Albin Kurti ka dhënë një deklaratë për mediat pas ndërprejes së seancën në Kuvendin e Kosovës e cila u shoqërua me tensione dhe ai u godit me vezë. Kurti është shprehur se nuk dëshiron një palë zgjedhje të tjera, duke u bërë thirrje partive të takohen dhe të arrijnë një marrëveshje.
Sipas Kurtit, përsëritja e zgjedhjeve nuk ka vlerë as për popullin dhe as për buxhetin e shtetit.
“Kryesuesi e ka thirrur vazhdimin e seancës dhe unë jam përgjigjur. Edhe kur të na thërrasë prapë, unë do të përgjigjem.
Së pari, unë nuk kam kërkuar që të votojmë një president tonin. Ne nuk insistojmë që Konjufca të jetë president. Përkundrazi, ai e ka tërhequr kandidaturën e vet për t’i dhënë shans një tjetër kandidati nga populli.
Ne po themi që të gjejmë dikë gjithëpërfshirës për president. Unë jam i gatshëm dhe i interesuar për takime dhe bashkëbisedime që sjellin marrëveshje një orë e më parë. Ne nuk kemi ndërmjetës në komunikim.
Kemi nevojë për takime, për marrëveshje, në mënyrë që kur të vijmë sërish këtu pas pak muajsh, të mos vijmë në një seancë për zgjedhjen e presidentit, ku dy kolonat e deputetëve të tjerë janë të zbrazura.
Duhet të evitojmë zgjedhje të reja. Unë po kërkoj marrëveshje politike për një president pas dy muajsh. Pas 60 ditësh e kemi presidentin, çfarë të bëjmë?
Dihet tani, me metodën e njëjtë nuk mund të presim rezultate të tjera. I bëj thirrje partive të takohemi dhe të merremi vesh, sepse nuk ia vlen, as për buxhetin, as për shtetin dhe as për popullin, përsëritja e zgjedhjeve.
Çfarë kuptimi ka të përsërisim zgjedhjet kur programi dhe njerëzit janë të njëjtë? Kemi kohë, por duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, u shpreh Kurti. Top Channel

