U prezantua si një prej projekteve që do të ndryshonte përfundimisht horizontin e Tiranës: Grand Park Skyline, tre kulla në rrugën “Adem Jashari”, me lartësi deri në 71 kate dhe një hotel luksoz të markës The Plein Hotel. Projekti zhvillohet nga kompania X One sh.p.k., e drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, ndërsa marrëveshja me grupin e Philipp Plein u prezantua publikisht në mars 2025.
Por, përtej prezantimeve luksoze dhe imazheve të kullave, mbeten një sërë pyetjesh për t'u sqaruar. Dokumentet zyrtare tregojnë se leja e zhvillimit u miratua më 31 korrik 2024, ndërsa projekti u përfshi më pas në dokumentet e AZHT-së për procedurën e lejes së ndërtimit. Ndërkohë, në zonën ku parashikohet ndërtimi preken prona dhe ndërtesa ekzistuese, çka e bën të rëndësishme të dihet se çfarë marrëveshjesh janë lidhur me pronarët, cilat janë afatet e tyre dhe çfarë do të ndodhë konkretisht me banorët që preken nga projekti. Këto janë çështje që kërkojnë dokumente dhe përgjigje konkrete, jo vetëm prezantime publike.
Një tjetër pikë që kërkon transparencë është mënyra se si do të financohet dhe zbatohet një projekt i kësaj përmase, si dhe kalendari real i punimeve. Në një publikim të vitit 2025 thuhej se projekti parashikohej të përfnte në vitin 2030, ndërsa sot pyetja kryesore është se sa prej këtij plani është konkretizuar dhe cilat janë afatet e detyrueshme. Grand Park Skyline mund të jetë një projekt i rëndësishëm për zhvillimin urban të Tiranës, por sa më i madh të jetë projekti, aq më e madhe është nevoja për transparencë mbi pronat, marrëveshjet, lejet, financimin dhe afatet. Deri atëherë, mbetet pyetja: kur do të nisë realisht ndërtimi dhe kur do të realizohen premtimet e bëra?

