Klerikët sharlatanë të Ramës; nga llomotitja e përditshme te agresioni anti-shqiptar... Edi Rama i ka llastuar e dorovitur ndër vite klerikët e islamit politik, duke i futur në system. Këta predikues të rremë nuk qëndrojnë pranë të varfërve e të droguarve si Don Antonio Mazzi apo Nënë Tereza, por shajnë Rilindasit, Gjergj Kastriotin dhe simbolet kombëtare, duke bërë politikë të pastër agresive anti-europiane. Qeveria bëri bujë dje me shpalljen ‘non- grata’ të dy shtetasve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Ata janë Valon Bela dhe Bekir Halimi. Të dy personazhe që i përkasin islamit politik, mjaft aktivë në hapësirën publike digjitale shqiptare me propagandën e tyre.
A janë realisht një kërcënim për shtetin shqiptar këto dy personazhe, kjo duhet parë me imtësi se kush është akuza që ministri Lamallari ka përdorur, për t'i konsideruar të padëshirueshëm.
Megjithatë problemi nuk është tek këta dy personazhe në dukje tragjiko-komikë, por me fenomenin e përmbytjes së hapësirës publike dhe politike nga klerikë e të ashtuquajtur aktivistë religjiozë në mjedisin shqiptar.
Hoxha i sanksionuar është njëri nga jo të paktët klerikë që përsërisin në hapësirat digjitale predikimet propagandistike të rrymave më radikale të fanatizmit islam.
Të cilat, në aktivitetin e tyre në territoret shqiptare, nuk merren thjesht me përcjelljen e mesazhit të Zotit nëpërmjet librave të shenjtë muslimanë, por bëjnë politikë të pastër e agresive ndaj identitetit kombëtar shqiptar.
Janë këta klerikë, apo "publicistë", që prej vitit 1990 nuk ndalojnë së sulmuari egërsisht shtyllat kombëtare dhe simbolet e saj. Ku që nga Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, apo të gjithë korifejtë e Rilindjes Kombëtare përbuzen dhe fyhen masivisht, pasi sipas tyre na larguan nga Perandoria Osmane, të cilën këta e duan aq fort.
Kjo veprimtari, e pandërprerë dhe agresive, përveçse ka radikalizuar më shumë fanatikët, nuk ka ndikuar fare në shumicën e opinionit të shqiptarëve nga të gjitha trevat. Të cilët i shikojnë këto qëndrime si qoshe të mykura e të importuara nga larg qendrës sonë gravitacionale, që është Europa dhe qytetërimi Perëndimor.
Megjithatë, fakt është se këto personazhe nuk janë krejt të izoluar, por pjesë e një mekanizmi dhe strukture që vjen në territoret tona me financime të mëdha. Madje edhe me investime e biznese që më pas përdoren pikërisht për të mbajtur këto ingranazhe anti-shqiptare dhe anti-europiane.
Një prej të sanksionuarve, Valon Bela, që e konsideron veten publicist, është një biznesmen që vepron në Tiranë e Prishtinë në tregun e pasurive të paluajtshme, duke qarkulluar paratë e organizatave "bamirëse", pjesë e këtij rrjeti.
Këto grupe, dhe nuk bëhet vetëm për këta individë, Edi Rama i ka llastuar ndër vite, duke bërë si një dashamirës i islamit dhe arabëve, natyrisht për interesa politike, pasi ka përdorur votat e fanatikëve, si dhe ka zbatuar fermanet e Erdoganit.
Shteti shqiptar ka detyrim të mbrojë dhe ndihmojë komunitetet fetare të vendit, përkatësisht Komunitetin Musliman, nga agresioni i vazhdueshëm, e të mos promovojë rrymat radikale, ekstremiste e anti-shqiptare.
Këta klerikë sharlatanë, që në disa raste shfaqen me mjekër talebanesh e në ca të tjera të xhelozuar e veshur firmato, nuk janë gjë tjetër veçse predikues të rremë. Flasin për gjithçka, që nga erosi e marrëdhëniet bashkëshortore, por nuk merren me misionin njerëzor që njerëzit e fesë duhet të kryejnë.
Këto ditë, në vendin tonë fqinj, Italinë, ndërroi jetë një personazh shumë popullor atje, Don Antonio Mazzi, një klerik mjaft i njohur nga shqiptarët edhe në emisionet e famshme të RAI, që nga Domenica In, por edhe në programe të tjera.
Don Mazzi, i cili si klerik kishte spaletat me grada të larta si pasojë e shkollimit e karrierës, por aktiviteti i tij ishte tek njerëzit më të brishtë.
Në vitet '80 të shekullit të shkuar, Don Mazzi la dioqezën e tij në Duomo të Milanos dhe u vendos në pyjet përreth Veronës, ku kishin gjetur "strehë" viktimat e një plage të rëndë siç ishte përdorimi i heroinës dhe drogave të tjera të rënda.
Don Mazzi ndërtoi një kasolle druri në pyll dhe qëndroi me vite pranë djemve e vajzave, duke i ndihmuar të dalin nga errësira e një jete të shkatërruar. Së bashku me kolegë e mjaft të rinj që i afroi si vullnetarë, ai shpëtoi mijëra të rinj dhe krijoi një model për t'u përdorur në gjithë Italinë, për të rehabilituar të varurit ndaj drogave.
E nderoi në lamtumirën e fundit gjithë Italia, por në veçanti "armata" e atyre që kleriku kishte rikthyer në jetë, të cilët në shumicë sot ishin baballarë e gjyshër. Duke vajtuar shpëtimtarin, shumë flisnin në media se pranë tyre nuk kishte qenë thjesht një njeri i mirë, por një engjëll i vërtetë, i cili kishte përcjellë mesazhin hyjnor. Pasi feja në të vërtetë për këtë duhet të shërbejë: të ndihmojë shpirtrat nga trazimi dhe joshja prej së keqes dhe diabolikes.
Si ka mundësi që asnjë prej klerikëve tanë, të të gjitha religjioneve, ne i shikojmë non stop në rrjete sociale e në të gjithë panelet televizive, por asnjëherë pranë atyre që kanë shumë nevojë?
Nënë Tereza, që këta sharlatanë mallkojnë nga zilia dhe inati, nuk dilte në media, por qëndronte vetëm pranë lebrozëve dhe të varfërve, duke i mjekuar, ushqyer e pastruar. Ajo vepër e bëri të famshme, të respektuar e në fund shenjtore. Pse këta klerikë nuk bëjnë as 10% të veprës së saj, por llomotisin gjithë ditën më keq se gjithologët?
Në realitet llomotisin sepse janë kthyer në rekuizitë të sistemit që ka ngritur Edi Rama, me hipokrizinë dhe propagandën që lustron politikën, por jo dhimbjet e njerëzimit./Pamfletiklerikët sharlatanë të edi ramës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Grida Duma nxjerr prapaskenat e largimit: Berisha e ktheu PD-në në luftë me vetveten 5 Gusht 2026, 07:4007:40Politike “SPAK do të trokasë te dera e Edi Ramës”, Kapri: Reforma territoriale, hile për të kapur 90% të pushtetit 4 Gusht 2026, 15:0415:04Politike Zhupa kritikon draftin e PS për reformën territoriale: Suksesi i bashkive nuk matet me lejet e ndërtimit 4 Gusht 2026, 14:1614:16Politike Rama me pushime në Dhërmi, dalin pamjet e kryeministrit me skaf në det (Foto+Video) 4 Gusht 2026, 12:5512:55Politike Kriza e migracionit: “Modeli shqiptar” i Melonit, një dështim 670 milionë eurosh 4 Gusht 2026, 12:0712:07Politike “Paratë e pista po helmojnë konkurrencën”, Tabaku: Industria fason në krizë, qeveria po rrezikon mijëra vende pune 4 Gusht 2026, 11:0711:07Politike

