Lajme Zone
Cilësohet si 'njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë', kush është Ulrich Siegmund, lideri i AfD-së që fitoi zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhalt-it
BotëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Cilësohet si 'njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë', kush është Ulrich Siegmund, lideri i AfD-së që fitoi zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhalt-it

Ulrich Siegmund, 35-vjeçari që fitoi zgjedhjet në Saksoni-Anhalt: Popullariteti mes turmave, imazhi “i moderuar” dhe programi ekstremist

Mëngjesin kur Ulrich Siegmund doli për vrap dhe pa në Kishën e Shën Stefanit një pankartë të madhe blu, të vendosur nga famullitari, me mbishkrimin “Zemër, jo urrejtje”, nxori menjëherë telefonin dhe regjistroi një video: “Shikoni çfarë ndodh në qytetin tim, është e pabesueshme! Një thirrje për të votuar AfD-në në fasadën e kishës!” Ngjyra e pankartës ishte vërtet e njëjtë me blunë karakteristike të AfD-së. LEXO EDHE:AfD drejt fitores së thellë në landin Saksoni-Anhalt të Gjermanisë, Trump ‘feston’ në rrjetet sociale “Pikërisht, votoni kundër urrejtjes së së majtës! Faleminderit Kishës që më mbështet, kush do ta kishte menduar?” Ose shihni kopertinën e famshme të revistës Der Spiegel, e cila e cilësoi atë “njeriun më të rrezikshëm të Gjermanisë”. Siegmund nisi ta firmoste dhe t’ua dhuronte mbështetësve, duke e shndërruar atë në gjetjen më të suksesshme të fushatës elektorale. Ulrich Siegmund, 35 vjeç, me flokët gjithmonë të rruar anash dhe pantallona të ngushta, është një shitës i lindur. Dikur krijoi edhe një kompani aromatizuesish për ambientet, me produkte si “Fresh Office” për meshkujt dhe “Smooth Harmony” për gratë. Ai është në gjendje ta përmbysë çdo situatë dhe t’i shndërrojë edhe skandalet në meme. Ndërsa Alice Weidel shfaqet armiqësore dhe negative, e përqendruar te rënia e Gjermanisë, Siegmund përcjell pozitivitet. Ai flet për “ndryshim politik” dhe për një “të ardhme më të mirë”, duke paraqitur një vizion optimist dhe në ngritje. Mbështetësit e adhurojnë. Deri më tani thuhej se votuesit e AfD-së do të votonin edhe për “një fshesë blu”, por Siegmund dëshmon të kundërtën. Ai fitoi me 44,5% të votave në Saksoni-Anhalt dhe, teorikisht, mund edhe të formojë qeverinë. Do të ishte hera e parë që ekstremi i djathtë qeveris një land gjerman që prej vitit 1945. “Përshëndetje, Ulli”, i thotë një burrë me tatuazhe në Köthen. “Hej, faleminderit që erdhe”, i përgjigjet ai. Një tjetri i drejtohet: “Uwe, apo jo? Jemi takuar edhe më parë.” Dhe kështu vazhdon me qindra njerëz që mblidhen për ta takuar në qytezat e Saksonisë, ndërsa në qytete tubimet e tij tërheqin deri në 4–5 mijë vetë. Mbështetësit presin një orë në radhë për një fotografi me të, ndërsa ai u buzëqesh të gjithëve. Sillet si miku i kujtdo, si “dhëndri i përsosur”, për ta thënë me fjalët e Der Spiegel. Ai nuk sillet në mënyrë armiqësore as me gazetarët; thjesht i lë për në fund. Frikë? “Oh, ju lutem!” Po “riemigrimi”? “Është një fjalë krejtësisht normale. Madje është pozitive.” Dhe buzëqesh. Në botën që paraqet Siegmund, asgjë nuk duhet të duket kërcënuese. Ulrich Siegmund ka 681 mijë ndjekës në Instagram dhe 800 mijë në TikTok. Vetëm Heidi Reichinnek, e partisë E Majta (Die Linke), ka më shumë. Ai ndiqet dhe filmohet nga profesionistë. Në njëfarë kuptimi, “Ulli” ka dalë nga ekrani: ai është influenceri, ylli i TikTok-ut që njerëzit shkojnë ta shohin nga afër. Por Siegmund merr energji nga turma dhe ia përcjell atë sërish publikut. Mban mend emrat e njerëzve që ka takuar dhe është ai lloj politikani që të krijon përshtypjen se të sheh dhe të dëgjon vërtet. Me pak fjalë, ka aftësinë të krijojë lidhje me njerëzit. Sipas revistës Stern, AfD-ja nuk ka pasur më parë një figurë të tillë. Këtë e di edhe Alice Weidel. Siegmund ka lindur dhe jeton në Tangermünde, ku u tërhoq gjatë dy ditëve të fundit të fushatës. Qyteti i dikurshëm perandorak ka rreth 10 mijë banorë, ndërtesa me tulla të kuqe dhe skelete druri, një kështjellë dhe mure të fuqishme buzë lumit Elba. Jemi në zemër të Gjermanisë së rreptë prusiane, mes Wittenbergut të Martin Luterit dhe Magdeburgut të mbretit Oto I, në një zonë konservatore prej shekujsh. Është e vështirë të kuptohet se çfarë i shtyn këto qytete piktoreske, të restauruara dhe pastruara pas rënies së Gjermanisë Lindore dhe ribashkimit, drejt zemërimit kundër sistemit dhe botës, drejt parullës së zymtë “Gjermania për gjermanët”. Ndoshta janë pikërisht rrugët e heshtura dhe të zbrazëta: metafora e një mungese, e një madhështie që nuk u rikthye kurrë. Siegmund është anëtar i këshillit bashkiak të Tangermündes, së bashku me të atin dhe të vëllanë. Prej këtej drejton degën rajonale të AfD-së, të cilën shërbimet e inteligjencës e klasifikojnë si “qartësisht ekstremiste” dhe që rrezikon të ndalohet. Në stafin e tij ka katër këshilltarë që kanë qenë anëtarë të HDJ-së, një organizatë e shpërndarë me vendim gjykate, e cila frymëzohej nga Rinia Hitleriane dhe synonte edukimin e një elite neonaziste. “Janë histori të 20–25 viteve më parë”, thotë ai. Ndërkohë, programi i partisë, i njohur si “Manifesti i Magdeburgut”, është programi më radikal politik i paraqitur ndonjëherë në Gjermaninë e pasluftës. Ai parashikon një fushatë masive “riemigrimi”, pra dëbimin e emigrantëve, si dhe masa të tilla si krijimi i “klasave të veçanta” për fëmijët e azilkërkuesve, me arsyetimin se ata qëndrojnë në Gjermani vetëm përkohësisht dhe se kështu “fëmijët tanë” nuk do të detyrohen të qëndrojnë “me kultura krejtësisht të huaja”. Edhe nxënësit me aftësi të kufizuara duhet të mësojnë veçmas, pasi, sipas dokumentit, ata “pengojnë përparimin e arsimit”. Gjithçka është shkruar e zeza mbi të bardhë. Megjithatë, Siegmund nuk përdor kurrë një ton të ashpër kur flet për këto propozime. Thuhet se në gjimnaz, ku njihej me emrin Markus – ai zgjodhi të përdorte emrin e dytë, Ulrich, vite më vonë – kishte shumë sukses me vajzat. Ai mësoi herët ta përdorte joshjen. Por e braktisi gjimnazin për të marrë një diplomë profesionale. Ky ishte ndoshta shkëputja e tij e parë nga sistemi. E dyta ndodhi gjatë pandemisë së Covid-19. Pikërisht atëherë doli në pah lideri radikal që denonconte “diktaturën e shtetit”. Në rini kishte qenë anëtar i CDU-së, por përmes videove në rrjetet sociale fitoi me shpejtësi qindra mijëra ndjekës dhe u ngjit në hierarkinë e AfD-së. Në Kishën e Shën Stefanit, ku vazhdon të qëndrojë pankarta blu me mbishkrimin “Zemër, jo urrejtje”, dera është e hapur. Famullitari Otto tregon se tensionet janë rritur dhe se disa komunitete jetojnë me frikë. Në tabelën e njoftimeve ai ka vendosur një fletushkë ku shkruhet: “Të votojmë në mënyrë që dinjiteti njerëzor, liria dhe përgjegjësia të mbeten themelet e bashkëjetesës sonë.”/CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: Ulrich Siegmund gjermani AfD Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

2 Shtator, 23:22

Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 75% Të gabuar 20.7% Nuk e di 4.3% Vota total: 5154 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 2 Shtator, 23:22 Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?