Nga Elvi F
Me Blendi Fevziun dhe Artionin Vreto, siç tashmë na është bërë zakon vitet e fundit, morëm një skaf për të filmuar disa nga plazhet dhe zonat më të bukura të jugut të Shqipërisë, duke filluar nga Palasa drejt Sarandës.
Blendi, me pasionin e tij të pandalshëm për fluturimet, udhëtimet, skafet dhe zhytjen, siç e bën shpesh, kërkon të tregojë bukuritë e pafundme të Shqipërisë. Duke shfrytëzuar dhe njohjet e jugut nga një tjetër i apasionuar pas detit dhe ajrit, siç është Artion Vreto, të tre iu drejtuam Sarandës.
"Çmenduria" me Blendi Fevziun dhe Artion Vreton Filluam me filmime breg pas bregu në gjire, në shpella, në vende disa të pazakonta, shumë prej tyre të prekura nga shqiptarët, e shumë prej tyre jo, vende të virgjëra ku shikon një turizëm të huaj. Duke ecur drejt plazhit të Kakomesë, aty ku bëmë një tjetër filmim për të treguar historinë e atij gjiri, që prej më shumë se dy dekadash vazhdon të jetë pjesë e një debati mbi zhvillimin e turizmit në Shqipëri, përballë na shfaqen në distancë disa vaska peshku.
Menjëherë Artioni drejton skafin, që ishte një kontribut tjetër i mikut tonë Benit, i cili është gjithmonë i gatshëm për gazetarët të vendosë në dispozicion mjetin e tij për të treguar pjesë të bukurisë së Shqipërisë. Pasi nuk janë vetëm tre gazetarë, Artioni, Blendi dhe unë, por dhe kontributi i Benit në punën tonë, që përtej një dite turizmi, ishte një ditë e vërtetë pune.
Shohim vaskat e peshkut dhe drejtohemi për t'u afruar, për të bërë disa video dhe për të treguar si funksionojnë dhe çfarë janë këto vaska. Në distancë dukeshin disa anije, dy afër njëra-tjetrës që bënin ngarkim-shkarkim dhe një e tretë që qëndronte në distancë, por pa e ditur vërtet se ku po shkonim. Në thellësitë e detit Jon, në 75 metra thellësi siç tregonte gomonia jonë, ishin jo disa vaska, por një stabiliment për rritjen e peshkut ton. Anijet Rozafa 23 dhe Rozafa 22 në aksion
Kur u afruam me gomonen, pamë përballë një anije "Rozafa 23" dhe në krah të djathtë një tjetër, "Rozafa 22", një mjet që ngarkonte dhe shkarkonte. Në atë kohë, zhytësit e kompanisë "Rozafa" kishin hyrë në vaskat e peshkut dhe kishin gjuajtur për tonin blu, i cili më pas po nisej me anijen drejt Sarandës, me mjetin frigoriferik drejt Athinës, për të shkuar më pas në Amerikë, Izrael, Suedi, Europë e kudo në botë. Pra, po ndodheshim krejt rastësisht në stabilimentin e rritjes së tonit blu, të investuar nga Gjergj Luca. Një stabiliment i cili ishte i përbërë nga tetë vaska që prodhonin rreth 1200 tonë ton blu në vit, i cili eksportohej mbarë në Europë dhe botë. Na pritën kapiteni i anijes "Rozafa 23", peshkatarët, gjuajtësit e disa turq, por dhe një tjetër shqiptar nga Belshi. Të gjithë kishin punuar me orë të tëra, dhe pasi kishin gjuajtur tonin sipas peshës të mirëpërcaktuar, e kishin marrë atë dhe e kishin vendosur në vaskat e mëdha të akullit për të qëndruar për një orë e më pas gjatë udhëtimit të transportohej.
Menduam se do të rrinim gjatë atje, por nuk mundëm. Qëndruam jo më shumë se 30 minuta për shkak se anija duhet të nisej. Ishte një fat i yni që e gjetëm atë anije në një moment që po kishte përfunduar gjuajtjen. Më pas kontaktuam Gjergj Lucën, i cili me shumë kënaqësi na dha lejen për të filmuar dhe na vuri të gjithë stafin e tij në asistencë të plotë, që ne të mblidhnim informacion dhe të shikonim se çfarë ndodhte.
Stabilimenti i peshkut ton blu nga "Rozafa", me tetë vaska dhe një prodhim 1200 tonë në vit
Stabilimenti i peshkut ton blu nga "Rozafa", me tetë vaska dhe një prodhim 1200 tonë në vit, tashmë kishte filluar të prodhonte sasinë e peshkut që duhej për eksport, por me një qëllim të mëtejshëm: siç bën me çmenduritë e tij Gjergj Luca, për ta çuar prodhimin në 3000 tonë në vit. Një “betejë” e vërtetë mund të quhet ajo që bën "Rozafa" me peshkun ton blu, pasi nuk rritet me rasat apo siç dimë nga llojet e ndryshme të peshqve. Por ka një procedurë krejt tjetër. Diku mes Algjerisë, Tunizisë dhe Maltës, në sezonin e caktuar kur gjuhet toni blu, kur ai hyn nga Atlantiku në detin Mesdhe, bëhet një luftë e vërtetë midis shumë flotave. Dhe "Rozafa" është një nga ato kampione, pasi peshku kapet në ato zona, ai për ditë e javë të tëra, dalë-ngadalë, tërhiqet deri në detin Jon dhe futet në vaska.
Aty ato ushqehen për të marrë yndyrën e nevojshme. Yndyra duhet të shkojë deri në 14%. Pra, toni rritet duke u trajtuar sipas parametrave natyralë dhe shkencorë për të qenë një nga produktet më të shëndetshme. Duke ditur se toni blu është një thesar i detit për njeriun, yndyra e tij është shumë e shëndetshme për kolesterolin dhe ngelët një nga peshqit më të shtrenjtë dhe më cilësorë në botë. Toni blu i Gjergj Lucës në thesarin e eksportit shqiptar
"Toni Blu", pasi futet në 8 vaskat e peshkut, trajtohet në periudha të caktuara, një pjesë sipas rritjes gjuhen dhe më pas eksportohen, dhe një pjesë tjetër hyn dhe në tregun vendas. Ky cikël vazhdon.
Por, për shkak të kërkesës dhe punës së “çmendur” të Gjergj Lucës, toni shqiptar i cili shkon sa andej-këtej, në Amerikë dhe Europë, e gjetkë në botë, tani do të ketë së shpejti dhe një investim prej tetë vaskash të tjera, për ta çuar në 16 të tilla dhe për të pasur një kapacitet prej 3000 tonësh peshk ton blu prodhim në vit. Blendi Fevziu ka pasionin e tij të çmendur për zhytjen. Vendos syzet dhe hidhet në një nga vaskat. Peshkatarët turq na ndihmojnë duke hedhur disa sardele dhe turma e tonit fillon të lëvizë. Shikonim peshq 500 apo 600 kilogramë.
Pamje fantastike, të cilat ishin vërtet surprizuese sepse gjithçka më parë e kishim kuptuar me fjalë. Me fjalët e Gjergj Lucës, sa në “Facebook”, në “TikTok” apo në “Instagram”, ku grindet me çmendurinë e vet, ku ha veten për t'iu kthyer përgjigje njerëzve apo për të treguar se sa i shëndetshëm është peshku ton. Zakonisht fjalët i merr era, por në këtë rast fjalët ishin vepra. Gjergj Luca ka ndërtuar një nga stabilimentet më të mira në Europë
Ato çka kishim parë e dëgjuar në rrjetet sociale, i pamë dhe i prekëm fizikisht me Blendin dhe me Artionin në afërsi të Sarandës, ku Gjergj Luca ka ndërtuar një nga stabilimentet më të mira në Europë, pse jo dhe në botë, me një standard dhe cilësi të padiskutueshme. Siç e theksova dhe më lart, me parametra shkencorë të ushqimit të peshkut dhe natyral, për ta çuar lart flamurin shqiptar kudo në botë.
Jo thjesht dhe vetëm te “lufta” e kapjes së tonit në Mesdhe, por tek rritja e tij dhe te tregëtia, ku në kompaninë "Rozafa" punojnë disa mijëra persona. Jo thjesht dhe vetëm kapja e peshkut, tek transporti, tek rritja e tij, por deri te pastrimi, ambalazhimi, shërbimi dhe gjithçka tjetër. Një zinxhir i tërë që fillesën e ka pikërisht nga pasioni i Gjergj Lucës për gjuetinë e peshkut, e cila tashmë është kthyer në një ëndërr që po bëhet realitet. Blendi Fevziu realizoi shumë filmime, u fut në vaskë duke notuar brenda saj dhe duke ndjekur me një kamera 360 gradë peshqit ton, të cilët jo vetëm nuk e preknin, por dhe kujdeseshin kur kalonin pranë tij.
Së shpejti ai do të publikojë me dhjetëra video. Unë po sjell disa nga planet dhe videot që munda të siguroj, nga një udhëtim mbresëlënës tek një nga investimet që shqiptarët duhet t'i bëjë krenarë, dhe përtej fjalëve, sharjeve dhe akuzave, janë veprat.
Dhe në afërsi të Sarandës, ne pamë me sytë tanë e prekëm një investim kolosal, një zhvillim krejtësisht të veçantë në tregtinë e peshkut në Shqipëri, që ka të bëjë ekskluzivisht me tonin blu, një nga peshqit më të rrallë dhe më të shëndetshëm për njeriun. Blendi ka ekskluzivitetin e videove të tij, ndërsa ne sollëm pjesën tonë, ku do të shihni mënyrën sesi mbërrijmë atje, momentet e para me foto, ndihma nga peshkatarët, deri tek informacioni që Gjergj Luca na dha, duke treguar se “çmenduria” e tij vërtetë nuk kishte pasur kufij, por këtë herë e kishte bërë realitetin në Detin Jon, për të shkuar në një prodhim prej 1600 tonë toni blu në vit./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

