Lajme Zone
De-oligarkizimi i ekonomisë shqiptare, si mund të bëhet?
PolitikëPamfleti

De-oligarkizimi i ekonomisë shqiptare, si mund të bëhet?

1. Çfarë është oligarkizimi i ekonomisë shqiptare dhe me cilat vende të ish-BS-së shfaq ngjashmëri?

Oligarkizimi bëhet problem kur kjo pasuri kthehet në aftësi për të ndikuar rregullat e tregut përmes ligjeve të porositura, vendimeve qeveritare dhe shpërndarjes së burimeve të shtetit. 1. Çfarë është oligarkizimi i ekonomisë shqiptare dhe me cilat vende të ish-BS-së shfaq ngjashmëri?

Oligarkizimi i ekonomisë shqiptare nënkupton përqendrimin e pasurisë, tregjeve, kontratave publike dhe ndikimit politik në duart e një numri të kufizuar grupesh biznesi, të lidhura formalisht ose joformalisht me pushtetin. Problemi nuk është thjesht ekzistenca e sipërmarrësve të pasur, por përdorimi i pasurisë për të ndikuar në vendim-marrjen publike, tenderët, koncesionet, PPP-të, licencat, mediat dhe financimin politik. Në këtë model, dobësohet konkurrenca reale; në mjaft raste, pronësia përfituese fshihet pas kompanive ndërmjetëse, ndërsa suksesi në treg varet më shumë nga afërsia me pushtetin sesa nga efikasiteti, inovacioni dhe rregullat e barabarta.

Ngjashmëritë më të dukshme të ekonomisë shqiptare janë me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, ku grupet e fuqishme ekonomike kanë ushtruar ndikim mbi tregun, median, politikën dhe prokurimet publike. Me Ukrainën, ngjashmëria lidhet me faktin se kontratat e mëdha dhe sektorët strategjikë janë kthyer në burim të kapjes ekonomiko-politike; me Moldavinë, me cenueshmërinë e tregut të vogël, institucionet e brishta dhe përqendrimin e pasurisë; ndërsa me Gjeorgjinë, me ndërthurjen e ndikimit ekonomik me pushtetin politik. Shqipëria nuk është identike me këto vende, por përballet me të njëjtën sfidë thelbësore: është krijuar një elitë biznesi e varur nga pushteti politik, e cila ka zëvendësuar konkurrencën e lirë me privilegje, monopole dhe kontrata të kontrolluara.

2. Tiparet dalluese të oligarkizimit të ekonomisë shqiptare

Tiparet dalluese të oligarkizimit të ekonomisë shqiptare shfaqen kur fuqia ekonomike, kontratat publike dhe ndikimi politik bashkohen në pak duar, duke zëvendësuar konkurrencën e lirë me privilegje dhe marrëdhënie klienteliste. Nuk mjafton të flitet për pasuri të përqendruar; në fakt, oligarkizimi bëhet problem kur kjo pasuri kthehet në aftësi për të ndikuar rregullat e tregut përmes ligjeve të porositura, vendimeve qeveritare dhe shpërndarjes së burimeve të shtetit. Në mënyrë më analitike, këto tipare janë:

· Ndërthurja biznes–politikë. Grupet e mëdha ekonomike, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, kanë fituar ndikim të madh jo vetëm në treg, por edhe mbi politikat publike, lejet, licencat, vendim-marrjen administrative dhe prioritetet e investimeve shtetërore, deri edhe në caktimin apo largimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të Parlamentit.

· Varësia nga kontratat publike. Tenderët, koncesionet dhe PPP-të janë shndërruar në burim kryesor të akumulimit të pasurisë për individë dhe kompani të caktuara, kryesisht për shkak të konkurrimit të kufizuar, specifikimeve teknike që favorizojnë një operator të mbështetur politikisht ose mungesës së kontrollit mbi zbatimin e kontratës përkatëse. Për fat të keq, këto tipare janë shfaqur në shumicën e kontratave koncesionare dhe PPP-ve të qeverisë gjatë dekadës së fundit.

· Përqendrimi i tregut dhe pengimi i konkurrencës. Disa sektorë jetikë të ekonomisë dominohen nga pak operatorë, përmes pozitës dominuese, marrëveshjeve të fshehta, ndarjes së tregjeve, barrierave administrative ose privilegjeve fiskale që pengojnë hyrjen e konkurrentëve të rinj.

· Përdorimi klientelist i burimeve publike. Subvencionet, garancitë shtetërore, kreditë preferenciale, licencat dhe kontratat publike rrezikojnë të përdoren jo mbi bazën e meritës dhe interesit publik, por për të favorizuar kompani të lidhura politikisht. Kjo është më e dukshme te lejet e ndërtimit dhe avantazhet e dhëna për investitorët strategjikë, mes të cilëve, sipas pretendimeve të ngritura publikisht, nuk mungojnë as eksponentë të krimit të organizuar vendas dhe ndërkombëtar.

·Pronësia përfituese e paqartë. Kontrolli real i një biznesi mund të fshihet pas kompanive ndërmjetëse, aksionerëve nominalë, marrëveshjeve private dhe juridiksioneve offshore. Në këto rrethana, regjistrimi formal i pronësisë nuk tregon domosdoshmërisht se kush merr përfitimin ekonomik përfundimtar. Në shtypin investigativ janë denoncuar raste kur kompani dhe persona të sanksionuar ose me të shkuar kriminale në vendet e origjinës janë shndërruar në përfitues të fondeve dhe pasurive publike, ose u janë shmangur ndëshkimeve për krimet financiare të kryera prej tyre.

· Kontrolli mbi sektorë strategjikë ose monopole natyrore. Në infrastrukturë, energji, ujësjellës, transport, telekomunikacion ose shërbime publike, një operator privat mund të ketë monopol të justifikueshëm teknikisht. Por, në mungesë të një rregullimi të fortë, mund të vendosen tarifa të padrejta, të ofrohet cilësi e dobët e shërbimeve apo e infrastrukturës së ndërtuar dhe, në mjaft raste, të kufizohet qasja e konkurrentëve. Shembuj të tillë janë prishjet e rrugëve të ndërtuara gjatë dekadës së fundit në korridorin juglindor të vendit, rritja e pajustifikuar e kostos së tunelit të Llogarasë, pengimi përmes peng-marrjes kriminale të konkurrentëve në rastet e denoncuara te AKSHI, etj.

· Kapja ose dobësimi i rregullatorëve. Në shumicën e rasteve, autoritetet që licencojnë, kontrollojnë tarifat, monitorojnë koncesionet ose zbatojnë ligjin e konkurrencës formohen nga individë pa përvojën dhe integritetin e duhur. Ato nuk janë realisht të pavarura dhe profesionale, çka e bën të dukshme kapjen rregullatore nga interesat private dhe/ose politike. Përndryshe, nuk shpjegohet pse investimet prej qindra milionë eurosh në ujësjellës-kanalizime nuk kanë sjellë ndryshimet e pritshme pozitive në furnizimin me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura. Nëpër kryeqytet kalon ende një përrua me ujëra të zeza, edhe pse mbështetja buxhetore ka qenë e konsiderueshme dhe përfshin qindra milionë euro për këtë bashki dhe për sektorin në tërësi.

· Ndikimi mbi median dhe debatin publik. Një tipar i rëndësishëm i modelit oligarkik në Shqipëri është shtrirja e fuqisë ekonomike në media, reklama dhe komunikimin publik. Kjo shpjegohet edhe me joshjen që pushteti politik ka ofruar ndaj mediave kryesore në vend, por edhe me largimin e këtyre të fundit nga misioni i tyre ligjor, ndërkohë që përdorin frekuenca publike. Mjafton të shihet mbulimi mediatik i protestës qytetare të tre muajve të fundit për të kuptuar simbiozën shqetësuese mes mediave qendrore audiovizive dhe pushtetit politik.

· Financimi informal i politikës dhe konflikti i interesit. Tashmë është bërë e qartë se biznesi kërkon kthim të favorizuar përmes mbështetjes së hapur dhe të fshehtë ndaj forcës politike që qeveris vendin. Ai shfrytëzon transparencën e pamjaftueshme të partive, fushatave dhe figurave qendrore politike. Kjo ka krijuar një cikël ku vendimmarrja publike i shërben financuesit privat, jo qytetarit. Pikërisht te vendim-marrja klienteliste e qeverisë, pa dobi publike, duhet kërkuar edhe një nga shkaqet kryesore të pakënaqësisë publike që ka gjeneruar protestën qytetare, e cila vazhdon prej tre muajsh në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit.

· Kontrolli formal, por jo mbikëqyrja reale. Problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e ligjeve; shpesh lidhet me mungesën e verifikimit, transparencës, auditimit dhe vullnetit për të hetuar përtej dokumentit të parë. Kontrolli duhet të vazhdojë edhe pas nënshkrimit të kontratës, sepse pronësia dhe kontrolli mund të ndryshojnë gjatë zbatimit të saj. Madje, duhet vënë në dukje se shpërthimi i skandaleve të njëpasnjëshme e ka shtyrë qeverinë dhe kryeministrin Rama të ofrojnë zgjidhje “novatore” e të dyshimta, të cilat jo vetëm nuk i shërbejnë interesit publik, por krijojnë terren për përqendrim të fondeve buxhetore dhe të vendimmarrjes mbi to, si rrjedhojë edhe për përqendrim të korrupsionit në vend. Të tilla janë, për shembull, dështimet spektakolare të AKSHI-t dhe vendimi i qeverisë për të krijuar një superndërmarrje ose institucion të tenderëve shtetërorë, të autorizuar për të krijuar ndërmarrje apo filiale bija që devijojnë fondet buxhetore drejt operatorëve ekonomikë të krijuar posaçërisht, njësoj është vepruar në industrinë e mbrojtjes. Po ashtu, shqetësime të ngjashme ngre edhe krijimi i një superinstitucioni tenderash në fushën e shëndetësisë, me të njëjtat parakushte të dyshuara korruptive dhe klienteliste.

3. De-oligarkizimi rajonal: si ndërvepron ky proces me reformat dhe zhvillimet demokratike?

Alternativa më e besueshme për de-oligarkizimin në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është hartimi i një “liste oligarkësh”, siç mund të mendojnë shumë njerëz, të cilët do të goditen në mënyrë selektive. Ajo është një reformë sistemike që kufizon mekanizmat përmes të cilëve pasuria e përqendruar kthehet në ndikim politik, privilegje ekonomike dhe kapje të institucioneve. Kjo qasje është më e përputhshme me standardet demokratike dhe me orientimin e Komisionit të Venecias për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Për Ballkanin Perëndimor, alternativa e dytë është më e përshtatshme. Ajo synon që askush, pavarësisht pasurisë, lidhjeve politike apo kontrollit të medias, të mos ketë mundësi të blejë më lehtë ndikim mbi shtetin sesa një sipërmarrës normal të konkurrojë në treg. Në përgjithësi, mendoj se është e nevojshme një paketë e plotë reformash që përfshin rregullimin e tregjeve, transparencën e prokurimit publik dhe të pronarëve përfitues, kontrollin e efikasitetit të parasë publike dhe mbrojtjen e interesit publik.

Paketa e reformave

1. Konkurrencë dhe politikë reale antimonopol

· Fuqizimi i autoriteteve të konkurrencës me pavarësi institucionale, staf teknik, buxhet, kompetenca hetimore dhe mundësi për të vendosur masa efektive

· Hetimi i karteleve, marrëveshjeve për ndarjen e tregut, abuzimit me pozitën dominuese dhe përqendrimeve ekonomike që krijojnë kontroll të tepruar

· Heqja e licencave diskriminuese, barrierave administrative dhe privilegjeve fiskale që mbyllin tregun për konkurrentët e rinj

· Ndarja e funksioneve konkurruese nga kontrolli i infrastrukturës thelbësore, kur një operator ka monopol natyror ose kontrollon një rrjet kyç

2. Prokurim publik i hapur

· Digjitalizimi i plotë dhe publikimi i dokumenteve të tenderit, ofertave, kontratave, anekseve, ndryshimeve kontraktore, pagesave dhe rezultateve të zbatimit

· Kufizim rigoroz i tenderëve me një ofertues dhe i procedurave të negociuara pa konkurrim; çdo përjashtim duhet të arsyetohet dhe auditohet publikisht

· Verifikim i konfliktit të interesit, i historikut kontraktor dhe i pronësisë përfituese të ofertuesve

· Analizë e pavarur e vlerës për paranë për PPP-të dhe koncesionet para nënshkrimit të kontratës

· Monitorim gjatë gjithë jetës së kontratës, përfshirë ndryshimet e pronësisë, financuesve, çmimit, afatit dhe detyrimeve të partnerit privat

3. Transparencë e pronarëve realë

· Regjistri i Pronarëve Përfitues duhet të kalojë nga vetëdeklarimi formal në verifikim aktiv të të dhënave

· Lidhja e regjistrit me tatimet, bankat, prokurimin publik, regjistrin tregtar, kadastrën, Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe organet e zbatimit të ligjit

· Përjashtim nga tenderët, pezullim pagesash ose hetim financiar kur pronari përfitues nuk identifikohet, deklarimet janë të rreme ose kontrolli real mbetet i fshehur

· Rideklarim i detyrueshëm i pronësisë gjatë zbatimit të koncesioneve dhe PPP-ve, jo vetëm në momentin e aplikimit

4. Kontrolli i parasë publike

· Rregulla të qarta për ndihmën shtetërore, garancitë sovrane, kreditë preferenciale, përdorimin e tokës publike, lejet dhe përjashtimet fiskale

· Publikim i të gjithë përfituesve të mbështetjes shtetërore, shumës së përfituar, bazës ligjore dhe rezultateve ekonomike

· Ndalim i përdorimit të subvencioneve dhe kontratave publike për të mbështetur kompani të lidhura politikisht

· Auditim i pavarur dhe kontroll parlamentar mbi rreziqet fiskale që krijohen nga PPP-të, koncesionet dhe garancitë shtetërore

Demokracia dhe institucionet

De-oligarkizimi nuk mund të bëhet vetëm përmes ligjit të konkurrencës. Ai kërkon ndërprerjen e lidhjes së fshehtë mes parasë, politikës dhe informacionit publik:

· Financim transparent, i kufizuar dhe i auditueshëm i partive dhe fushatave zgjedhore

· Regjistër funksional i lobimit, në mënyrë që ndikimi mbi vendimmarrjen të bëhet i deklaruar, i gjurmueshëm dhe i kontrollueshëm

· Transparencë mbi pronësinë dhe financimin e mediave, si edhe masa që mbrojnë pluralizmin editorial

· Rregulla të forta kundër konfliktit të interesit mes funksioneve publike, biznesit dhe medias

· Prokurori, gjykata, rregullatorë sektorialë, autoritete konkurruese dhe organe auditi realisht të pavarura nga qeveria

· Mbrojtje për gazetarët investigativë, sinjalizuesit e brendshëm dhe organizatat e shoqërisë civile që kontrollojnë përdorimin e fondeve publike

4. Çfarë duhet shmangur për suksesin e de-oligarkizimit?

Nacionalizimi ose transferimi i një aseti privat në duart e shtetit nuk përbën automatikisht de-oligarkizim. Nëse ndërmarrjet publike mbeten pa transparencë, me emërime politike dhe pa mbikëqyrje profesionale, monopoli privat mund të zëvendësohet me monopol shtetëror ose patronazh politik.

Edhe në sektorët ku ekziston monopol natyror, si uji, energjia, transporti ose infrastruktura e rrjetit, zgjidhja është rregullimi i pavarur: tarifa të kontrolluara, standarde të matshme shërbimi, detyrime investimi, raportim publik dhe sanksione për moszbatim.

Në përmbledhje, Ballkani Perëndimor ka nevojë për një strategji rajonale dhe kombëtare kundër kapjes së shtetit: tregje të hapura, pronësi reale të verifikueshme, prokurim transparent, para publike të gjurmueshme, media pluraliste dhe institucione të pavarura. Vetëm kështu de-oligarkizimi bëhet reformë e shtetit dhe e tregut, jo mjet politik kundër emrave të përzgjedhur.

5. Prioritetet për Shqipërinë nëse synohet de-oligarkizimi i ekonomisë

Në Shqipëri, de-oligarkizimi duhet të fillojë jo me shpalljen e një liste biznesmenësh apo me masa selektive, por me prishjen e mekanizmave që lidhin pushtetin politik me përfitimet ekonomike: tenderët, koncesionet, PPP-të, licencat, ndihmën shtetërore, mediat dhe pronësinë e fshehur. Objektivi duhet të jetë që një kompani të fitojë në treg mbi bazën e konkurrencës, cilësisë dhe çmimit, jo mbi bazën e aksesit te qeveria apo afërsisë me pushtetin politik.

a) Regjistër real i pronarëve përfitues

Regjistri i Pronarëve Përfitues nuk duhet të mbetet një arkiv vetëdeklarimesh. Ai duhet të verifikojë në mënyrë aktive se kush kontrollon realisht një kompani, kush ka të drejta vendimmarrëse dhe kush përfiton ekonomikisht nga kontratat publike. Kjo kërkon ndërlidhjen e tij me:

· Tatimet dhe doganat

· Regjistrin tregtar

· Sistemin e prokurimit publik

· Bankat dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare

· Kadastrën dhe regjistrat e pasurive të paluajtshme

· Sistemet e licencimit, lejeve dhe koncesioneve

Në rast mospërputhjeje, institucioni përgjegjës duhet të mund të pezullojë ekstraktin e pronësisë, të ndalojë tenderin deri në verifikim, të bllokojë pagesat publike kur ka bazë ligjore dhe të referojë çështjen për hetim financiar ose penal. Për koncesionet dhe PPP-të, identifikimi i pronarit real duhet të jetë kusht para nënshkrimit të kontratës dhe të përditësohet gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.

b) Tenderë dhe kontrata të hapura

Çdo tender, PPP ose koncesion me vlerë të konsiderueshme duhet të shoqërohet me publikimin e dokumenteve thelbësore: studimin e fizibilitetit, analizën e kostos, analizën e vlerës për paranë, ofertat, kontratën, anekset, ndryshimet e mëvonshme, pagesat, raportet e zbatimit dhe pronarin përfitues të kontraktorit.

Duhet të kufizohen fort procedurat pa konkurrim dhe tenderët me një ofertues. Kur një procedurë përfn me një ofertë të vetme, autoriteti kontraktues duhet të japë arsyetim të posaçëm, të kryejë rishqyrtim të çmimit dhe të lejojë auditim publik të dokumentacionit. Transparenca nuk duhet të mbarojë me shpalljen e fituesit: ndryshimi i pronësisë, financuesve, afateve, kostove dhe detyrimeve duhet të publikohet në kohë reale.

c) Konkurrencë e zbatueshme

Autoriteti i Konkurrencës duhet të ketë pavarësi reale, burime dhe kompetenca të mjaftueshme për të hetuar kartelet në tenderë, ndarjen e tregjeve, abuzimin me pozitën dominuese dhe përqendrimet ekonomike që dëmtojnë konkurrencën. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj kompanive private, ndërmarrjeve publike dhe operatorëve të privilegjuar.

Në sektorët me monopol natyror, si energjia, furnizimi me ujë, rrjetet dhe infrastruktura, zgjidhja nuk është domosdoshmërisht privatizimi ose shtetëzimi. Nevojitet një rregullator i pavarur që kontrollon tarifat, cilësinë e shërbimit, investimet, qasjen jodiskriminuese në rrjet dhe zbatimin e kontratave. Monopoli mund të tolerohet vetëm kur është teknikisht i pashmangshëm dhe kur funksionon nën mbikëqyrje rigoroze në interesin publik.

d) Mbrojtja e shtetit

De-oligarkizimi në Shqipëri duhet të përfshijë kontrollin e përdorimit të parasë publike. Kjo nënkupton rregulla të verifikueshme për subvencionet, garancitë shtetërore, lejet, licencat, përdorimin e tokës publike dhe lehtësitë fiskale, duke publikuar përfituesin, shumën, bazën ligjore dhe rezultatin e pritshëm ekonomik. Këto instrumente nuk duhet të përdoren për të mbështetur kompani të lidhura politikisht ose për të krijuar avantazhe të padrejta në treg.

Po aq i rëndësishëm është forcimi i institucioneve: prokurori e pavarur, gjyqësor funksional, auditim publik profesional, rregullatorë sektorialë të mbrojtur nga presioni politik dhe administratë publike që merr vendime të arsyetuara e të dokumentuara. Kur administrata, rregullatorët ose autoritetet kontraktuese nuk verifikojnë pronësinë përfituese dhe detyrimet e kontratës, ligjet mund të mbeten vetëm formale.

e) Hapësira demokratike

Nuk mund të ketë de-oligarkizim pa transparencë të financimit të partive politike, kufizim të konfliktit të interesit dhe pluralizëm mediatik. Financimi i partive dhe i fushatave duhet të jetë i deklaruar, i auditueshëm dhe i mbikëqyrur; lobimi duhet të jetë i regjistruar; ndërsa pronësia dhe financimi i medias duhet të jenë të qarta për publikun. Kjo ul mundësinë që kapitali ekonomik të kthehet në kontroll të fshehtë të politikës dhe informacionit publik.

De-oligarkizimi nuk është luftë kundër biznesit dhe as ndëshkim selektiv i individëve. Ai është rikthimi i konkurrencës, transparencës dhe llogaridhënies në marrëdhënien mes shtetit, tregut dhe qytetarit. Shqipëria ka nevojë për pronësi reale të verifikueshme, tenderë dhe kontrata të hapura, rregullatorë të pavarur, para publike të gjurmueshme, media pluraliste dhe politikë të mbrojtur nga financimi i errët. Vetëm kështu mund të kufizohet kapja e shtetit dhe të rikthehet besimi i publikut te institucionet.zef preci oligarkizimi i ekonomisë shqiptare waedwpng 99d046e8 b5f6 4849 8f92 ccaf3210984c dfdefdpng sdadwsdpng Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Sytë nga Kryeministria, telefoni nuk ra; kronika e atyre që pritën postin dhe mbetën me gisht në gojë 5 Shtator 2026, 11:3211:32Forum Një histori gazmore me telefona, roje dhe drejtësi të posaçme… 4 Shtator 2026, 20:1720:17Forum Vjeshtë e nxehtë për Edi Ramën 4 Shtator 2026, 15:1315:13Forum “Il Manifesto”: Edi Rama dhe Shqipëria si galeri personale arti! 4 Shtator 2026, 11:3511:35Forum Evangjelisti Alfred Lela dhe sulmi i tërbuar ndaj Islamit 3 Shtator 2026, 22:5022:50Forum Shoqëria që nuk shqetësohet për zhvillimin e saj, mbetet skllave e kryeministrit të vet! 3 Shtator 2026, 20:5920:59Forum