Melania Trump ka zgjedhur të mos zbulojë detaje nga jeta private e bashkëshortit të saj, Donald Trump, edhe kur pyetja i është drejtuar drejtpërdrejt gjatë një interviste në tapetin e kuq.
Zonja e Parë e SHBA-së u shfaq në New York për premierën e serialit të saj dokumentar “Melania, The Series”, i cili është publikuar në platformën Prime Video. Gjatë komunikimit me gazetarët, ajo u përball me një pyetje pikante nga një gazetare e One America News, e cila e pyeti se cili ishte zakoni më i keq i bashkëshortit të saj që publiku nuk e dinte.
Melania buzëqeshi, tundi kokën dhe zgjodhi të mos përgjigjej drejtpërdrejt. “Kjo është private”, u shpreh ajo, duke mos lënë vend për më shumë detaje.
Gazetarja këmbënguli, duke u përpjekur të merrte të paktën një shembull nga jeta e përditshme e çiftit, por Melania u mjaftua me një tjetër përgjigje të shkurtër: “Besim. Besim dhe familje”.
Gjatë të njëjtit komunikim, ajo u pyet edhe për hetimet që demokratët në Kongresin amerikan kanë paralajmëruar ndaj familjes Trump. Melania tha se familja e saj ka kaluar shumë situata të ngjashme dhe u bëri thirrje demokratëve të përqendrohen te çështjet e rëndësishme për vendin.
“Do t’u thoja të përqendrohen te pozitivet dhe te kujdesi për Shtetet e Bashkuara, në vend që të humbasin kohë me hetime”, deklaroi ajo.
Përgjigjja e Melanias ndaj pyetjes për zakonet e bashkëshortit u bë një nga momentet më të komentuara të paraqitjes së saj, ndërsa ajo vijoi të ruajë të njëjtin qëndrim: jeta private e çiftit mbetet jashtë vëmendjes së publikut.

