Hetimet për rastin e Elizabeth Ross, 38-vjeçares britanike trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit, Athinë, po marrin një drejtim të ri.
Autoritetet greke po hetojnë mundësinë që Ross të jetë bërë viktimë e një personi të cilit ajo po përpiqej t’i ofronte ndihmë. Sipas mediave britanike, ajo njihej nga miqtë si Lisa dhe prej vitesh ishte e përfshirë në aktivitete humanitare, duke udhëtuar shpesh në Greqi për të ndihmuar persona të pastrehë dhe njerëz në nevojë.
Banorë të zonës kanë treguar se pak ditë para zhdukjes së saj e kishin parë duke biseduar me persona që jetonin në rrugë pranë një hapësire të braktisur në Kypseli. Një banore e moshuar ka deklaruar se kishte parë një grua të huaj duke komunikuar me të pastrehët, por nuk kishte dyshuar, pasi zona vizitohet shpesh nga vullnetarë.
Vetëm pasi pa fotot e viktimës, ajo kuptoi se bëhej fjalë për të njëjtën grua. Tashmë policia po verifikon nëse kontaktet e Ross me persona të zonës kanë lidhje me zhdukjen dhe vdekjen e saj.
Në qendër të hetimeve është edhe një burrë i pastrehë i njohur si Markos, i cili dyshohet se qëndronte në të njëjtën ndërtesë ku u gjet trupi. Sipas raportimeve, ai kishte probleme me drogën dhe alkoolin, si dhe ishte më herët i njohur për autoritetet. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj tij.
Policia greke po pret rezultatet e autopsisë, analizave toksikologjike dhe ekzaminimeve të tjera mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Hetuesit dyshojnë se autori është përpjekur të mos lërë gjurmë, duke vështirësuar identifikimin e tij.
Mesazhet misterioze pas zhdukjes
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit janë mesazhet e dërguara nga telefoni i Ross pas zhdukjes së saj. Babai i saj ka deklaruar se për rreth dy javë ka marrë mesazhe nga telefoni i së bijës, ku thuhej se ajo kishte nevojë për kohë vetëm.
Hetuesit dyshojnë se mesazhet mund të jenë dërguar nga një person tjetër për të vonuar zbulimin e zhdukjes së saj. Analizat kanë treguar se ato ishin dërguar nga Athina, ndërsa telefoni u fik pasi rasti mori vëmendje ndërkombëtare.
Një dëshmi tjetër me rëndësi është ajo e një personi të pastrehë që gjeti valixhen më 18 korrik. Ai ka deklaruar se dy ditë më parë ajo nuk ndodhej në ndërtesë, duke ngritur dyshimet se trupi ishte dërguar aty gjatë natës së 17 korrikut ose në orët e para të ditës pasuese.
Autoritetet po përpiqen gjithashtu të zbulojnë personat me të cilët Ross mund të ketë pasur kontakte në Kypseli. Çifti me të cilin ajo jetonte në Keratsini ka thënë se 38-vjeçarja u kishte treguar se do të takohej me disa të njohur amerikanë në atë zonë.
Hetimet vijojnë për të rindërtuar lëvizjet e saj të fundit dhe për të zbardhur rrethanat që çuan në vdekjen e saj.

