Lajme Zone
Cërriku kundër ndarjes së re territoriale/ Nis firmosja e peticionit: “Bashkia të mbetet më vete”
PolitikëBalkanWeb

Cërriku kundër ndarjes së re territoriale/ Nis firmosja e peticionit: “Bashkia të mbetet më vete”

Në qytetin e Cërrikut ka nisur firmosja e një peticioni kundër propozimit për ndarjen e re administrativo-territoriale. Banorë të qytetit dhe zonave përreth janë shprehur kundër bashkimit të Cërrikut me Bashkinë Elbasan, duke kërkuar që Cërriku të vijojë të funksionojë si bashki më vete.

Në qytetin e Cërrikut ka nisur firmosja e një peticioni kundër propozimit për ndarjen e re administrativo-territoriale. Banorë të qytetit dhe zonave përreth janë shprehur kundër bashkimit të Cërrikut me Bashkinë Elbasan, duke kërkuar që Cërriku të vijojë të funksionojë si bashki më vete. Nisma është ndërmarrë nga organizatorë dhe qytetarë që kundërshtojnë ndryshimin e propozuar të hartës administrative. Sipas tyre, bashkimi me Elbasanin do të largonte shërbimet dhe vendimmarrjen nga qytetarët e Cërrikut, ndërsa ruajtja e bashkisë do të garantonte, sipas tyre, një përfaqësim më të drejtpërdrejtë dhe administrim më pranë komunitetit. Firmosja e peticionit ka nisur në qytet dhe pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me synimin për të mbledhur sa më shumë mbështetje nga banorët. Organizatorët bëjnë me dije se dokumenti, pasi të përfjë procesi i mbledhjes së firmave, do t’u përcillet institucioneve vendase, por edhe institucioneve ndërkombëtare, si pjesë e përpjekjes për të kundërshtuar ndryshimin e propozuar territorial. Banorët shprehen se Cërriku ka nevojë të ruajë identitetin dhe strukturën e tij administrative, ndërsa kundërshtojnë përfshirjen në një bashki më të madhe.

Propozimi për ndryshimin e hartës administrativo-territoriale ka hapur debat edhe në zona të tjera të Qarkut të Elbasanit. Në këtë qark, propozimi i mazhorancës parashikon ndryshime në tre bashki: Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin, ndërsa Prrenjasi propozohet të bashkohet me Librazhdin. Propozimi ka hasur kundërshtime nga banorë të këtyre bashkive. Në Cërrik, Belsh dhe Prrenjas janë zhvilluar organizime qytetare dhe nisma kundërshtuese, ndërsa qytetarët kanë kërkuar që zëri i komuniteteve të merret në konsideratë përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Për banorët e Cërrikut, çështja nuk lidhet vetëm me kufijtë administrativë, por edhe me mënyrën se si do të ofrohen shërbimet publike, sa pranë qytetarëve do të jetë administrata dhe çfarë ndikimi do të ketë bashkimi i propozuar në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.

Ndërkohë, në kuadër të procesit të konsultimit për ndarjen e re administrativo-territoriale, tashmë kanë nisur edhe dëgjesat me qytetarët. Bashkitë po zhvillojnë takime me komunitetet për të marrë qëndrimet dhe propozimet e tyre lidhur me ndryshimet e mundshme.

Kundërshtimet e shfaqura në Cërrik, Belsh dhe Prrenjas tregojnë se propozimi për riformatimin e hartës së njësive vendore në Qarkun e Elbasanit po shoqërohet me debat të fortë në nivel lokal.

Banorët e Cërrikut thonë se do të vijojnë firmosjen e peticionit dhe kërkojnë që kërkesa e tyre për ruajtjen e Bashkisë Cërrik të merret në konsideratë gjatë procesit të konsultimit dhe vendimmarrjes.

Në pritje të përfundimit të dëgjesave dhe konsultimeve publike, kundërshtimi qytetar në Cërrik pritet të vijojë, ndërsa peticioni do të shërbejë si një tjetër formë e shprehjes së qëndrimit të komunitetit kundër bashkimit të propozuar me Elbasanin. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb