Lajme Zone
Çfarë do të ndodhte nëse ekstremi i djathtë fiton në Gjermani? Nga deportimet e azilkërkuesve te afrimi me Rusinë, ky është programi me të cilin AFD synon pushtetin
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Çfarë do të ndodhte nëse ekstremi i djathtë fiton në Gjermani? Nga deportimet e azilkërkuesve te afrimi me Rusinë, ky është programi me të cilin AFD synon pushtetin

Me partinë që kryeson bindshëm në sondazhe, Ulrich Siegmund synon të formojë një qeveri vetëm me AfD-në dhe ta kthejë Saksoni-Anhalt në modelin e parë të qeverisjes së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani

Çfarë do të ndodhte nëse ekstremi i djathtë do të merrte pushtetin në një land gjerman? Për Ulrich Siegmund, kandidatin e Alternativës për Gjermaninë (AfD) për kryeministër të Saksoni-Anhalt, kjo nuk është më thjesht një ambicie politike. Me partinë që kryeson bindshëm në sondazhe, ai synon të formojë një qeveri vetëm me AfD-në dhe ta kthejë Saksoni-Anhalt në modelin e parë të qeverisjes së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani. Por çfarë do të ndryshonte nëse kjo do të ndodhte? Deutsche Welle ka analizuar programin qeverisës të AfD-së dhe masat që partia premton të zbatojë. Një nga shtyllat kryesore të programit është emigracioni. Premtimi i AfD-së është "deportim që në minutën e parë", me synimin për të larguar sa më shumë emigrantë pa leje qëndrimi. Programi parashikon zgjerimin e qendrave të paraburgimit për personat që presin dëbimin, vendosjen e punës së detyrueshme për azilkërkuesit dhe ndërprerjen e financimeve publike për programet e integrimit, të cilat partia i cilëson si "industri e azilit". Gjithashtu propozohet krijimi i një "Task Force për Remigrimin", që do të koordinojë politikat e azilit në nivel rajonal. Megjithatë, Deutsche Welle vëren se mbetet e paqartë sa prej këtyre masave mund të zbatohen, pasi shumë kompetenca i përkasin qeverisë federale dhe disa prej tyre mund të bien ndesh me ligjin evropian dhe atë ndërkombëtar. LEXO edhe...Gjermania akuzoi Rusinë për sulmin në aeroport, Moska mbyll qendrat e Institutit Goethe AfD kërkon gjithashtu një "kthesë 180 gradë" në politikën e migracionit dhe uljen e numrit të emigrantëve në Saksoni-Anhalt. Por landi përballet prej vitesh me mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarve. Zgjidhja që propozon partia është rikthimi i gjermanëve që jetojnë jashtë vendit, përmes një programi që do t'u ofronte ndihmë për strehim dhe për gjetjen e vendeve në kopshte për fëmijët. Artikulli thekson se nuk bëhet e ditur se sa persona pritet të përfitojnë apo sa do të kushtojë kjo nismë. Ndërkohë, ekonomistë paralajmërojnë se një qeveri e AfD-së mund ta përkeqësojë mungesën e specialistëve, pasi profesionistët e kualifikuar mund të zgjedhin rajone të tjera nëse ndihen të padëshiruar. Në program gjen vend edhe siguria. AfD argumenton se policia është e mbingarkuar dhe propozon krijimin e patrullave vullnetare qytetare si "shtylla e tretë" e sistemit të sigurisë. Por juristë dhe ekspertë të kriminologjisë paralajmërojnë se grupe të tilla do të funksiononin si forma vetëgjyqësie. Sipas tyre, vetëm policia ka të drejtën të përdorë forcën dhe patrulla të tilla mund të rrisin ndjenjën e pasigurisë te qytetarët, në vend që ta ulin atë. Programi prek edhe arsimin dhe kulturën. AfD kërkon që fëmijët dhe të rinjtë pa leje të përhershme qëndrimi të mos ndjekin shkollat e zakonshme. Partia synon të ndryshojë mënyrën se si mësohet historia e Gjermanisë, duke e cilësuar qasjen aktuale ndaj krimeve të periudhës naziste si "vazhdimësi të një kompleksi faji". Në të njëjtën kohë propozon ndalimin e flamujve ylber në shkolla, e cilëson arkitekturën Bauhaus si "tepër globaliste" dhe kërkon ndërprerjen e financimeve për projektet që promovojnë demokracinë dhe diversitetin. Edhe pse qeveritë rajonale nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në politikën e jashtme, AfD kërkon afrimin me Rusinë, heqjen e sanksioneve dhe zgjerimin e mësimit të gjuhës ruse në shkolla. Për refugjatët ukrainas, partia flet për një "ofensivë kthimi", megjithëse dëbimi i tyre rregullohet nga politika federale dhe jo nga një land. Sipas Deutsche Welle, shumë prej këtyre propozimeve mund të mos jenë të zbatueshme në praktikë, por një fitore e AfD-së në Saksoni-Anhalt do t'i jepte partisë një peshë shumë më të madhe në debatin politik gjerman. U.D/ReportTv.al gjermani AfD Ulrich Siegmund Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.7% Të gabuar 21.2% Nuk e di 4.2% Vota total: 3666 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?