Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale gjatë zhvillimit të seancës së sotme të Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohet reforma administrativo-territoriale. Mziu ka publikuar një video nga mbledhja, ku shihet teksa hap disa dosje të vendosura pranë tryezës ku po prezantohej projektligji dhe tregon se ato janë bosh. “Propagandë komuniste me dosje bosh përpara Kuvendit!”, shkruan deputeti demokrat, duke e shoqëruar pamjen me komentin se “kur mungojnë argumentet, mbeten dosjet bosh dhe propaganda plot”. Mziu e ka cilësuar situatën si “një shfaqje të vjetër me kostum të ri”, duke shtuar: “shumë zhurmë, zero përmbajtje”. Nga pamjet e publikuara prej deputetit nuk bëhet e qartë se përse dosjet ishin vendosur në tryezë dhe nëse ato kishin lidhje me materialet e prezantimit të projektligjit. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse dosjet ishin pjesë e dokumentacionit të mbledhjes apo ishin vendosur aty për një qëllim tjetër.
