Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se pavarësisht vlerësimit të tij “pozitiv” të bisedimeve me të dërguarit e SHBA-së Jared Kushner dhe Steve Witkoff, lufta kundër Rusisë duket se do të vazhdojë këtë dimër “për momentin”. “Ne shpresojmë sinqerisht të arrijmë marrëveshje me partnerët tanë amerikanë dhe mbështetemi në suportin e partnerëve tanë evropianë nëse lufta zgjatet gjatë dimrit, gjë që duket se është rasti në këtë moment”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp pas bisedimeve.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se çështja territoriale, e cila është një çështje qendrore në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, mund të zgjidhet vetëm përmes takimeve midis krerëve të shteteve.
“Dua të këmbëngul në qëndrimin tim, i cili është se çështje të tilla komplekse mund të zgjidhen vetëm në nivelin e udhëheqësve”, tha ai në një konferencë për shtyp pas bisedimeve të tij të para në Kiev me të dërguarit e Donald Trump.
Zelensky ka kërkuar prej kohësh një takim me homologun e tij Vladimir Putin për të zgjidhur çështjen territoriale, diçka që Kremlini ka refuzuar ta bëjë.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se delegacionet amerikane dhe ukrainase diskutuan për sigurinë dhe garancitë ekonomike për Kievin, si dhe një plan prosperiteti.
Nga ana e tij, i dërguari amerikan Steve Witkoff u bëri thirrje sot Moskës dhe Kievit të bëjnë “kompromise” për të gjetur një rrugëdalje nga lufta që i ka sjellë humbje të dy palëve.
“Të dyja palët duhet të bëjnë kompromis dhe të ngushtojnë dallimet e tyre, dhe ne besojmë se kemi elementët e nevojshëm për ta bërë këtë,” tha ai në një konferencë pas bisedimeve të tij të para në Kiev.
“Është shumë e vështirë, por ne jemi të vendosur, jemi të përkushtuar ndaj kësaj dhe shpresojmë që e gjithë kjo do të çojë në një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, shtoi ai.
Steve Witkoff tha gjithashtu se ishte i kënaqur me bisedimet e paqes si në Moskë ashtu edhe në Kiev, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të gjejnë një zgjidhje diplomatike për luftën, tani në vitin e saj të pestë. Top Channel

