Edhe ditën e sotme në komisionet parlamentare është shqyrtuar projektbuxheti 2027.
Në Komisionin për Nismat Qytetare ishte sot e pranishme, si përfaqësuese e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ermira Hoxha, drejtoreshë e Burimeve Njerëzore pranë këtij institucioni.
Gjatë fjalës së saj, paraqiti dhe kërkesat buxhetore të KLSH-së për vitin 2027, në vlerën 894,4 milionë lekë. Ajo u shpreh se këto fonde janë për paga dhe sigurime shoqërore, mallra dhe shërbime dhe shpenzime kapitale me financim të brendshëm.
Ajo tha se është paraqitur kërkesa për buxhetin e vitit 2027 për 253 punonjës, ose 10 punonjës më shumë nga organika e vitit 2026. “Kërkesat buxhetore për vitin 2027, në vlerën 894,4 milionë lekë, janë orientuar në 3 zëra: paga dhe sigurime shoqërore në vlerën 711,5 milionë lekë, mallra dhe shërbime 100,9 milionë lekë, shpenzime kapitale me financim të brendshëm 82 milionë lekë. Tavani buxhetor për vitin 2027, prej 735,5 milionë lekësh, është 15% më pak nga kërkesat që ka paraqitur KLSH-ja. Për kërkesën për paga dhe sigurime shoqërore, parashikimet janë bërë për stafin e KLSH-së dhe kontraktimin e ekspertëve të jashtëm. Janë marrë parasysh kërkesat për rritjen e auditimeve. KLSH-ja ka përgjegjësi edhe për rekomandimet e dhëna dhe cilësinë e auditimeve, procese që kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm të burimeve njerëzore.
Në kërkesën për rritjen e numrit të punonjësve është marrë në konsideratë edhe përmbushja e detyrimeve në kuadër të integrimit europian, i cili kërkon forcimin e kontrollit të jashtëm publik, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në administrimin e fondeve publike dhe përafrimin e veprimtarisë audituese me kërkesat dhe praktikat europiane.
Faktor tjetër që është analizuar janë edhe rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2025. Në këtë rezolutë përcaktohet kërkesa për auditime të vazhdueshme. Në mënyrë të veçantë, në rezolutë theksohet rëndësia e auditimeve të teknologjisë së informacionit, sigurisë kibernetike, kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private. Bazuar në sa u tha më sipër, është paraqitur kërkesa për buxhetin e vitit 2027 për 253 punonjës, ose 10 punonjës më shumë nga organika e vitit 2026”, tha Hoxha. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

