Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj i ftuar në “Minuta e Parë” në News24 u pyet lidhur me seancën plenare të së hënës në Kuvend, teksa ai po mbante fjalën e tij, por ajo çfarë ra në sy ishte mungesa e ministrave. Ai u shpreh kritik gjatë fjalës së tij në Kuvend pasi siç tha ai në studion e “News24”, në seancë duhet të trajtoheshin problemet e qytetarëve, por që në fakt kjo mungoi. “Prisja që në seancë të diskutoja një pjesë të problemeve. Por nuk ishin të gjithë ministrat. Ishte një situatë shumë normale e momentit. Dhe impakti që doja të kishte ishte një diskutim me ministrat përkatës, por kur aty nuk është asnjëri të vjen natyrshëm një reagim”, tha ai. Gjatë intervistës ai gjithashtu u shpreh se narrativa e opozitës kundër reformës territoriale , ka qenë thjesht “zhurmë”. “Narrativa e opozitës për të anatemuar atë që u bë në 2014 nuk ka ngjitur. Pas reformës së kaluar territoriale investimet janë rritur, si edhe janë reduktuar borxhet. Ka ndryshuar komplet dinamika që nga shërbimi i qytetarëve, shërbimi i pastrimit, i infrastrukturës, i ndriçimit”, tha ai. Gjatë intervistës, u ndal edhe te reforma territoriale e cila është kundërshtuar nga disa banorët që nuk pranojnë shkrirjen e bashkisë së tyre.
Por i pyetur për Reformën Territoriale, Pacaj tha se janë bërë dëgjesa publike dhe se sipas tij nuk ka të bëjë aspak me qëllime politike të PS siç edhe ka akuzuar opozita.
“Reformat nuk janë për qëllime politike të PS, por ka ardhur në bazë të një pune dhe të një raportimi. Në të gjitha qarqet përjashtim Korçës janë bërë dëgjesa publike”, tha ai, duke shtuar: “Kur flasim për dëgjesa nuk kemi shkuar për t’ua shpjeguar qytetarëve, por për t’i dëgjuar qytetarët se çfarë propozojnë ata që të ketë ndryshime. Pra ka qenë dëgjesë se çfarë ata na thonë ne. Janë integruar në raport. Ka qenë thjesht opinion jo detyrim ligjor”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Ermal Pacaj
