Pas disa kohësh nën 220 lekë për litër, çmimi i naftës dhe i benzinës ne tregun vendas shënoi një rritje të fortë, duke arritur afër niveleve rekord të shënuara gjatë luftës në Ukrainë. Këtë të shtunë, në të gjitha pikat me pakicë të karburanteve në Tiranë nafta është tregtuar me çmim 226 deri në 229 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte. Nafta është rritur nga 7 lekë deri 10 lekë për rritur.
Shtrenjtim të çmimeve është shënuar edhe për benzinën. Nga 205 lekë që ishte çmimi i mëparshëm, të shtunën ka nisur të tregtohet me 216 dhe 219 lekë për litër, duke shënuar një rritje të fortë nga 11 deri 14 lekë për litër.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër që ishte para nisjes së luftës. Por, kjo është rritja më e lartë e çmimit të karburanteve prej vitit 2022, kur nisi agresioni rus në Ukrainë. Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet e huaja më 10 Shtator.
Dy ditë më parë nafta “brent crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 dollarë për fuçi nga 100 dollarë që tregtohej më parë. Të shtunën në bursa nafta po tregtohet me çmim 104 dollarë për fuçi. Shtrenjtim u shënua edhe te çmimi Platts, që përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve.
Çmimi final i Platts arriti 1619 dollarë për ton me rritje prej 165 dollarë për ton nga çmimi i mëparshëm.
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare u ndikua nga situata e konfliktit në Jemen, që solli rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet 20% e prodhimit botëror dhe vështirësive të kalimit përmes Detit të Kuq. Top Channel

