Pas një periudhe të gjatë pa folur hapur për jetën e saj private, Chiara Ferragni ka vendosur të tregojë anën më të vështirë të viteve të fundit. Në një intervistë për “Vanity Fair Italia”, sipërmarrësja italiane ka rrëfyer krizën që pasoi skandalin e pandoros Balocco, vështirësitë psikologjike dhe fundin e martesës me reperin Fedez.
Rrëfimi i saj vjen në prag të dokumentarit të ri “CHIARA”, që pritet të publikohet në Netflix. Ferragni tregon se pas shpërthimit të çështjes Balocco përjetoi një periudhë shumë të errët, gjatë së cilës edhe ngritja nga shtrati ishte e vështirë.
“Ka pasur mëngjese kur nuk arrija të ngrihesha. Mëngjesi ishte momenti më i keq, sepse problemet shtoheshin dhe gjithçka po më dilte gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit”, rrëfen ajo, duke shpjeguar se kjo gjendje zgjati rreth katër muaj.
Në intervistë, Ferragni flet edhe për martesën me Fedez, duke pranuar se, pavarësisht imazhit që çifti përcillte në publik, ajo shpesh ndihej e vetmuar në marrëdhënien e tyre.
“Federico ishte familja ime. Një familje jo perfekte, por një familje që shpresoja se do të zgjaste. Të ndihesha e braktisur më lëndoi shumë. Mendon se ke jetuar një marrëdhënie dhe pastaj kupton se ndoshta vetëm ti e ke jetuar vërtet atë”, shprehet ajo.
Një nga momentet që e kishte lënduar ishte edhe episodi i Festivalit të Sanremos, kur Fedez puthi reperin Rosa Chemical në skenë. Chiara tregon se para festivalit i kishte kërkuar bashkëshortit ta respektonte dhe të tregonte se ishte krenar për të, por ajo që ndodhi e bëri të ndihej e turpëruar.
“Unë i kërkova të më respektonte dhe të ndihej krenar për mua. Në vend të kësaj, ai tregoi para gjithë Italisë se nuk më respektonte. U ndjeva e turpëruar”, kujton Ferragni.
Një tjetër zbulim i dhimbshëm për të ishte marrëdhënia e Fedez me një grua tjetër, Angelica Montini. Sipas rrëfimit të saj, më 19 dhjetor 2024, reperi i tregoi për këtë lidhje, pasi ajo kishte këmbëngulur të merrte përgjigje për dyshimet që kishte.
“I tregova se doja të dija dhe ai më foli për Angelica-n. Ishte tronditëse të zbuloja se kishte pasur një marrëdhënie me të. Herën e fundit që e kishte parë, ishte një muaj para dasmës sonë”, tregon ajo.
Pavarësisht gjithçkaje, Chiara pranon se për një kohë të gjatë kishte besuar se dashuria mund t’i zgjidhte të gjitha problemet e çiftit.
“Unë e dua dashurinë dhe besoja te ajo ëndërr. Ai kishte shumë të meta, nuk ishim një çift perfekt, por kishte dashuri dhe mendoja se dashuria do të rregullonte gjithçka. Nuk ndodhi kështu”, shprehet ajo.
Por pas periudhës së vështirë, në jetën e saj duket se ka nisur një kapitull i ri. Ferragni tregon se njohu José Hernández gjatë një udhëtimi në Kolumbi, në fund të vitit 2025. Puthja e tyre e parë ndodhi më 1 janar 2026, një moment që ajo e përshkruan si një fillim të mirë, në një kohë kur kishte nevojë për energji pozitive.
Në fund të intervistës, sipërmarrësja flet edhe për mënyrën se si ka ndryshuar raporti i saj me famën dhe opinionin publik. Ajo thotë se sot nuk është më e varur nga miratimi i të tjerëve dhe se dëshiron mbi të gjitha të gjejë qetësi.
“Sot nuk jetoj më për duartrokitjet e njerëzve. Sigurisht që më pëlqen ende miratimi i tyre, por nuk jam më e varur prej tij”, përfn Ferragni.

