ELBASAN - Të shtunën AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan 1-1 për raundin e dytë të Superligës. Sfida, edhe pse pa tifozë, prodhoi dhunë nga tribuna VIP, pikërisht nga ata që duhet të jenë shembull i fair-playt dhe sjelljes korrekte në një ndeshjes. Fill pas fërshëllimës finale të arbitrit Dorjan Maletaj, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi zbriti në dhomat e zhveshjes dhe sipas informacioneve të zyrtarizuara nga FSHF-ja, goditi me grusht arbitrin anësor Ergys Spahiu. Gjesti i kreut të klubit shkodran nuk është aspak i hijshëm për vetë pozicionin që ai mban, si edhe për vazhdimin e garës, duke kujtuar që jemi vetëm në raundin e dytë të sezonit të ri 2026-27. LEXO edhe...Akuzat e Vllaznisë për organizimin, AF Elbasani: Merreni me ne për të anashkaluar përgjegjësitë e dhunës Por pse ndodhi e gjitha kjo? Le t'i marrim gjërat hap pas hapi. Vllaznia shënoi e para pas 18 minutave lojë me Edon Muratajn, ndërsa shkodrani Rubin Hebaj barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 75-të. Ishte pikërisht fundit i ndeshjes që solli tensione të shtuara, aty ku Vllaznia ia faturon gjithçka vendimeve që sipas saj nuk janë të drejta. Në minutat shtesë Vllaznia shënoi fillimisht me Tafilin dhe më pas me Mustën, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje me ndihmën e VAR-it. Në rastin e parë, ishte Perez që bllokoi pamjen e portierit, ndërsa në rastin e dytë Musta ishte në pozicion jashtë loje. Kjo duket se ka agravuar situatën. Mbyllja e ndeshjes bëri që edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, të protestonte duke bërë shenjën e VAR-it. Ndërkohë që Alban Xhaferi s'i ka mbajtur nervat duke u futur në dhomat e zhveshjes dhe duke goditur me grusht një nga asistentët e arbitrit, Ergys Spahiun. Arbitri i ndeshjes, Dorjan MaletajFederata Shqiptare e Futbollit dënon rastin dhe paralajmëron masa FSHF si organizatore e garës ka dalë me një reagim urgjent duke dënuar rastin me forcën më të madhe, ndërsa shprehet se nuk do të ketë tolerim për askënd. "Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë incidentin e rëndë të ndodhur pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, ku Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit të ndeshjes. Një akt i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe nuk ka asnjë vend në futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit. Organet kompetente disiplinore të FSHF-së do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në pavarësi të plotë në marrjen e vendimeve përkatëse. FSHF do të mbrojë me vendosmëri arbitrat dhe çdo zyrtar të ndeshjes nga dhuna, kërcënimet dhe presioni. Mund të ketë debate, kritika dhe kundërshtime për vendimet e arbitrimit, por ekziston një vijë që askush nuk mund ta kalojë: dhuna fizike. Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla, pavarësisht emrit, klubit apo pozicionit të personit që i kryen", bën me dije FSHF. Në kanalet e komunikimit ka reaguar edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai ka thënë se ishin golat e anuluar dhe vendimet e VAR-it që agravuan situatën. Xhaferi shton se problemet në futbollin shqiptar janë bërë standard, ndaj ky quhet një problem në sistem. Shkodrani duket se vijon me 'vetëgjyqësi', duke thënë se po i kursen arbitrat duke mos iu bërë publike numrat e telefonit. "Dy gola të anuluar në shtesë. Dorjan Maleta dhe Kreshnik Bajramaj VAR-i, vetëm një pyetje; Sa gola duhet të shënojë Vllaznia që të quhet një? Numrat e telefonit po jua kursejmë. Pamjet flasin vetë. Problemi nuk është vetëm një ndeshje. Kur gabimet bëhen standard, problemi quhet sistem", shkruan Xhaferi. Vetë klubi i Vllaznisë ka dalë publikisht me një deklaratë në orët e para të këtij mëngjesi. Vllaznia thekson se nuk mund të ketë paanshmëri në gjykimin e këtij incidenti, kur vetë FSHF ka dalë nominalisht dhe ka përmenduar emrin e presidentit Alban Xhaferi dhe duke ia faturuar atij dhunën. "Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë më i madh institucional. Si mund të garantohet realisht pavarësia e organit disiplinor kur institucioni të cilit ky organ i përket ka dalë publikisht, përpara vendimmarrjes së tij, duke përcaktuar autorin, veprimin dhe përgjegjësinë?", shkruan klubi shkodran. Ndërkohë Vllaznia dënon dhunën, por në asnjë moment nuk thotë se Alban Xhaferi nuk është i përfshirë, duke kërkuar që të vlerësohet çdo provë, filmike apo shkresore përpara çdo vendimi, ndërsa kërkon që zyrtarët e saj të kenë të drejtë të mbrohen. "KF Vllaznia dënon pa asnjë ekuivok çdo formë dhune në futboll, ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër. Dhuna është dhe do të mbetet e papranueshme. KF Vllaznia kërkon gjithashtu që çdo material filmik, raport zyrtar dhe provë tjetër lidhur me ngjarjen të administrohet dhe vlerësohet nga organet kompetente, duke garantuar të drejtën e klubit dhe të Presidentit të tij për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çfarëdo përgjegjësie", thuhet në reagim. Më pas shkodranët i bëjnë edhe një thirrje kreut të FSHF-së, Armand Duka, për të frenuar klimën e lincimit publik që sipas tyre është e papranueshme dhe e iniciuar nga zyrtarët e Federatës. "KF Vllaznia i drejtohet publikisht Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, duke i kërkuar të ndërhyjë institucionalisht për të frenuar këtë klimë të papranueshme të gjykimit publik të iniciuar nga zyrtarë të Federatës, të garantojë që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe të sigurojë që çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse", thuhet në reagim. Vllaznia fajësoi edhe klubin e AF Elbasanit, duke thënë se këta të fundit nuk kishin marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e ndeshjes si dhe kishin lejuar në tribunën VIP tifozë që "gjatë gjithë ndeshjes fyen dhe provokuan vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e KF Vllaznisë". Arbitër kryesor në këtë takim ishte Dorjan Maletaj, më ndihmës Rejdi Avdon, Ergys Spahiun dhe arbitër të katërt Egli Spahiun. Në sistemin VAR ishte Kreshnik Bajramaj. Share Ora 11:53 Dhunimi i arbitrit në Elbasan, Shoqata e Gjyqtarëve: Ngjarje të tilla ndikojnë në cilësinë e gjykimit Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë (BASHF) ka reaguar në lidhje me dhunimin në dhomat e zhveshjes së arbitrit anësor Ergys Spahiu nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. BASHF shpreh solidaritetin me trupën e arbitrave dhe dënon ngjarjen, duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje. Reagimi vijon duke thënë se këto ngjarje ndikojnë në cilësinë e arbitrimit.Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve:Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit dënon me forcë aktet e dhunës ndaj arbitrave të ndeshjes Elbasani–Vllaznia. Asnjë vendim i arbitrit, i drejtë apo i gabuar, nuk mund të justifikojë dhunën, kërcënimet apo presionin ndaj zyrtarëve të ndeshjes.Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për trupën e arbitrimit, veçanërisht për asistentin dhe zyrtarët e ndeshjes të përfshirë në këtë incident.Dhuna nuk është pjesë e futbollit. Presioni nuk është pjesë e arbitrimit. Respekti për arbitrin është respekt për lojën. Ngjarje të tilla ndikojnë në cilësinë e gjykimit, pasi vendosin nën presion trupën e arbitrimit.Shoqata po punon vazhdimisht për përmirësimin e performancës së arbitrave dhe ngjarje të tilla janë të papranueshme.Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e çdo arbitri shqiptar, në çdo kategori dhe në çdo stadium. Share Ora 11:38 Akuzat e Vllaznisë për organizimin, AF Elbasani: Merreni me ne për të anashkaluar përgjegjësitë e dhunës AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan të shtunën 1-1 në 'Elbasan Arena'. Në fundin e takimit Vllaznisë iu anuluan dy gola me ndërhyrjen e sistemit VAR, gjë që nervozoi presidentin e shkodranëve. Alban Xhaferi shkoi deri aty sa goditi fizikisht në dhomat e zhveshjes arbitrin anësor Ergys Spahiu.Pas ndeshjes klubi shkodran akuzoi edhe AF Elbasanin për mungesën e organizimit të ndeshjes dhe lejimin e tifozëve në tribunën VIP, të cilët sipas Vllaznisë "gjatë gjithë ndeshjes fyen dhe provokuan vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e KF Vllaznisë".Në lidhje me këto akuza AF Elbasani ka kërkuar prova duke thënë se Vllaznia po i përdor këto akuza për të zhvendosur vëmendjen nga dhuna e presidentit Xhaferi. Sfida u luajt pa tifozë.Reagimi i AF Elbasanit:Në lidhje me pretendimet e publikuara pas ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, klubi ynë hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar.Theksojmë qartë se nga ana e AF Elbasanit, stafit apo personave nën përgjegjësinë apo jo të klubit nuk është ushtruar asnjë formë dhune. Përkundrazi, incidenti i dhunshëm i regjistruar pas përfundimit të ndeshjes është evidentuar dhe dënuar publikisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, në reagimin e saj zyrtar.AF Elbasani, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Ftojmë çdo palë që ka ngritur akuza ndaj klubit tonë të paraqesë fakte, prova apo materiale filmike konkrete që vërtetojnë pretendimet e bëra. Nëse paraqitet një provë e tillë për shkelje, klubi do të marrë menjëherë masat përkatëse.AF Elbasani nuk do të heshtë përballë akuzave të pabazuara dhe nuk do të lejojë që emri i klubit të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë për ngjarje që nuk janë shkaktuar prej tij. Share Ora 10:30 VIDEO/ Përplasja vijoi edhe pas ndeshjes, tifozët e AF Elbasanit tentojnë të dhunojnë mbrojtësin Emiljano Musta Dhuna në ndeshjen AF Elbasani 1-1 Vllaznia nuk u mjaftua vetëm në dhomat e zhveshjes, por tensioni u zhvendos edhe jashtë stadiumit 'Elbasan Arena'. Edhe pse ndeshja në stadium ishte pa tifozë për shkak të një penalizimi për kubin e AF Elbasanit, tifozët vendas e ndoqën sfidën nga pallatet pranë të grumbulluar edhe jashtë impiantit.Pas përballjes tifozët e AF Elbasanit tentuan të dhunonin ish-mbrojtësin e tyre, por që tanimë është pjesë e Vllaznisë, elbasanasin Emiljano Musta. Në një video të publikuar nga 'Shkodra Live' duket tentativa e tifozëve vendas për të dhunuar lojtarin gjatë futjes në autobusin e ekipit si dhe ndërhyrja e policisë e cila qetësoi situatën. Share S.Dh/ReportTv.al Ergys Spahiu Armand Duka fshf alban xhaferri Vllaznia af elbasani superliga Elbasan Komento Komente Cubi: 30/08/2026 12:05 Edhe dylbera dhe kriminela, vetëm ne Elbasan ndodh Përgjigju Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.5% Drejtësia 67.6% Nuk e di 2.9% Vota total: 105 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

