Nuk ishte thjesht një darkë zyrtare në nder të presidentit kinez Xi Jinping. Darka e organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mblodhi në të njëjtën tryezë disa prej emrave më të fuqishëm të teknologjisë dhe financave amerikane, në një kohë kur gara SHBA-Kinë për inteligjencën artificiale, çipat e avancuar dhe dominimin teknologjik po merr një rëndësi strategjike.
Në mesin e të ftuarve ishin drejtuesit e gjigantëve të teknologjisë si Jensen Huang i Nvidia-s, Lisa Su e AMD-së, Tim Cook i Apple, Sam Altman i OpenAI, Mark Zuckerberg i Meta-s, Sundar Pichai i Google, Jeff Bezos i Amazon dhe Elon Musk. Në darkë morën pjesë gjithashtu drejtues të kompanive të mëdha financiare dhe industriale, mes tyre Jamie Dimon i JPMorgan Chase, Larry Fink i BlackRock, David Solomon i Goldman Sachs dhe Jane Fraser e Citigroup. Prania e tyre i dha darkës një dimension përtej ceremonisë diplomatike. Në të njëjtën sallë u ulën drejtuesit e kompanive që janë në qendër të revolucionit të inteligjencës artificiale dhe presidentët e dy ekonomive më të mëdha të botës, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini vazhdojnë të konkurrojnë për teknologjitë që pritet të përcaktojnë ekonominë e dekadave të ardhshme.
Takimi Trump-Xi solli edhe një zgjatje të armëpushimit tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, ndërsa çështjet kryesore të mosmarrëveshjes mbeten ende në tryezë. Sipas Reuters, marrëveshja u zgjat deri në janar, duke u dhënë të dyja palëve më shumë kohë për negociata mbi tarifat, blerjet kineze, furnizimin me minerale të rralla dhe kufizimet teknologjike.
Për kompanitë amerikane dhe kineze, kjo nënkupton një periudhë të re pasigurie, pasi tarifat dhe kufizimet tregtare mbeten të lidhura ngushtë me zhvillimet politike mes Uashingtonit dhe Pekinit. Gjatë bisedimeve me Trump, Xi Jinping ngriti edhe çështjen e Tajvanit, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara ta trajtojnë me kujdes këtë çështje.
Presidenti kinez iu referua gjithashtu të ashtuquajturit “Kurthi i Tukididit”, koncepti që përshkruan rrezikun e konfliktit kur një fuqi në ngritje sfidon një fuqi dominuese.
Xi tha se të dyja vendet kanë interesa të përbashkëta dhe se përballja mund të shmanget përmes dialogut dhe mekanizmave për parandalimin e krizave. Reuters e renditi këtë mesazheve kryesore të samitit, duke e lidhur me tensionet që vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht tonit ceremonial të vizitës. Pas skenave të ceremonisë dhe darkës luksoze qëndron një prej pikave më të rëndësishme të konkurrencës mes dy vendeve: inteligjenca artificiale.
Në tryezë ishin disa prej figurave që drejtojnë kompanitë kryesore të këtij sektori. Jensen Huang i Nvidia-s dhe Lisa Su e AMD-së përfaqësojnë kompanitë që furnizojnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së çipave për inteligjencën artificiale, ndërsa Sam Altman i OpenAI, Sundar Pichai i Google dhe Mark Zuckerberg i Meta-s janë në qendër të zhvillimit të modeleve dhe platformave të reja të AI-së.
Xi Jinping theksoi nevojën që zhvillimi i inteligjencës artificiale të mbetet nën kontrollin njerëzor dhe se SHBA-ja dhe Kina mund të shkëmbejnë pikëpamje mbi përfitimet dhe rreziqet e teknologjisë.
Mes të ftuarve të darkës ishte edhe Arabella Kushner, vajza 15-vjeçare e Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Arabella ishte ulur pranë nënës së saj dhe familjarëve të tjerë të presidentit amerikan, në një pozicion të dukshëm gjatë darkës. Ajo është e njohur për lidhjen e saj me kulturën dhe gjuhën kineze, pasi ka mësuar mandarinisht që në moshë të vogël.
Në vitin 2017, gjatë vizitës së Trump në Pekin, presidenti amerikan i kishte treguar Xi Jinping një video të Arabellës, e cila në atë kohë ishte fëmijë, duke kënduar dhe recituar poezi në mandarinisht. Xi e kishte vlerësuar atëherë për aftësitë e saj në gjuhën kineze.
Darka u përgatit nën drejtimin e Zonjës së Parë Melania Trump dhe menuja ndërthurte përbërës amerikanë me ndikime kineze.
Vakti nisi me verën e gazuar amerikane “Blanc De Noir” të Schramsberg, e lidhur me “Dollinë për Paqe” të vitit 1972 mes presidentit amerikan Richard Nixon dhe kryeministrit kinez Zhou Enlai. Sipas Shtëpisë së Bardhë, e njëjta verë vazhdon të shërbehet në aktivitetet zyrtare.
Menuja përfshinte supë me kungull dhe kërpudha të egra, levrek me susam dhe garnitura të frymëzuara nga kuzhina aziatike, ndërsa ëmbëlsira ishte krem brûlée me vanilje, komposto qershie dhe akullore me mjaltë nga Shtëpia e Bardhë.
Darka mblodhi kështu në një sallë të vetme diplomacinë, politikën dhe biznesin amerikan, me drejtuesit e kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe financave ulur përballë një prej rivalëve kryesorë strategjikë të SHBA-së.
Në qendër të takimit mbetën çështjet që përcaktojnë marrëdhëniet Uashington-Pekin, tregtia, Tajvani, teknologjia, çipat dhe mbi të gjitha gara për inteligjencën artificiale. Top Channel

