Partia Demokratike zhvillon sot protestën e radhës në Tiranë, me mbështetësit e saj që kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku është parashikuar të mbahet tubimi. Ata u grumbulluan në selinë blu dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, aty u pozicionuan dhe tashmë po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.
Në krye të grupit po qëndrojnë deputetët demokratë, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Tedi Blushi. Kreu i PD-së, Sali Berisha, mungon në protestë.
Protesta po vijon e qetë, pa tensione, teksa policia është pozicionuar te Kryeministria.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e paralajmëroi pak ditë më parë, teksa u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së së shtunës, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh janë përfshirë në protesta.
Berisha e cilësoi revoltën studentore si një përballje me qeverinë Rama, ndërsa ftoi qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohen në atë që e konsideroi një protestë kundër qeverisë. Top Channel

