Në procesin për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, siç raporton gazetarja Anila Hoxha, e pranishme në mbledhje, kandidatët që garojnë për përfaqësimin e Gjykatës së Lartë kanë prezantuar qëndrimet dhe prioritetet e tyre për pesë vitet e ardhshme. Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmeti, u ndal te nevoja për një bashkëpunim më të madh të KLGJ-së me institucionet përgjegjëse. Ajo theksoi gjithashtu problematikat me të cilat përballen shoqatat e gjyqtarëve, veçanërisht mungesën e fondeve dhe të infrastrukturës.
Sipas Ahmetit, KLGJ-ja duhet të ofrojë më shumë mbështetje dhe të ketë një bashkëpunim aktiv me institucionet që kanë përgjegjësi për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Nëse më jepni besimin tuaj për pesë vitet e ardhshme, premtoj që do të kemi një gjyqësor të mirë”, u shpreh Ahmeti gjatë prezantimit të kandidaturës së saj.
Në garë për të njëjtin vend është edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni. Ai e përshkroi pushtetin gjyqësor si një sistem që ndodhet në një fazë konsolidimi, por njëkohësisht përballet me disa momente sprove.
Simoni veçoi ndër problematikat kryesore ngarkesën e lartë në punë, ndërsa iu referua edhe humbjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe konfliktit për pagat e magjistratëve si dy prej sfidave të rëndësishme me të cilat është përballur sistemi.
Sipas Simonit, këto çështje kanë vënë në provë, ndër të tjera, garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Zgjedhja e tre anëtarëve të rinj të KLGJ-së do të bëhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Për vendin që i përket Gjykatës së Lartë garojnë Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni, ndërsa tre kandidatët e tjerë do të garojnë për përfaqësimin e gjykatave të apelit dhe të shkallës së parë. Top Channel

