Lajme Zone
BIRN: Institucionet e drejtësisë kundërshtojnë projektligjin për pagat e magjistratëve
PolitikëBalkanWeb

BIRN: Institucionet e drejtësisë kundërshtojnë projektligjin për pagat e magjistratëve

Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme kundërshtuan të mërkurën më 16 shtator projektligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke vlerësuar se formula e propozuar nuk respekton standardet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të muajit shkurt, që shfuqizoi formulën e mëparshme.

Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme kundërshtuan të mërkurën më 16 shtator projektligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke vlerësuar se formula e propozuar nuk respekton standardet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të muajit shkurt, që shfuqizoi formulën e mëparshme. Projektligji pritet të votohet në seancën plenare të Kuvendit të enjten më 17 shtator, pasi u miratua në komisionet parlamentare me votat e deputetëve socialistë. Ai parashikon një formulë përllogaritëse me rritje prej 2% të pagës referuese – ndjeshëm më e ulët se përllogaritja e bërë më parë nga organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Lartë reagoi me tone të ashpra jo vetëm ndaj përmbajtjes së projektligjit, por edhe ndaj mënyrës se si ishte zhvilluar konsultimi parlamentar. “Gjykata e Lartë shpreh kundërshtimin e saj më të fortë ndaj mënyrës se si Komisioni për Çështjet Ligjore zhvilloi procedurën parlamentare për projektligjin që prek drejtpërdrejt pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve. Ajo që ndodhi nuk ishte thjesht një konsultim i mangët. Ishte një shpërfillje e hapur e kuptimit të konsultimit institucional dhe e përfaqësuesve të një pushteti kushtetues, të thirrur nga vetë Kuvendi për t’u dëgjuar”, thuhet në deklaratë. Gjykata kujtoi se ky nuk ishte reagimi i parë i gjyqësorit për çështjen e pagave, duke iu referuar qëndrimit të saj publik të 2 shtatorit. Sipas deklaratës, përfaqësuesit e gjyqësorit u njoftuan më pak se dy orë përpara se të paraqiteshin në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe u dëgjuan pa iu vënë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin projektligjin për të cilin ishin thirrur të jepnin mendim.

“Pa informacion të plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë dhe pa mundësinë për të dhënë qëndrim mbi tekstin që realisht po merrte formë për votim. Nuk mund të thërrasësh një pushtet kushtetues për konsultim dhe në të njëjtën kohë, t’i mbash të panjohura elementet mbi të cilat do të marrësh vendimin. Kjo cenon seriozitetin dhe integritetin e vetë procedurës parlamentare”, theksoi Gjykata e Lartë, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si ishin trajtuar përfaqësuesit e gjyqësorit.

Gjykata ngriti gjithashtu shqetësimin se dëgjesa parlamentare nuk solli reflektim të dukshëm mbi argumentet e paraqitura nga gjyqësori dhe grupet e interesit për mospërputhjen e projektligjit me standardet kushtetuese.

“Gjyqësori nuk mund të thirret në Kuvend vetëm për të plotësuar formalisht një procedurë. Gjyqësorit nuk mund t’i kërkohet mendim për një tekst, të mos reflektohet mbi argumentet e tij dhe më pas të procedohet mbi një tekst të ndryshuar pa i dhënë mundësinë të shprehet për të”, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e saj, Gjykata e Lartë solli gjithashtu në vëmendje kontrastin mes respektit institucional që, sipas saj, i tregohet drejtësisë shqiptare në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe trajtimit të saj brenda vendit. Si shembull u përmend pritja e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në Romë nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në kuadër të organizimit në Tiranë të Kongresit Botëror për Ligjin 2027.

Por shqetësimin kryesor Gjykata e Lartë e lidhi me mënyrën se si projektligji trajton vendimin nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se formula e re nuk reflekton arsyetimin detyrues të tij.

“Gjykata Kushtetuese ka folur qartë. Ajo ka përcaktuar kufijtë kushtetues brenda të cilëve ligjvënësi mund të ndërhyjë në pagën e magjistratit dhe pasojat që lidhen me shfuqizimin e formulës së mëparshme. Ligjvënësi ka të drejtën të gjejë zgjidhjen normative, por jo të sillet sikur vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ekziston”, thuhet në deklaratë.

Sipas Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen vetëm duke iu referuar atyre, por duke zbatuar përmbajtjen dhe arsyetimin kushtetues që ato imponojnë.

Gjykata evidentoi gjithashtu se ndërhyrja e ligjvënësit erdhi pasi gjyqësori kundërshtoi publikisht bllokimin e pagave dhe kërkoi zbatimin e vendimit të Kushtetueses. Sipas saj, mënyra e ndërhyrjes, pa transparencë të plotë dhe konsultim real, ngre pikëpyetje mbi karakterin penalizues të projektligjit.

“Gjyqësori nuk pranon arrogancën e askujt që ushtron pushtetin sikur ai të ishte i pakufizuar dhe i pakontrollueshëm. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka pushtet mbi Kushtetutën dhe nuk ka pushtet të përjashtuar nga kufijtë dhe kontrolli kushtetues. Gjykata e Lartë nuk kërkon epërsi ndaj Kuvendit, por nuk pranon as nënshtrimin e gjyqësorit ndaj tij. Ndarja e pushteteve nuk njeh hierarki ndërmjet tyre. Njeh kompetenca, kufij dhe kontroll kushtetues”, theksohet në deklaratë.

Në përfundim, Gjykata e Lartë i kërkoi Kuvendit që të mos e kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancën e së enjtes projektligjin në formën aktuale.

“Kuvendi miraton ligje, por nuk mund të relativizojë Kushtetutën. Mund të zgjedhë zgjidhjen ligjore, por nuk mund të anashkalojë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Mund të ftojë gjyqësorin për konsultim, por nuk mund ta përdorë praninë e tij për të legjitimuar një konsultim që realisht nuk ka ndodhur”, thuhet në deklaratë.

Edhe Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të mërkurën se i kishte përcjellë Kuvendit qëndrimin e saj kundër projektligjit. Sipas institucionit, formula e propozuar nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe standardeve kushtetuese të përcaktuara prej tij.

“Ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”, citohet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Përplasja për formulën e pagave

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në shkurt të këtij viti si të papajtueshme me Kushtetutën formulën e mëparshme të miratuar nga Kuvendi për pagat e magjistratëve dhe i la ligjvënësit afat deri më 31 korrik për miratimin e një formule të re.

Vendimi parashikonte gjithashtu një mekanizëm zhbllokues, sipas të cilit formula e re e pagave do të përcaktohej nga vetë organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë në rast se Kuvendi nuk vepronte brenda afatit.

Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan një pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Këshillat vendosën gjithashtu kompensimin e asaj që e konsideruan “ulje të fshehur” të pagave nga ligji i mëparshëm, për periudhën nga prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Ministria e Financave refuzoi ta zbatonte këtë përllogaritje, ndërsa magjistratët iu drejtuan SPAK me kallëzim penal dhe Gjykatës Administrative me padi. Gjykata Administrative vendosi në favor të pagesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas formulës së përcaktuar nga këshillat.

Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe shumicës parlamentare pritet tashmë të zhvendoset në seancën plenare të së enjtes, ku projektligji është parashikuar për votim./BIRN/ © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb