Lajme Zone
Bllokohet sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje nuk voton Vlora Çitakun për nënkryetare! PDK dhe LDK lënë sallën, seanca shtyhet për të dielën
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Bllokohet sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje nuk voton Vlora Çitakun për nënkryetare! PDK dhe LDK lënë sallën, seanca shtyhet për të dielën

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës mbeti sërish në ngërç këtë të premte. Vetëvendosje nuk votoi kandidaten e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitakun, duke bërë që deputetët e PDK-së të braktisnin sallën dhe të paralajmëronin se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Ngërçi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u thellua këtë të premte, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk votoi kandidaten e Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitakun. Deputetët e PDK-së braktisën sallën në shenjë proteste, ndërsa pas disa përpjekjeve për të vijuar punimet, seanca u ndërpre sërish dhe do të vazhdojë të dielën në orën 10:00. Më herët gjatë seancës, deputetët miratuan me 71 vota që pesë nënkryetarët e Kuvendit të votoheshin veç e veç dhe jo në pako. Vendimi erdhi pas konsultimeve mes kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe shefave të grupeve parlamentare. "Nuk ka dakordim për votim në pako, ndaj forma e vetme është votimi individual", deklaroi Haxhiu para nisjes së procesit. LEXO EDHE:Rifillon seanca konstituive në Kosovë, Haxhiu thirrje PDK-së të kthehet në sallë! opozita refuzon, në Kuvend vetëm 84 deputetë I pari që u hodh në votim ishte kandidati i Vetëvendosjes, Ardian Gola, i cili u zgjodh nënkryetar me 100 vota. PDK-ja dhe LDK-ja e mbështetën kandidaturën e tij. Përplasja nisi te votimi për kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku. Deputetët e Vetëvendosjes abstenuan, duke mos i siguruar votat e nevojshme, edhe pse më herët PDK-ja kishte votuar kandidatin e LVV-së. Pas këtij zhvillimi, deputetët e PDK-së u larguan nga salla, ndërsa Haxhiu ndërpreu seancën. Pas largimit nga Kuvendi, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. “Prej sot PDK-ja nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe do ta referojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Ne, me qëllim të konstituimit të Kuvendit, e votuam kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ata nuk e votuan kandidaten tonë”, deklaroi Hamza. Më pas, Haxhiu vendosi të rifillojë seancën dhe u bëri thirrje deputetëve të PDK-së të riktheheshin në sallë, por partia nuk ndryshoi qëndrim. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 84 nga 120 deputetët. Ngërçi vijoi edhe gjatë përpjekjes për të vazhduar votimin. Deputetët e LDK-së u larguan gjithashtu nga salla, duke kundërshtuar hedhjen në votim të kandidatit të partisë së tretë pa u zgjedhur më parë nënkryetari që i takon PDK-së. “Është e padrejtë që të hidhet në votim kandidati i partisë së tretë pa u zgjedhur më parë ai i partisë së dytë”, deklaroi deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu. Pas largimit edhe të deputetëve të LDK-së, Haxhiu ndërpreu sërish seancën dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të dielën në orën 10:00. Ndërkohë, Vetëvendosje këmbënguli se nuk është kundër që PDK-ja të ketë një nënkryetar të Kuvendit, por vetëm kundër kandidaturës së Vlora Çitakut. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia është e gatshme të votojë një kandidat tjetër të PDK-së dhe kandidatin e LDK-së për nënkryetar, por jo Vlora Çitakun. “Lëvizja Vetëvendosje do të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar, ashtu siç i takon, dhe natyrisht do të votojë një kandidat të LDK-së për nënkryetar. Por nuk mund ta votojmë zonjën Çitaku”, deklaroi ajo. Nagavci tha gjithashtu se Vetëvendosje kishte tentuar të arrinte një marrëveshje politike me PDK-në dhe LDK-në për votimin e nënkryetarëve. Sipas saj, Albin Kurti kishte ftuar në takim kryetarin e PDK-së, por nuk kishte marrë përgjigje. Edhe LDK-ja deklaroi se kishte votuar kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga partitë politike dhe se konstituimi i Kuvendit kërkon konsensus mes grupeve parlamentare. “Ne në votimin individual për secilin nënkryetar morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e grupeve parlamentare, të cilat janë propozime të partive politike dhe që nuk kanë problem me ligjin”, tha Lushaku-Sadriu. Përplasja mes palëve ishte paralajmëruar edhe para nisjes së seancës. Vetëvendosje kishte bërë të ditur se nuk mbështeste kandidaturat e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës, duke kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja të propozonin emra të tjerë. Të dyja partitë e refuzuan këtë kërkesë. Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët. Deri atëherë nuk mund të nisë procedura për formimin e Qeverisë së re dhe më pas zgjedhjen e presidentit. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 15:06 Rifillon seanca konstituive në Kosovë, Haxhiu thirrje PDK-së të kthehet në sallë! opozita refuzon, në Kuvend vetëm 84 deputetë Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka rifilluar, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje Partisë Demokratike të Kosovës të rikthehet në sallë, pasi deputetët e saj u larguan në shenjë proteste.Në sallë janë të pranishëm 84 nga 120 deputetët e Kuvendit.PDK-ja braktisi seancën pasi deputetët e Vetëvendosjes nuk votuan kandidaten e saj për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitakun. Më herët, partia njoftoi se nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.Nga ana tjetër, Vetëvendosje ka përsëritur se është e gatshme të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar, por jo Vlora Çitakun, duke i bërë thirrje PDK-së të propozojë një emër tjetër. Megjithatë, PDK-ja nuk u rikthye në sallën e Kuvendit. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 13:23 Deputetja e LDK-së kërkon burg për shkelësit e Kushtetutës së Kosovës: Një mashtrues po e rrënon shtetin Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cilësoi "urgjencë kombëtare" situatën e krijuar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe kërkoi që shkelja e Kushtetutës të kriminalizohet.“Është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet. Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfjnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Shteti nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, shkroi Bajrami. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:46 Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, VV nuk voton Vlora Çitakun: Jemi gati të mbështesim një kandidat tjetër të PDK-së por jo atë! Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se është e gatshme të votojë kandidatin e PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, por jo Vlora Çitakun tha shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci pas ndërprerjes së seancës. Sipas saj, Vetëvendosje i ka bërë përpjekjet e saj për një marrëveshje me PDK-në dhe LDK-në me qëllim për konstitimin e Kuvendit dhe listoi disa prej tyre. “Ka qenë një tentativë për të arritur një marrëveshje politike, në mënyrë që të votohet në pako për të gjithë nënkryetarët, të konstituohet Kuvendi dhe të vazhdohet puna. Lëvizja Vetëvendosje do të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar, ashtu siç i takon, dhe natyrisht do të votojë një kandidat të LDK-së për nënkryetar. Por nuk mund të votojmë zonjën Çitaku”, deklaroi ajo. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:38 Bllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, LDK: Ne i votuam kandidatët për nënkryetarë, tani duhet konsensus Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk e ka bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe se i ka mbështetur kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga partitë parlamentare. Sipas saj, zhbllokimi i procesit kërkon konsensus mes grupeve parlamentare.Këtë e deklaroi deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, pas ndërprerjes së seancës konstituive.“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e grupeve parlamentare, të cilat janë propozime të partive politike dhe që nuk kanë problem me ligjin”, tha ajo.Lushaku-Sadriu theksoi se institucionet duhet të bëhen funksionale sa më shpejt dhe shtoi se votimi në pako për nënkryetarët mund të bëhet vetëm nëse ka konsensus mes grupeve parlamentare. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:31 Vetëvendosje nuk votoi Vlora Çitakun për nënkryetare, kryetari i PDK-së paralajmëron bojkot: Çështjen do ta dërgojmë në Kushtetuese Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës.“Prej sot PDK-ja nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe do ta referojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka konsensus. Ne e patë me qëllim të konstituimit të Kuvendit, e votuam të propozuarin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ata nuk e kanë propozuar kandidaten”, tha Hamza.Deklarata erdhi pas ndërprerjes së seancës konstituive, pasi deputetët e PDK-së u larguan nga salla kur Vetëvendosje nuk votoi kandidaten e partisë, Vlora Çitakun, për nënkryetare të Kuvendit. U.D/Shqiptarja.com Share Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com TAG: kosove kriza politike ne kosove Albulena Haxhiu Kuvendi i kosoves Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 1.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

7 Shtator, 07:56

Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.6% Magjistratëve 16.4% Nuk e di 6% Vota total: 4908 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?