Edi Rama / Kryeministri flet për largimin, ndërsa përgatit në Tiranë një kandidat jashtë PS-së për të ruajtur interesat, për të dobësuar socialistët dhe penguar lindjen e rivalit që mund t’i marrë partinë... Në një video promovuese të intervistës së tij me Rudina Xhungën, Edi Rama përpiqet të krijojë përshtypjen se po përgatitet për t’u larguar. Pret vetëm pasardhësin e denjë për ta “vrarë” politikisht dhe, siç u shpreh vetë: “Në momentin që unë do të kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”.
Megjithatë, asgjë nuk është siç duket. Edi Rama e ka prodhuar gjithë këtë kaos që kur nisi të përballej me kërkesat për t’u larguar, pikërisht që të mbetej në lojë.
Ai kërkon ta paraqesë veten si zgjidhjen e vetme, në radhë të parë sepse nuk dëshiron t’i lërë në duart e të tjerëve punët që ka nisur. Bëhet fjalë për projektet e mëdha, pas të cilave fshihen interesa milionëshe.
Bashkia e Tiranës përbën shembullin më të qartë të kësaj strategjie. Një vit përpara zgjedhjeve vendore, situata mbetet krejt e paqartë dhe askush nuk e di se kush do të marrë drejtimin e kryeqytetit.
Erion Veliaj, edhe sikur ta mbyllte procesin gjyqësor, gjë që nuk duket se mund të ndodhë shpejt, vështirë se mund të rikandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Fuqia e tij politike nuk mjafton për t’i imponuar PS-së një pasardhës të zgjedhur prej tij, megjithëse mund të ushtrojë ndikim anësor mbi garën.
Deri tani, në qarkullim kanë dalë emrat e Erion Braçes, Ilir Alimehmetit, Florjan Binajt dhe Arlind Qorit. Binaj dhe Qori i kanë shprehur publikisht ambiciet e tyre, Alimehmeti e ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit, ndërsa Braçe ka dhënë sinjale për përfshirjen në garë.
Tre emra vijnë nga hapësira opozitare dhe një nga mazhoranca. Mungon ende kandidati që do të zgjedhë dhe mbështesë Edi Rama për betejën kryesore.
Gjasat tregojnë se Rama mund të nxjerrë një emër jashtë Partisë Socialiste. Zërat që qarkullojnë flasin për një figurë pranë mjediseve të djathta, veçanërisht atyre që kanë lidhje me islamin politik dhe Turqinë.
Nuk duket rastësi që Erion Braçe, në një intervistë, u përplas me një përfaqësues të këtij mjedisi politik për figurën e Qazim Mulletit.
E gjithë panorama ngjan me një skenar të përgatitur për të prodhuar një debat të kontrolluar brenda mazhorancës rreth kandidatit për Tiranën. Rama mund ta lejojë përplasjen, por jo deri në pikën që ajo të përçajë Partinë Socialiste.
Në fund, ai mund të dalë me fabulën e “Besës” dhe të propozojë një emër jopartiak, me pretendimin se kërkon të bashkojë qytetarët dhe të afrojë zërat që kanë dalë në protestë.
Një lëvizje e tillë mund të shkaktojë ndarje brenda PS-së vetëm nëse aty ekziston ende një debat i vërtetë. Deri tani, zërat që janë paraqitur si kundërshtarë të Ramës mbeten margjinalë dhe të menaxhueshëm.
Me një thirrje nën armë, Rama shpreson ta mbledhë përsëri elektoratin socialist, duke përdorur gogolin e Sali Berishës, Albin Kurtit dhe të gjithë atyre që, sipas propagandës së tij, kërkojnë destabilizimin e vendit.
Ideja e Ramës është e thjeshtë: në qiellin e politikës së majtë nuk duhet të lindë pasardhësi që mund ta “vrasë” politikisht.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës zotëron të gjitha mundësitë për t’u kthyer në pretendent për drejtimin e PS-së. Asnjë kryebashkiak tjetër nuk i plotëson në të njëjtën masë kushtet për t’u shndërruar në një “vrasës të babait”. Goditja ndaj Erion Veliajt shërbeu edhe si paralajmërim për çdo figurë që mund ta mendonte këtë rrugë.
Çfarë synon Rama duke propozuar për PS-në një kandidat me profil të djathtë?
Së pari, kërkon të ruajë ndikimin mbi fushën e interesave që kontrollon Bashkia e Tiranës. Për këtë kandidat mund të vërë në lëvizje gjithë artilerinë e biznesit. Së dyti, synon ta dobësojë Partinë Socialiste deri në atë pikë sa ajo të mos ketë më fuqi për ta kundërshtuar modelin e tij.
Rama mund të shpikë edhe një lëvizje të re politike, që të shërbejë si antitrup ndaj goditjeve që i kanë ardhur nga e majta përmes Revolucionit të Flamingove.
Sot ai nuk ruan më tiparet e një lideri të majtë. Partnerët e tij më të afërt politikë janë populistë dhe përfaqësues të së djathtës, nga Giorgia Meloni dhe Viktor Orbán te Kyriakos Mitsotakis dhe Recep Tayyip Erdoğan.
Plani duket i përgatitur me kujdes. Kandidati do të shitet si propozim novator, publik, jashtë strukturës së pushtetit dhe si aktivist civil që ka punuar në shërbim të qytetarëve. Propaganda mund të theksojë se ai nuk ka marrë tenderë publikë, duke heshtur për lidhjet e forta me mazhorancën.
Rama do të përpiqet t’i dobësojë grupimet protestuese, t’u heqë armën e epërsisë morale dhe t’i paraqesë si njerëz që kërkojnë vetëm pushtet. Kandidati i tij për Tiranën do të shfaqet si “outsider”, si njeri i familjes dhe i shoqërisë civile. Ka shumë gjasa të përdorë edhe parulla populiste për frenimin e ndërtimeve, administrimin e pronave, strehimin dhe shërbimet publike.
Kjo skemë po gatuhet prej kohësh dhe lidhet me oligarkë që zotërojnë para, ndikim dhe interesa të drejtpërdrejta në kryeqytet. Ata mund ta financojnë ngjitjen e një kandidati të tillë për të ruajtur kontrollin mbi thesarin që përfaqëson Bashkia e Tiranës.
Rama rrezikon vetëm nëse përballë kandidatit të tij del dikush që ia çjerr maskën skemës, bashkon elektoratin kundërshtar dhe paraqet një projekt të qartë politik për qytetin.
Edhe humbja e kandidatit të zgjedhur prej tij nuk do ta dëmtonte domosdoshmërisht Ramën. Ajo mund ta forconte brenda PS-së, megjithëse Bashkia e Tiranës përbën zakonisht prologun e fitores kombëtare.
Një kryebashkiak i Tiranës që vjen nga jashtë PS-së, qoftë “outsider” apo kundërshtar politik, mund të kthehet në një negociator më të përshtatshëm për Ramën gjatë periudhës së largimit. Rreziku i vërtetë do të ishte një socialist i dalë nga brenda, i aftë të trashëgonte partinë dhe të vriste politikisht atin e vet.
Një figurë e tillë ende nuk ka lindur.
Edhe Erion Veliajn, megjithëse nuk ishte bërë ende “vrasës i babait”, Rama e eliminoi me një metodë tipike autokratike që në djepin e tij politik. Me të njëjtën goditje u tregoi edhe të tjerëve se çfarë i pret nëse guxojnë të mendojnë për pasardhësin./Pamfletibashkia e tiranës edi rama pasardhësi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike “Non-grata çështje e mbyllur”, Berisha sulmon Blinken dhe Yuri Kim nga Nju Xhersi: Kush na tregoi barin, sot është pa punë! 6 Shtator 2026, 19:2019:20Politike “Rama sillet si tiran ndaj protestuesve”, Berisha thirrje diasporës: Bashkohuni me revoltën qytetare 6 Shtator 2026, 18:3718:37Politike Pse Edi Rama hapi nga Cernobbio kutinë e Pandorës së mineraleve? 6 Shtator 2026, 11:5711:57Politike Ngërçi për pagat e magjistratëve, reagon Rama: Secili institucion në vendin e vet 6 Shtator 2026, 11:5211:52Politike "Ishte një talent politik, por nuk e mbajti dot peshën", Rama: Nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës 6 Shtator 2026, 10:2510:25Politike Rama sulmon SPAK: Nuk jam shitësi i Shqipërisë, askush nuk po e blen ishullin e Sazanit 6 Shtator 2026, 08:5008:50Politike

