Një tjetër denoncim për gjendjen e rëndë të infrastrukturës në zonat rurale ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga fshati Dardhë, në Librazhd.
Një banor i lagjes Bulger ka dërguar një video ku tregon gjendjen e rrugës së fshatit pas reshjeve të shiut. Siç shihet në pamjet e mbërritura në redaksi, një automjet përpiqet të ngjitet në rrugën e mbuluar me baltë, por rrotat xhirojnë dhe mjeti mezi lëviz.
Sipas banorit, rruga është e shtruar me çakull dhe nuk është e asfaltuar, ndërsa në ditët me shi kalimi bëhet edhe më i vështirë.
“Shife si jetojmë ne në fshatin Dardhë të Librazhdit”, shkruan ai, ndërsa në një tjetër mesazh shprehet se banorët kanë mbetur pa përgjegjës dhe pa një zgjidhje konkrete për problemin.
“Jemi në fshatin Dardhë, lagjja Bulger, të Bashkisë Librazhd. Asnjë nuk mban përgjegjësi, se nuk mundemi të vimë në shtëpi”, shkruan banori.
Rasti nga Dardha rikthen edhe një herë në vëmendje gjendjen e shumë fshatrave shqiptare, ku infrastruktura rrugore mbetet problem serioz, pavarësisht viteve të investimeve dhe fondeve të deklaruara për zhvillimin e zonave rurale.
Në vend që banorët të kenë rrugë të kalueshme dhe akses normal në shtëpitë e tyre, reshjet e shiut mjaftojnë që rrugët e paasfaltuara të kthehen në baltë dhe udhëtimi të bëhet një sfidë.
Në një kohë kur shumë prej këtyre fshatrave kanë mbetur me gjithnjë e më pak banorë, duket paradoksale që edhe ata pak njerëz që kanë zgjedhur të qëndrojnë në vendlindjet e tyre të përballen ende me probleme kaq bazike të infrastrukturës.
Banori i Dardhës kërkon që shqetësimi i tyre të dëgjohet dhe që institucionet përgjegjëse të marrin masa për rrugën që, sipas tij, i lë të izoluar sa herë bie shi. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

