Mjafton një zhytje e shkurtër në ujërat e cekëta të internetit shqiptar, për të vërejtur një fenomen që bëhet nga dita në ditë më i vështirë për t’u shpërfillur thjesht si komentet e disa idiotëve anonimë në rrjete sociale. E kam fjalën për një pjesë të konsiderueshme të gjeneratave të reja, që duket se po rrëshqasin me vendosmëri drejt së djathtës dhe jo domosdoshmërisht drejt varitetit më të respektueshëm të saj - çfarëdo pastë kjo në kontekstin shqiptar – por drejt asaj më banales së ngritur mbi mllefin racist dhe nacionalizmin agresiv, që kërkon gjithnjë armiq të dobishëm e të lehtë për t’u goditur. Mund ta shohësh këtë në komentet ofenduese ndaj të huajve, ndonëse këtu duhet bërë një dallim, pasi jo çdo i huaj është shenjestër e tyre. Fjala vjen, zemërimi rrallëherë shenjestron europianin e kamur që blen një shtëpi buzë detit, apo investitorin e huaj që merr trajtim favorizues. Për ironi, i huaji i padëshiruar është thuajse gjithmonë ai që i ngjan më së shumti shqiptarit mesatar për nga klasa sociale dhe aspiratat për një jetë më të mirë. Madje, tani mund të shohësh diskutime mes adoleshentësh në rrjetet sociale që këshillojnë njëri-tjetrin të mos blejnë në dyqanin e lagjes nëse shitësi pas banakut nuk është shqiptar dhe mundësisht i bardhë. Është e vështirë të përfytyrosh një zhvillim më absurd në një vend që i ka kaluar tri dekadat e fundit, por edhe shumë të tjera para tyre, duke eksportuar krah të lirë pune në Perëndim për të bërë të njëjtat punë dhe për t’u përballur me të njëjtin përçmim që tani iu rezervohet të huajve që vijnë për të punuar tek ne. Me sa duket, europianizimi aq i dëshiruar i Shqipërisë, nuk mund të quhet i suksesshëm nëse nuk mësojmë të riprodhojmë në shtëpi poshtërimin që të afërmit tanë ankohen se përjetojnë jashtë. LEXO EDHE:Rama publikon pamje nga takimi me deputetët dhe të deleguarit e Tiranës: Në fokus ‘Besa’, ‘Prania Besnike’ dhe ‘PasqyrAlbania’, hodhëm një hap të nevojshëm për sezonin e ri politik Ndonëse postimet në rrjete sociale nuk mund të na i thonë me saktësi të plotë besimet politike të një gjenerate të tërë, shpeshtësia dhe moskokçarja me të cilën postimet dhe komentet raciste po gëlojnë, janë të rëndësishme pasi na tregojnë paragjykimet janë bërë tashmë pjesë e gjuhës së të rinjve tanë dhe është fjala për një gjuhë dhe mënyrë të komunikuari që audienca po e kupton dhe përqafon masivisht. Fatmirësisht nuk ia kemi dalë mbanë deri më sot të krijojmë një parti gjenuine të ekstremit të djathtë, por kjo nuk na jep asnjë garanci, veçanërisht kur sheh se jemi duke prodhuar stofin e nevojshëm shoqëror me të cilin mund të ‘qepet’ një forcë e tillë politike. Ajo që është edhe më shqetësuese është se gjuha e fashiste e racizmit nuk është më e kufizuar vetëm në disa individë që mund të identifikohen me ekstremin e djathtë, por ka pushtuar edhe ata që paraqiten si progresistë, me shpresën se do mund ta kalërojnë pak më gjatë valën e populizmit të lindur nga protesta në ditët e humbjes së numrave. Në një video të pak ditëve më parë, aktivistë të asociuar më Lëvizjen Bashkë (një forcë e vetëprezantuar si socialdemokrate), brohorisnin parullën: "Shqipëri latine, krim dhe korrupsion, rinia në gomone, pleqtë në depresion." Kritika ndaj qeverisë është e qartë, por po aq i qartë është edhe stereotipi i përdorur, ku Amerika Latine reduktohet në sinonim të krimit dhe kolapsit social. Pak rëndësi ka nëse thirrje të tilla bëhen realisht me qëllime raciste, apo thjesht sepse bëjnë rimë. Ajo që ka rëndësi është se sa lehtësisht një parti që supozohet të jetë ideologjikisht e majtë, përvetëson paragjykimet e përhapura në rrjetet sociale, vetëm vetëm sepse i japin një mekanizëm të nevojshëm për të nxitur zemërimin popullor. Teprimet, pas 90 ditësh protestë, janë të kuptueshme deri diku, por t’i përdorësh parulla të tilla si material promovues, e më pas kryetari i partisë ta shpërndajë atë me mburrje të tipit “shih sa kreativë i kam njerëzit e partisë,” të dëshpëron, veçanërisht kur vjen nga një forcë e re politike. Kjo gatishmëri për të kalëruar populizmin e protestës, pavarësisht se ku çon ai, tregon se edhe ata (sikundër gjithë partitë tona politike), janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për pushtetin. Madje, të sakrifikojnë edhe bindjet e tyre. Vërtet që nuk e kemi një parti të ekstremit të djathtë, por sa kohë që e majta vazhdon t’i marrë asaj borxh armiqtë, stereotipet dhe retorikën, ndoshta nuk do na duhet kurrë një e tillë. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: bjorn runa e djathta ekstreme PS PD Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.7 / 5 (6 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.4% Keq 34.9% Nuk e di 12.7% Vota total: 5594 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

