Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndarë një deklaratë lidhur me situatën e fundit në vend.
KMSH shpreh shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.
Sipas KMSH-së, çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve. "Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.
Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.
Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.
Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.
Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.
Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët",-thuhet ndër të tjera në deklaratë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

