Protestat masive kundër rritjes së kostos së jetesës në Gjermani, të cilat gjatë ditës u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, u përshkallëzuan në akte dhune mbrëmjen e së shtunës. Në qendër të Frankfurtit, protestuesit plaçkitën dyqane dhe u përleshën me policinë, ndërsa incidente të ngjashme u raportuan edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg. BBC shkruan se Policia përdori edhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmat, pasi disa protestues hodhën fishekzjarrë, gurë dhe shishe në drejtim të forcave të rendit dhe shërbimeve të emergjencës. LEXO edhe...Ben Andoni: Pushtetit i afrohen ata që nuk e meritojnë! Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, iu bashkuan protestave të organizuara nga grupimi rinor “Gen Z regelt”, që përkthehet “Gjenerata Z merr situatën në dorë”. Protestuesit kundërshtuan financimin e pamjaftueshëm të shkollave, rritjen e kostos së jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Protestat në Gjermani vijnë pas demonstratave të ngjashme të zhvilluara në Francë, ku vetëm të shtunën dolën në rrugë më shumë se 320 mijë persona. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, policia mbylli një pjesë të madhe të rrugës kryesore tregtare në Frankfurt, pas incidenteve të dhunshme. Një zëdhënës i policisë konfirmoi se në qytet u kryen një numër i madh arrestimesh. Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan pjesëmarrjen e deri në 18 mijë protestuesve, rreth gjysmën e numrit të parashikuar nga organizatorët. Megjithatë, mediat gjermane raportojnë se në disa qytete të vendit protestuan dhjetëra mijëra persona. Zëdhënësja e grupimit organizator, Lina Friedrich, deklaroi se qëllimi i protestave ishte mbrojtja e paqes dhe lirisë, dhe jo lufta apo detyrimi. “Për ne, më e rëndësishmja është mbështetja më e mirë për sistemin shëndetësor dhe atë arsimor. Ne jemi kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kërkojmë një shpërndarje më të drejtë të barrës ekonomike”, u shpreh ajo. Megjithëse tubimet gjatë ditës u zhvilluan kryesisht paqësisht, situata ndryshoi me rënien e mbrëmjes. Policia e Frankfurtit njoftoi përmes një postimi në platformën X se në qendër të qytetit po zhvilloheshin trazira të dhunshme. Sipas autoriteteve, disa dyqaneve u ishin thyer vitrinat, ndërsa ndaj shërbimeve të emergjencës ishin hedhur edhe kokteje molotov. Në përditësimet e mëvonshme, policia bëri të ditur se ishte thyer edhe vitrina e një dyqani armësh. Pas arrestimit të një të dyshuari, autoritetet sekuestruan dy armë. Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, deklaroi se rreth 100 persona, të identifikuar si ekstremistë të majtë, kishin depërtuar në protestën e zhvilluar në Frankfurt. Ai i cilësoi zhvillimet e mbrëmjes si të turpshme, duke paralajmëruar kundër përsëritjes në Gjermani të skenave të dhunës të regjistruara së fundmi në Francë. “Pamjet nga Franca janë ende në mendjen tonë: plaçkitje, ndërtesa dhe automjete policie të djegura, si dhe sulme ndaj efektivëve të policisë. Franca nuk duhet të shërbejë si model në këtë drejtim”, deklaroi Poseck. R.Xh/ReportTv.al gjermani proteste Dhune policia Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 49.6% Jo 41.7% Nuk e di 8.6% Vota total: 544 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?
