Pasi GJKKO i ka mbyllur përfundimisht dyert për mediat me vendimin e fundit të kryetarit Erion Bani, duke shënuar një akt të paprecedentë në marrëdhëniet e gjyqësorit me mediat, avokati Plarent Ndreca i ka drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë një Memorandum, ku kërkon kundërshtimin e vendimit. Në memorandum kërkohet ekzaktësissht pezullimi i Udhëzimit nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së GJKKO-së. Sipas memorandumit, këto akte administrative tejkalojnë kompetencat e organeve që i kanë miratuar dhe cenojnë parime kushtetuese, si publiciteti i gjykimit, pavarësia e avokatit dhe funksioni gjyqësor. LEXO EDHE:GJKKO censuron mediat, Federata Evropiane e Gazetarëve për Report Tv: Ndër regjimet më kufizuese! Nëse nuk tërhiqen nga rregullorja e re, ankohemi në KiE Ndreca argumenton se kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj dhe jo përmes akteve administrative. Në dokument i kërkohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërmarrë veprime institucionale dhe gjyqësore për konstatimin e pavlefshmërisë së këtyre akteve, si edhe të garantojë mbështetje për avokatët e prekur nga zbatimi i tyre. Memorandumi përfn me thirrjen për një rishikim të plotë të standardeve që rregullojnë publicitetin e gjykimit dhe ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Dokumenti i plotë: MEMORANDUM NR. 2 Mbi Udhëzimin nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Rregulloren e Sigurisë së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) DREJTUAR: Prof. Dr. Maksim HAXHIA KRYETAR I DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË NGA: Av. Plarent NDRECA I nderuar Kryetar Haxhia, Të nderuar kolegë, anëtarë të organeve drejtuese të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Në Memorandumin nr. 1 kam tërhequr vëmendjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë se, përmes praktikës së vendosjes së gjobave administrative ndaj avokatëve nga Gjykata e Posaçme, po konsolidohej një standard i ri që cenonte pavarësinë e profesionit të avokatit, barazinë e armëve dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Fatkeqësisht, ajo që në fillim paraqitej si një praktikë gjyqësore problematike, sot është institucionalizuar përmes akteve administrative me karakter normativ. Fillimisht kjo u bë me Udhëzimin nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa tashmë edhe me Rregulloren e re të Sigurisë së Gjykatës së Posaçme, e cila jo vetëm e ka përqafuar këtë model administrativ, por e ka zgjeruar dhe institucionalizuar edhe më tej. Sipas vlerësimit tim, këto dy akte nuk mund dhe nuk duhet të analizohen veçmas. Rregullorja e GJKKO-së nuk përbën një akt të izoluar, por është vazhdim dhe zbatim i drejtpërdrejtë i modelit normativ të krijuar nga Udhëzimi nr. 716/2023 i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Të dy aktet ndërtojnë një regjim administrativ i cili, nën emërtimin e administrimit të sigurisë dhe të marrëdhënieve me publikun, synon të rregullojë publicitetin e gjykimit, marrëdhëniet me median, ushtrimin e profesionit të avokatit, zhvillimin e seancës gjyqësore dhe vetë ushtrimin e funksionit gjyqësor. Pikërisht mbi këtë bazë, analiza ime juridike arrin në përfundimin se si Udhëzimi nr. 716, datë 06.12.2023, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ashtu edhe Rregullorja e Sigurisë së GJKKO-së paraqesin shkelje serioze kushtetuese dhe ligjore, të cilat justifikojnë kundërshtimin e tyre në rrugë institucionale dhe gjyqësore. Thelbi i problemit qëndron në faktin se kufizime, të cilat ligjvënësi nuk i ka parashikuar me ligj, po krijohen gradualisht përmes akteve administrative të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe të administratës së gjykatave. Konkretisht: Së pari, këto akte janë nxjerrë në mungesë të kompetencës për të rregulluar fusha që Kushtetuta dhe ligji ia rezervojnë ligjit dhe funksionit gjyqësor. KLGJ-ja është organ i qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe jo organ që ushtron funksionin kushtetues të dhënies së drejtësisë. Për këtë arsye, ajo mund të miratojë standarde organizative ose teknike për administrimin e gjykatave si institucione, por nuk mund të krijojë kufizime të reja lidhur me publicitetin e gjykimit, marrëdhëniet e trupit gjykues me median, filmimin apo transmetimin e seancave gjyqësore. Në të njëjtën mënyrë, Këshilli i Gjykatës, sipas nenit 38 të ligjit nr. 98/2016, mund të miratojë vetëm rregulla për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së gjykatës, por jo të krijojë një regjim procedural që rregullon ushtrimin e profesionit të avokatit, të drejtat e medias, zhvillimin e seancës gjyqësore apo kompetencat e trupit gjykues. Së dyti, të dy aktet cenojnë rezervën kushtetuese të ligjit. Nenet 17, 22 dhe 23 të Kushtetutës kërkojnë që çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, të drejtën e informimit dhe publicitetin e gjykimit, të vendoset vetëm me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të respektojë parimin e proporcionalitetit. As KLGJ-ja dhe as Këshilli i Gjykatës nuk mund të krijojnë, përmes akteve administrative, kufizime që ligjvënësi nuk i ka autorizuar shprehimisht. Së treti, këto akte përmbysin parimin kushtetues të publicitetit të gjykimit. Neni 5 i ligjit nr. 98/2016 dhe nenet 339 e 340 të Kodit të Procedurës Penale e trajtojnë publicitetin si rregull, ndërsa kufizimin e tij si përjashtim, vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga ligji. Udhëzimi i KLGJ-së dhe Rregullorja e GJKKO-së e përmbysin këtë raport, duke e shndërruar publicitetin nga një garanci kushtetuese në një regjim autorizimi, kontrolli dhe vendimmarrjeje administrative. Së katërti, ato ndërhyjnë drejtpërdrejt në ushtrimin e funksionit gjyqësor. Në momentin që një akt administrativ fillon të përcaktojë mënyrën e zhvillimit të seancës, praninë e medias dhe të publikut, zhvillimin e gjykimeve hibride, përdorimin e mjeteve të punës së avokatit apo administrimin procedural të gjykimit, ai nuk administron më gjykatën si institucion, por ndërhyn në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit si dhënës i drejtësisë. Një ndërhyrje e tillë bie ndesh me nenet 42 dhe 145 të Kushtetutës dhe cenon ndarjen ndërmjet funksionit administrativ dhe atij gjyqësor, duke prekur drejtpërdrejt pavarësinë individuale të gjyqtarit. Së fundi, të dy aktet cenojnë regjimin kushtetues të akteve normative. Nëse konsiderohen akte të brendshme administrative, ato nuk mund të prodhojnë efekte juridike ndaj të tretëve. Nëse synojnë të krijojnë detyrime për median, avokatët, publikun ose palët në proces, atëherë duhet të mbështeten në një autorizim të shprehur ligjor, të respektojnë kufijtë e delegimit dhe t'i nënshtrohen regjimit kushtetues të hyrjes në fuqi dhe publikimit të akteve normative. Ato nuk mund të zbatohen si burime autonome kufizimesh ndaj të drejtave kushtetuese. Pikërisht këto shkelje të ndërthurura — mungesa e kompetencës materiale, cenimi i rezervës kushtetuese, ndërhyrja në të drejtat dhe liritë themelore, cenimi i pavarësisë së gjyqtarit dhe shmangia e regjimit kushtetues të akteve normative — e nxjerrin këtë çështje përtej debatit të zakonshëm mbi ligjshmërinë administrative dhe e vendosin në planin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve. Kjo problematikë nuk ka lindur me miratimin e Rregullores së GJKKO-së. Ajo është paralajmëruar prej kohësh në kërkesat që i kam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku kam argumentuar se neni 14 i Vendimit nr. 716, datë 06.12.2023, krijonte një bazë normative të papajtueshme me Kushtetutën për kufizimin administrativ të publicitetit të gjykimit. Modeli kufizues i krijuar nga KLGJ-ja është marrë si bazë, është zgjeruar përtej kufijve të tij fillestarë dhe është institucionalizuar në mënyrë edhe më të thellë nga administrata e Gjykatës së Posaçme. Nëse ky model pranohet, ai nesër mund të replikohet në çdo gjykatë të Republikës së Shqipërisë, duke e shndërruar një praktikë të paligjshme në një standard administrativ të funksionimit të sistemit gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, dhe në përputhje me misionin që ligji i ngarkon për mbrojtjen e pavarësisë dhe lirisë së profesionit të avokatit, vlerësoj se Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të ndërmarrë këto veprime institucionale: • të mbajë një qëndrim publik institucional mbi antikushtetutshmërinë e Udhëzimit nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së Gjykatës së Posaçme; • t'i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Posaçme ndryshimin e menjëhershëm të dispozitave që cenojnë pavarësinë e avokatit, të gjyqtarit dhe të medias, si edhe publicitetin e gjykimit; • të ushtrojë të drejtën e saj për ngritjen e padisë administrative me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve, si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tyre; • të garantojë mbështetje institucionale për çdo avokat ndaj të cilit merren masa në zbatim të këtyre akteve, duke ndërhyrë në çdo procedurë administrative ose gjyqësore ku cenohen pavarësia dhe liria e ushtrimit të profesionit të avokatit; • të iniciojë një tryezë të përbashkët institucionale me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, organizatat e medias dhe partnerët ndërkombëtarë për rishikimin e plotë të standardeve që rregullojnë publicitetin e gjykimit dhe ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e Këshillit të Evropës. I nderuar Kryetar, Të nderuar kolegë, Askush nuk vë në diskutim detyrimin e shtetit për të garantuar sigurinë e gjykatave dhe të çdo institucioni tjetër publik. Megjithatë, siguria nuk mund të shndërrohet në një burim autonom kompetencash për administratën e gjykatës dhe as të përdoret si justifikim për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore. Rendi kushtetues shqiptar mbështetet në parimin se të drejtat dhe liritë themelore përbëjnë themelin e shtetit të së drejtës dhe se çdo kufizim i tyre mund të vendoset vetëm me ligj, në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës. Kur vetë administrata e gjykatës tejkalon kompetencat e saj dhe ndërhyn në fusha të rezervuara Kushtetutës, ligjit dhe funksionit gjyqësor, reagimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë nuk është vetëm një e drejtë, por një detyrim ligjor dhe profesional ndaj kolegëve avokatë, ndaj qytetarëve që kanë të drejtë për një mbrojtje efektive dhe ndaj vetë shtetit të së drejtës. Me konsideratë të lartë, Av. Plarent NDRECA Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë R.Xh/Shqiptarja.com TAG: rregullorja e GJKKO Plarent Ndreca GJKKO censura Erion Bani Dhoma Kombëtare e Avokatisë Komente Komento Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 57.2% 100 bashki (PD) 16.1% 61 bashki (si sot) 26.7% Vota total: 6286 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?
