Elisa Spiropali / Elisa Spiropali nuk po lufton Edi Ramën, por po i dërgon sinjale. Nuk po kërkon një “Marrëveshje të Re” për Shqipërinë, por një marrëveshje të re për veten. Pak ditë pas publikimit në media të një incidenti që lidhej me bashkëshortin e saj, Elisa Spiropali u tërbua deri në shpërfytyrim gjatë një fjalimi në Kuvend.
Sipas raportimeve mediatike, Salarjon Totaj, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, u paraqit në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës pas një kallëzimi për kanosje nga një punonjëse e administratës tatimore.
Një kallëzim përbën një akt procedural që mund t’i ndodhë çdo qytetari të Republikës. Ai nuk provon fajësi, nuk përbën dënim dhe nuk e bën automatikisht të kallëzuarin përgjegjës për veprën që pretendon kallëzuesi.
Në fashikujt e policisë depozitohen çdo ditë kallëzime dhe ankesa për zhurma në komplekset e banimit, dëmtim të mjedisit, konflikte, kërcënime, parkime dhe përplasje që organet ligjzbatuese shpesh i klasifikojnë si ngjarje me “motive të dobëta”.
Një rast i tillë i ndodhi edhe familjarit të një prej zyrtareve më të rëndësishme të viteve të fundit.
Po ku qëndron problemi këtu?
Kështu mund të pyeste edhe një ish-homologe e Spiropalit, e nderuar dikur, njëlloj si Elisa, me dekoratën politike “Bleta Punëtore”, e cila, pasi e hëngri livadhin e Edi Ramës, u kthye në një nga kundërshtaret e tij më të forta.
Çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit. Nëse çështja që lidhet me Salarjon Totajn nuk mbështetet në prova, policia dhe prokuroria duhet ta mbyllin sipas ligjit, njësoj siç duhet të veprojnë për çdo qytetar tjetër.
Atëherë, përse Elisa Spiropali u stresua në Kuvend dhe kërcënoi se do të bëhej nami nëse dikush i prekte familjen?
Kur nuk ke pula, thotë proverbi, nuk ke nevojë të bësh “ish”.
Një politikan, zyrtar ose përfaqësues i zgjedhur përfiton favore të mëdha nga ekspozimi publik. Pushteti i jep autoritet, privilegje, ndikim dhe një standard jetese që shumica e qytetarëve nuk e ka.
Por ekspozimi sjell edhe kufizime. Publiku vëzhgon jetën politike, pasurinë, konfliktet e interesit dhe sjelljen publike të zyrtarit. Kur çështja prek ligjin ose përdorimin e pushtetit, vëmendja shtrihet në mënyrë të pashmangshme edhe te rrethi familjar.
Miliona sy dhe veshë vëzhgojnë figurat publike. Teknologjia e sotme e shumëfishon këtë kontroll.
Por nëse nuk ke skelete në dollap, nuk ke arsye të trembesh.
Edhe një ngjarje e pakëndshme, si paraqitja në polici, mund të kthehet në favor publik. Një zyrtar mund ta përdorë për të treguar se respekton institucionet, nuk kërkon trajtim të privilegjuar dhe nuk ka asgjë për të fshehur.
Nëse dikush e ka sajuar kallëzimin për të dëmtuar imazhin e familjes së Spiropalit, kjo duhet t’i japë asaj edhe më shumë arsye të kërkojë transparencë. E vërteta mbrohet me dokumente, dëshmi dhe respekt për procedurën, jo me kërcënime nga foltorja e Kuvendit.
Në çdo demokraci perëndimore, njerëzit më të rëndësishëm të politikës, financës, drejtësisë, spektaklit dhe sportit përballen me kontroll më të madh nga ligji dhe institucionet që e zbatojnë atë.
Mjafton të nisemi nga Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, dhe të vazhdojmë me dhjetëra drejtues, ish-presidentë, ministra, miliarderë dhe personazhe publikë.
Në një demokraci, procedura ligjore nuk përbën automatikisht persekutim. Shumë figura publike e kthejnë përballjen me ligjin në pjesë të strategjisë së tyre politike, të mbijetesës dhe të forcimit publik.
Kjo përballje pasuron edhe jetën publike. Ajo forcon shtetin ligjor, ushqen debatin dhe vë në lëvizje një industri të tërë shërbimesh, nga avokatët dhe kancelaritë juridike te ekspertët, hetuesit, mediat dhe analistët.
Kontrolli i ligjit qëndron si një gjyle e përhershme në këmbën e një politikani gjatë gjithë jetës, madje edhe pasi largohet nga detyra. Ai i ngjan një byzylyku elektronik me GPS, i cili e ndjek kudo dhe i kujton se pushteti nuk i jep imunitet nga përgjegjësia.
Ky është çmimi që paguan një figurë publike për pushtetin dhe privilegjet që ka fituar. Pozita i jep mundësi të jetojë më mirë dhe më rehat se qytetarët e zakonshëm, por i kërkon të pranojë më shumë kontroll.
Kur një politikan nuk shpreh dot lirisht idetë dhe bindjet e tij nga frika e ligjit, e dosjeve ose e së kaluarës, ai nuk është më i lirë.
Ai është i kapur.
Bëhet peng i skeleteve që mban në dollap, i burgosur i frikës dhe i ndjenjës së fajit. Në atë gjendje, politikani nuk bëhet vetëm i padobishëm. Ai mund të bëhet edhe i rrezikshëm, sepse për të mbrojtur mëkatet dhe shkeljet e vjetra mund të kryejë shkelje edhe më të rënda.
Këtë aksiomë e shohim prej vitesh në panoramën e deformuar të demokracisë shqiptare pas rrëzimit të komunizmit.
Në këtë gjendje duket se ndodhet edhe Elisa Spiropali.
Pasi Edi Rama e largoi nga posti i ministres së Jashtme, Spiropali shpalli oponencën ndaj “Skënderbeut” të saj politik dhe premtoi një “Marrëveshje të Re”.
Që nga ajo kohë, vetëm paralajmëron se do të flasë.
Në hartimet e saj të lodhshme, të ndërtuara me një gjuhë të kërcunjtë dhe metafora të sforcuara, Spiropali nuk ka shpallur as luftën dhe as objektivin e saj politik. Ajo është kthyer në meme, sepse premton vazhdimisht një betejë që nuk fillon kurrë.
Nuk kemi përballë një platformë politike, një alternativë ose një akt të vërtetë kundërshtimi.
Kemi përballë një taktikë shantazhi.
Ky është refreni primitiv i mënyrës së veprimit të politikanëve shqiptarë. Ata marrin shembull nga njerëzit e rrugës, të cilët fillimisht i përdorin dhe më pas u shërbejnë. Përdorin shantazhin, gjuhën e egër dhe paralajmërimet se do të bëjnë namin si kode komunikimi për ta mbajtur dollapin të mbyllur.
Sepse, nëse dollapi hapet, dalin skeletet e vjetra. Del në dritë e kaluara që kanë frikë ta shohë publiku.
Këtë po bën edhe Elisa Spiropali.
Ajo nuk po lufton Edi Ramën. Po i dërgon sinjale.
Nuk po denoncon sistemin. Po përpiqet të negociojë vendin e vet brenda tij.
Nuk po kërkon një “Marrëveshje të Re” për Shqipërinë. Po kërkon një marrëveshje të re për veten.
Por as truket kozmetike dhe as metaforat e klasës së shtatë nuk mund ta mbajnë dollapin të mbyllur përgjithmonë.
Dielli nuk mbulohet me shoshë./Pamfletiskeletet në dollapin e elisa spiropalit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike "Gazetari Valon Bela u shpall 'non grata' se kritikoi Ramën", Berisha: Akt i rëndë kundër lirisë së medias 5 Gusht 2026, 12:5712:57Politike Berisha denoncon: Rama urdhëroi disbursimin e 8.5 mln eurove për Ermal Beqirin 5 Gusht 2026, 12:4012:40Politike Ina Zhupa: Qeveria po shkel ligjin që miratoi vetë, fadromat u rikthyen në Vlorë në kulmin e sezonit 5 Gusht 2026, 11:3111:31Politike Klerikët sharlatanë që shpalli armiq Lamallari, i llastoi dhe i doroviti ndër vite Edi Rama 5 Gusht 2026, 10:4910:49Politike Grida Duma nxjerr prapaskenat e largimit: Berisha e ktheu PD-në në luftë me vetveten 5 Gusht 2026, 07:4007:40Politike “SPAK do të trokasë te dera e Edi Ramës”, Kapri: Reforma territoriale, hile për të kapur 90% të pushtetit 4 Gusht 2026, 15:0415:04Politike

