Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të zhvillojë një mbledhje urgjente, më 10 shtator 2026 në orën 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në fokus të mbledhjes do të jetë situata e krijuar në sistemin gjyqësor për shkak të moszbatimit brenda afatit të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese për pagën e magjistratëve, si dhe bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Mbledhja është thirrur me qëllim zhvillimin e një diskutimi të hapur ndërmjet gjyqtarëve të të gjitha niveleve, për situatën e krijuar, respektimin dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit.
Sipas njoftimit, situata vlerësohet si veçanërisht serioze dhe shqetësuese, pasi prek drejtpërdrejt funksionimin normal të gjykatave, garancitë kushtetuese të statusit të gjyqtarit, pavarësinë dhe integritetin institucional të pushtetit gjyqësor.
“Nisur nga situata e krijuar në sistemin gjyqësor, si pasojë e moszbatimit brenda afatit të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese për pagën e magjistratëve dhe e bllokimit, nga strukturat shtetërore përgjegjëse për administrimin e buxhetit, të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;
Duke vlerësuar se kjo situatë është veçanërisht serioze dhe shqetësuese, pasi prek drejtpërdrejt funksionimin normal të gjykatave, garancitë kushtetuese të statusit të gjyqtarit, pavarësinë dhe integritetin institucional të pushtetit gjyqësor, si dhe autoritetin detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
Duke vlerësuar se respektimi i Kushtetutës, i kufijve ndërmjet pushteteve dhe i vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese përbën detyrim dhe përgjegjësi për çdo institucion shtetëror;
Duke çmuar se serioziteti i situatës kërkon një reagim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe institucional të trupës gjyqësore dhe se, për një çështje që prek të gjithë pushtetin gjyqësor, është e rëndësishme të dëgjohet zëri i çdo gjyqtari dhe gjyqësori të shprehet me një qëndrim të përbashkët;
Me qëllim zhvillimin e një diskutimi të hapur ndërmjet gjyqtarëve të të gjitha niveleve për situatën e krijuar, respektimin dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe përcaktimin e qëndrimit dhe të hapave institucionalë që çmohen të nevojshëm për zgjidhjen e saj;
Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”,
thërras Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, me këtë rend dite:
1. Diskutimi i situatës së krijuar nga bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore dhe përcaktimi i qëndrimit institucional të trupës gjyqësore për zgjidhjen e saj në përputhje me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën dhe garancitë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do t’i zhvillojë punimet ditën e enjte, më 10 shtator 2026, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor“, thuhet në njoftim. Top Channel

