Kur rutinat dhe stabiliteti mungojnë, zhvillimi i aftësive njohëse të fëmijëve mund të pengohet. Tri studime të reja tregojnë se një mjedis familjar kaotik dhe i paparashikueshëm mund të ndikojë tek aftësia e tyre për të përqendruar vëmendjen, për të përpunuar informacionin dhe për të rregulluar emocionet. Në muajt e parë të jetës, truri i fëmijës funksionon si një “makinë parashikimesh”: ai vëzhgon vazhdimisht mjedisin përreth dhe mëson të parashikojë atë që do të ndodhë. Një mjedis i qëndrueshëm krijon bazën për zhvillimin e aftësive më komplekse njohëse.Lexo edhe:Beli, shtrëngimi i duarve dhe vendbanimi, çfarë zbulojnë për shëndetin e zemrës Në një studim me 160 fëmijë të moshës 3-12 muajsh, studiuesit e Universitetit të Kalifornisë, Irvine, vunë re se foshnjat që jetonin në kushte më pak të qëndrueshme, sa i përket strehimit, ushqimit dhe burimeve të tjera bazë, e largonin më shpesh shikimin gjatë një detyre që kërkonte vëmendje vizuale. Një tjetër studim, me 104 fëmijë 3-muajsh, analizoi ndërveprimet me kujdestarët. Fëmijët që përballeshin me sjellje më pak të parashikueshme të të rriturve shfaqnin aktivitet më të ulët të korteksit frontal dhe më pak variabilitet të ritmit të zemrës, tregues i një fleksibiliteti më të ulët të sistemit nervor në përballimin e situatave emocionale. Një studim i tretë, me 81 nëna dhe foshnja, shqyrtoi rolin e allopregnanolonit, një neurosteroid i pranishëm natyrshëm në qumështin e gjirit, që mund të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të stresit dhe vështirësive psikologjike të nënës tek aftësia e fëmijës për të rregulluar emocionet. Në tërësi, studimet nënvizojnë rëndësinë e mbështetjes së prindërve që në fazat e para të jetës. Stabiliteti nuk varet vetëm nga gjendja ekonomike: pushimet prindërore dhe shërbimet publike të aksesueshme për kujdesin ndaj fëmijëve mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tyre.

