Maqedonia e Veriut është ndër vendet e fundit që ka marrë masa konkrete për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve tek konsumatorët.
Nga 15 deri më 28 shtator, qeveria ka vendosur të ulë TVSH-në për karburantet nga 18 në 10 për qind, ndërsa paralelisht vijon edhe lehtësimi i akcizës. Vetëm për naftën, efekti i masave llogaritet në rreth 7 denarë për litër, duke frenuar një rritje të mëtejshme të çmimit në tregun vendas.
Pas ndërhyrjes së qeverisë, çmimi përfundimtar i naftës është rreth 99 denarë, ose afërsisht 1.48 euro për litër.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera europiane. Italia ka zgjatur deri më 17 shtator uljen e akcizës për naftën, me një reduktim prej rreth 17 centësh për litër. Qëllimi është lehtësimi i barrës për familjet dhe bizneset, në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Edhe Spanja ka vendosur lehtësime të përkohshme fiskale për benzinën dhe naftën, ndërsa Qiproja ka zgjatur deri më 30 nëntor një masë që ul taksimin e të dyja llojeve të karburanteve me 8.33 centë për litër.
Ndërhyrje të ngjashme janë aplikuar edhe në vende të tjera, përmes uljes së akcizave, rimbursimeve apo subvencioneve të drejtpërdrejta. Në këtë mënyrë, qeveritë po përpiqen të amortizojnë një pjesë të kostos së krizës energjetike, duke hequr dorë përkohësisht nga një pjesë e të ardhurave fiskale.
Synimi i këtyre masave është të kufizohet efekti zinxhir i shtrenjtimit të karburanteve, në mënyrë që rritja e kostove të transportit të mos reflektohet menjëherë në çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera.

