Këtë të premte mbahet protesta e 132-të para kryeministrisë, ku kërkohet largimi i Ramës. Ermal Pashaj, doktori i njohur u shpreh se e keqja e këtij vendi është kreu i qeverisë Rama dhe zgjidhja e vetme është largimi i tij. Pashaj deklaroi se, sipas tij, kërkesat e protestuesve për dinjitet nuk po dëgjohen nga qeveria, ndërsa e akuzoi atë për klientelizëm dhe përdorimin e pushtetit për interesa të lidhura me qëndrimin në detyrë. Doktori u bëri thirrje qytetarëve të dalin në krah të vendit, duke iu referuar edhe sakrificave të brezave të mëparshëm. “Të ashtuquajturit e përzgjedhur të shtetit, nuk e kanë ndërmend të dëgjojnë kërkesat tonë. Ky emërues ka vetëm një mision, misionin e ka të lidhur me klientelizmin rreth karrikes së tij. Rama ka një mision, zhbërjen e Shqipërisë. Kemi kaq kohë që rropatemi, pse janë kaq pak njerëz që e kanë zemrën në vendin e duhur. Duhet t’i luftojmë këto gjëra vëllezër. Nuk kemi çfarë të presim nga besa e këtij tradhtari. Besa e një tradhtari është thika pas shpine. Këtë e ka vërtetuar ky pushtet.
Kërkesat tona për dinjitet janë legjitime. Ditën që ti pret se dikush do ndryshojë, e patë dje si ndryshoi. Duhet të bëhemi njerëz që e kanë zemrën në vendin e duhur. Nuk lejojmë njerëz që të përdhosin, e pamë dje që maskarada nuk ka fund. Dilni krah vendit tuaj, ata kanë derdhur gjak për këtë vend. Sot është lufta e të mirës ndaj të keqes. Rroftë Shqipëria, bashkohuni vllezër”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

