Në një kohë kur ka dhunë reale, të lënduar dhe dëme materiale, gjëja e fundit që na duhet është fabrikimi i një realiteti edhe më të frikshëm.
Në një postim, i shkruaj autores se fotografia është e sajuar. Ajo i bën like komentit tim, por fotografinë e mban. Ndërkohë, komentuesit vazhdojnë të reagojnë sikur godina e Ministrisë së Arsimit të jetë djegur. Një komentuese mallkon faktin që u dogj godina, të cilën nuk e dogjën as pushtuesit, një tjetër thotë se është djegur e ardhmja e të rinjve dhe se godina nuk ka rëndësi. Një i tretë duartroket me emoji. Postuesja vijon përgjigjen duke thënë se like ishte për të më thënë që e kishte lexuar komentin por tani po e verifikonte. Në fakt gjërat verifikohen pastaj postohen, por kjo është histori tjetër...
Kam komentuar të paktën në katër postime të ndryshme për këtë fotografi, por vetëm një zonjë që banonte në Athinë e hoqi pasi mësoi se ishte e sajuar. Të tjerët vazhdojnë ta mbajnë, edhe pasi janë njoftuar se ajo që po shpërndajnë nuk ka ndodhur. Zonja nga Athina që shpërndau një gënjeshtër pa e ditur, është viktimë e dizinformimit. Të tjerët vazhdojnë ta shpërndajnë edhe pasi mësojnë se ngjarja nuk ka ndodhur. Këto janë në mision.
Gjatë këtyre ditëve, pyetja “a e dënon dhunën?” është ndoshta pyetja më idiote që mund të bëhet. Dhuna duhet dënuar, pavarësisht se kush e ushtron. Kush godet policët, kush dhunon protestuesit, kush shkatërron pronën publike apo private, duhet të përgjigjet përpara ligjit.(Pa folur këtu për dhunën e dukshme dhe të padukshme që ushtrohet përmes keqqeverisjes, mungesës së përgjegjësisë dhe drejtësisë së vonuar.)
Por dizinformimi nuk është mjet për të luftuar dhunën, është karburant për më shumë zjarr.Një fotografi e sajuar mund të krijojë panik, të nxisë urrejtje, të kriminalizojë një protestë të tërë dhe të përdoret për të justifikuar masa represive. Ajo dëmton edhe besueshmërinë e dëshmive autentike, sepse nesër, përballë një fotografie të vërtetë që dokumenton dhunën, dikush mund të thotë: “edhe kjo është e sajuar me inteligjencë artificiale.”
Kur gënjeshtra përdoret për të denoncuar dhunën, viktima e parë është e vërteta, viktima e radhës, besimi publikut.
Dhuna luftohet me ligj, me prova dhe me përgjegjësi, jo me fotografi të sajuara, sepse nuk mund të mbrosh rendin publik duke shkatërruar besimin publik. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

