Lajme Zone
Dëme financiare milionëshe/ KLSH zbulon shkeljet në Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Korçë
Të tjeraCNA

Dëme financiare milionëshe/ KLSH zbulon shkeljet në Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Korçë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport auditi...

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport auditimi për Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Korçë për periudhën janar 2024-shtator 2025. Auditimi ka nxjerrë në pah një sërë problemesh që tregojnë dobësi në mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe vetë institucioni. Sipas KLSH-së në pjesën e organizimit dhe kontrollit të brendshëm, drejtoria ka dështuar të ngrejë grupet e punës për menaxhimin e riskut dhe strategjitë e brendshme. KLSH nënvizon se nuk mbahen siç duhet as regjistrat zyrtarë të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, ndërsa në hidrovorë puna mbulohet me nga një punonjës për turn, pa grafikë të miratuar dhe pa certifikata të sigurimit teknik. Raporti zbulon shkelje financiare dhe keqmenaxhim të dukshëm. Janë konstatuar shpenzime të pajustifikuara për udhëtime, dieta dhe karburant në vlerën e rreth 1.19 milionë lekëve. Po ashtu në tenderë dhe prokurime publike janë gjetur parregullsi që kanë sjellë efekte negative financiare prej afro 2.09 milionë lekësh, si dhe janë paguar punime që në realitet nuk janë kryer, në vlerë rreth 783 mijë lekë. KLSH nënvizon se problematika janë shënuar edhe në menaxhimin e pasurive. Institucioni nuk ka certifikatë pronësie për një nga pronat e tij, ka lënë mënjanë 10 mjete transporti të prishura pa kaluar në procesin e nxjerrjes jashtë përdorimit dhe mban në magazinë mallra të amortizuar apo të panevojshme.

KLSH i ka kërkuar drejtorisë të marrë masa urgjente për të korrigjuar këto shkelje, për të rregulluar procedurat e prokurimit dhe për të vendosur një kontroll më të rreptë financiar. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.