Care, zbuloi se personat me diabet të tipit 2, të cilët ndoqën një dietë vegane me pak yndyrë për 16 javë, reduktuan yndyrën në mëlçi me rreth një të tretën dhe përmirësuan ndjeshmërinë ndaj insulinës. Studimi nuk kishte një grup krahasimi, prandaj nuk mund të përcaktojë se si funksionoi kjo dietë në raport me qasjet e tjera. “Megjithëse pothuajse të gjithë përmirësohen, jo çdo person që ndjek këtë dietë do të arrijë ta zhdukë diabetin”, thotë Dr. Barnard. “Por kjo është një mënyrë e thjeshtë për të menduar rreth asaj që konsumoni dhe ka një ndikim të fuqishëm në atë që ndodh brenda trupit.” Programi i Dr. Barnard përfshin ndjekjen e një diete vegane me pak yndyrë dhe të pasur me fibra. Për Marc-in, ndryshimet ishin të konsiderueshme. Brenda një muaji, niveli i HbA1c ra nga 91 mmol/mol në 65 mmol/mol (pragu i diagnostikimit të diabetit në Mbretërinë e Bashkuar është 48 mmol/mol). Në një analizë gjaku të vitit 2025, niveli i glukozës së tij ishte 97 mg/dL. Kjo është një matje paksa e ndryshme që përdoret për të monitoruar nivelin e sheqerit në gjak dhe që pasqyron rezultatin në atë moment, në vend të një vlere mesatare. Ky rezultat konsiderohet zyrtarisht brenda “intervalit të shëndetshëm”. “Duke eliminuar ushqimet me vlera të ulëta ushqyese dhe duke i zëvendësuar me ushqime të pasura me lëndë ushqyese, trupi im ka reaguar pozitivisht dhe unë ndihem i fortë dhe i shëndetshëm”, thotë ai. Si funksionon kjo dietë Në vend që të kufizojë kaloritë ose madhësinë e porcioneve, programi i Dr. Barnard përqendrohet te zgjedhja e ushqimeve. Rregulli i tij kryesor është eliminimi i të gjitha produkteve me origjinë shtazore, përfshirë mishin dhe produktet e qumështit, shmangia e vajrave të shtuara dhe kufizimi i ushqimeve bimore me përmbajtje të lartë yndyre, si avokadoja. “Dieta përbëhet nga katër grupe kryesore ushqimore: perimet, frutat, drithërat integrale dhe bishtajoret, si fasulet, bizelet dhe thjerrëzat. Përveç tyre, rekomandohet edhe një suplement i vitaminës B12, i rëndësishëm për shëndetin e nervave dhe formimin e qelizave të gjakut”, thotë ai. Programi nuk i kufizon ushqimet e pasura me karbohidrate, por thekson zgjedhjen e atyre me indeks glicemik më të ulët, të cilat e rrisin më ngadalë nivelin e sheqerit në gjak, si tërshëra, makaronat integrale dhe fasulet. “Këto ushqime ofrojnë fibra dhe, krahasuar me shumë karbohidrate të rafinuara, treten më ngadalë”, thotë Dr. Barnard. “Drithërat integrale, bishtajoret, frutat dhe perimet mund të jenë të gjitha pjesë e një diete të shëndetshme për personat me diabet.” Studimet kanë lidhur konsumin e mishit të kuq dhe mishit të përpunuar me një rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Një analizë e vitit 2024, ku u përfshinë pothuajse dy milionë të rritur, zbuloi se çdo 50 gramë shtesë mish i përpunuar i konsumuar në ditë – afërsisht sa dy feta proshutë lidhej me një rritje prej 15 për qind të rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Disa mekanizma mund ta shpjegojnë këtë lidhje. Yndyrnat e ngopura mund të ulin ndjeshmërinë e trupit ndaj insulinës, ndërsa hekuri hemik (forma e hekurit ushqimor që përthithet më lehtë nga organizmi), i pranishëm në mishin e kuq, mund të nxisë dëmtimin oksidativ, i cili ndikon në prodhimin e insulinës. Nitratet që përdoren për konservimin e disa produkteve të mishit të përpunuar mund të kontribuojnë gjithashtu në rezistencën ndaj insulinës. “Përfitimet kryesore të kësaj diete ka të ngjarë të vijnë nga konsumimi i më shumë fibrave, reduktimi i yndyrnave të ngopura dhe, ndoshta, humbja e peshës”, thotë Rob Hobson, nutricionist i pavarur dhe autor i librit The Low Appetite Cookbook. “Ka shumë aspekte pozitive në këtë qasje, veçanërisht theksi që vihet te konsumimi i më shumë fasuleve, thjerrëzave, perimeve, frutave dhe drithërave integrale.” Disavantazhet Hobson është më pak i bindur për kufizimet e rrepta të kësaj diete sa i përket yndyrnave. “Reduktimi i yndyrnave të ngopura është i arsyeshëm, veçanërisht duke pasur parasysh rrezikun e shtuar kardiovaskular që lidhet me diabetin. Megjithatë, ushqime si vaji i ullirit, arrat dhe peshku i yndyrshëm përmbajnë yndyrna të pangopura të dobishme, të cilat mbështesin shëndetin e zemrës.” Kufizimet e programit mund ta bëjnë gjithashtu më të vështirë plotësimin e disa nevojave ushqyese. “Eliminimi i ushqimeve me origjinë shtazore dhe kufizimi i ndjeshëm i yndyrnave kërkojnë më shumë vëmendje ndaj marrjes së proteinave, vitaminës B12, kalciumit, jodit, hekurit dhe yndyrnave omega-3”, shpjegon Hobson. Të rriturit në moshë të madhe, të cilët po humbasin peshë ose kanë vështirësi të konsumojnë sasi të mjaftueshme proteinash, duhet ta shqyrtojnë me kujdes nëse kjo dietë është e përshtatshme për ta. E njëjta vlen edhe për personat që vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Vitamina B12 kërkon vëmendje të veçantë: personat që ndjekin një dietë vegane kanë nevojë për një burim të besueshëm të kësaj vitamine, zakonisht përmes ushqimeve të pasuruara ose suplementeve, pasi ushqimet bimore që nuk janë të pasuruara nuk ofrojnë sasi të sigurta dhe të besueshme të saj. Ekzistojnë gjithashtu disa aspekte praktike që duhen marrë parasysh nga personat që kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak përmes medikamenteve. “Flisni me specialistin tuaj të diabetit përpara se të bëni ndryshime të mëdha në dietë, pasi mund të jetë e nevojshme të përshtatet mjekimi”, këshillon Hobson. Përfundimi Të dhënat shkencore sugjerojnë se një dietë me pak yndyrë dhe me bazë bimore mund të jetë një alternativë efektive për përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak dhe mund t'i ndihmojë disa njerëz ta çojnë diabetin në remision. Megjithatë, kjo nuk garanton arritjen e remisionit dhe as eliminimi i të gjitha produkteve me origjinë shtazore dhe yndyrnave të shtuara nuk është i domosdoshëm për përmirësimin e shëndetit metabolik. Shumë nga parimet kryesore të kësaj diete mund të përvetësohen pa qenë nevoja të ndiqen të gjitha rregullat e saj. “Nuk është e nevojshme të bëheni veganë për të përfituar nga konsumimi i ushqimeve bimore”, thotë Hobson. Ai këshillon pakësimin e mishrave të përpunuar, si proshuta dhe salsiçet, ndërsa rekomandon përqendrimin te mishi i pulës, peshku dhe sasi të moderuara të mishit të kuq pa shumë yndyrë. “Nuk do të ishit duke ndjekur në mënyrë strikte këtë dietë të veçantë, por përsëri mund të përfitonit prej saj”, thotë ai. “Dieta mesdhetare është një shembull i mirë, pasi kombinon shumë ushqime me bazë bimore me vajin e ullirit, peshkun dhe pak mish. Për këtë dietë ekzistojnë prova të forta shkencore që mbështesin përfitimet e saj për shëndetin metabolik dhe atë kardiovaskular.” Sipas Hobson, mësimet më të vlefshme janë edhe më të thjeshtat. “Do të përzgjidhja pjesët më të mira të kësaj diete, në vend që të ndiqja çdo rregull të saj”, përfn ai. “Konsumoni më shumë ushqime bimore, zgjidhni karbohidrate me cilësi më të mirë, reduktoni yndyrnat e ngopura dhe përgatitni vakte të ekuilibruara. Mund të arrini shumë përfitime pa pasur nevojë të hiqni dorë nga grupe të tëra ushqimore.”/TheTelegraph

