Presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Christine Lagarde, do të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027, rreth nëntë muaj përpara përfundimit të mandatit të saj. Vendimi u njoftua këtë të enjte, më 29 tetor, nga vetë institucioni, ndërsa prej muajsh qarkullonin zëra për një dorëheqje të parakohshme. Lagarde ka informuar Këshillin Drejtues të BQE-së dhe presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, për vendimin e saj. Pasardhësi i saj do të emërohet nga Këshilli Europian, sipas procedurave të parashikuara në traktatet e Bashkimit Europian. LEXO edhe...1.6 trilionë euro cash në qarkullim në Europë, frika e luftës dhe sulmeve kibernetike shtyn evropianët t'i mbajnë sërish paratë nën dyshek Në një videomesazh, Lagarde konfirmoi se do të largohet pas mbledhjes së Këshillit Drejtues për politikën monetare, të planifikuar përpara datës 7 shkurt. “Ka qenë një krenari e madhe dhe një privilegj i jashtëzakonshëm t'i shërbej këtij institucioni. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, mbështetur dhe çuar përpara misionin tonë në Europë”, deklaroi ajo. Lagarde theksoi se misioni i BQE-së ka qenë të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar. “Besoj se po largohem nga ky institucion me bindjen se kam bërë një punë të mirë dhe se BQE-ja është e gatshme të përballet me të ardhmen”, u shpreh ajo. Kush mund ta zëvendësojë Lagarde? Pas njoftimit të largimit, vëmendja është kthyer te emri që do të marrë drejtimin e Bankës Qendrore Europiane. Sipas emrave që kanë qarkulluar deri tani, ndër kandidatët e mundshëm janë ish-guvernatori i Bankës së Spanjës dhe presidenti aktual i Bankës për Rregullime Ndërkombëtare, Pablo Hernandez de Cos, ish-guvernatori holandez Klaas Knot, presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, dhe guvernatori portugez Mario Centeno. Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë do të bëjë Lagarde pas largimit. Së fundmi janë shtuar zërat për një emërim të mundshëm të saj në krye të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ku zgjedhja mund të bëhet që në nëntor. Largimi përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë Dorëheqja në shkurt i jep mundësinë presidentit francez Emmanuel Macron të marrë pjesë në përzgjedhjen e pasardhësit të Lagarde, përpara zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Francë në pranverën e vitit 2027. Sipas sondazheve të përmendura nga media italiane Corriere della Sera, Marine Le Pen konsiderohet favorite për zgjedhjet presidenciale. Ajo ka deklaruar se është e gatshme të përballet me institucionet europiane nëse zgjidhet presidente. Lagarde ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për presidente të Francës, por ka deklaruar se dëshiron të mbrojë vlerat europiane në vendin e saj, në çfarëdo roli që e konsideron më të përshtatshëm. Costa: Europa ka përfituar nga drejtimi i saj Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi punën e Lagarde gjatë drejtimit të BQE-së. “Gjatë mandatit të saj, ajo e drejtoi Bankën Qendrore Europiane me një ndjenjë të fortë detyre dhe përgjegjësie. Europa ka përfituar shumë nga drejtimi i saj në kohë pasigurie dhe nga përkushtimi i saj i palëkundur ndaj projektit europian”, deklaroi Costa. Ai përmendi pandeminë, luftën në Europë, krizat energjetike dhe goditjet inflacioniste si sfidat me të cilat u përball BQE-ja gjatë mandatit të saj. Edhe presidenti i Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis, vlerësoi kontributin e Lagarde, duke deklaruar se mandati i saj ka forcuar më tej besimin te monedha e përbashkët europiane. Sipas njoftimit të BQE-së, anëtarët e Këshillit Drejtues e falënderuan Lagarde me një duartrokitje të gjatë në këmbë. U.D/ReportTv.al BQE Banka Qendrore Evropiane Christine Lagarde Komento Komente Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 73.5% Jo 23.8% Nuk e di 2.8% Vota total: 4927 Sondazhi i ditës: Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?

