Mbledhja e kësaj të marte e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate, teksa këshilltarët diskutuan propozimin e Partisë Socialiste për ndarjen e re administrativo-territoriale. Pika 11 e rendit të ditës parashikon që këshilltarët të shprehen për ndryshimet që prekin kufijtë e kryeqytetit ndërsa debati u përqendrua te propozimi për përfshirjen e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes në territorin e Tiranës, por edhe te mënyra se si qëndrimi i Këshillit Bashkiak do të pasqyrohet në procesin që do t’i përcillet Kuvendit. Këshilltarja demokrate Ilda Zhulali kundërshtoi faktin që reforma ishte vendosur si pika 11 e rendit të ditës, duke kërkuar që një ndryshim i tillë të trajtohej në një seancë të posaçme. “Tani unë nuk e di a e kuptoni juve, se çfarë rëndësie ka kjo pika 11 e rendit të ditës. Se nuk është pika 11. Këtu diskutohet se çfarë do ndodhë minimalisht 10 vitet e ardhshme, me këtë vend dhe qeverisjen vendore”, deklaroi Zhulali. Ajo akuzoi mazhorancën se po minimizon rëndësinë e Reformës Territoriale. “Ju e minimizoni dhe shëmtoni një nga aktet më të rëndësishme që është Reforma Territoriale, që ka rëndësi kombëtare dhe jo lokale”, tha Zhulali. Nga ana tjetër, sekretari i Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli, tha se relacioni ka ardhur nga Kuvendi dhe se Këshilli duhet të japë mendimin e tij për ndryshimin territorial që prek Tiranën. “Ky relacion i ka ardhur Këshillit Bashkiak nga Kuvendi i Shqipërisë dhe ne e kemi përcjellë këtë thjesht për mendim”, deklaroi Zeneli. Sipas tij, Këshilli duhet të shprehet nëse pranon apo jo përfshirjen e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes në strukturën e re administrative të Tiranës. “Zoti Zeneli, kjo nuk është një lojë me harta”, iu përgjigj Zhulali, duke kundërshtuar trajtimin e çështjes vetëm si ndryshim administrativ të tre territoreve. Në debat ndërhyri edhe këshilltari demokrat Dorjan Teliti, i cili tha se qëndrimi i Këshillit nuk është thjesht një mendim informal. Sipas tij, projektvendimi parashikon që qëndrimi i shumicës dhe mendimi i pakicës të përfshihen në raportin përfundimtar. “Duke qenë se ne pakica e kemi një mendim ndryshe nga ju shumica, duam të dimë se çfarë procedure do të ndjekim sot, në mënyrë që edhe mendimi i juaj, edhe mendimi i jonë, të reflektohen në këtë vendim”, deklaroi Teliti.
