Lajme Zone
Berisha: PD do të kërkojë reformë të re territoriale që t’i shërbejë ripopullimit të vendit
PolitikëEuronews Albania

Berisha: PD do të kërkojë reformë të re territoriale që t’i shërbejë ripopullimit të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të angazhohet për hartimin e një reforme të re territoriale, e cila, sipas tij, duhet të synojë zhvillimin e zonave rurale, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe ripopullimin e vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të angazhohet për hartimin e një reforme të re territoriale, e cila, sipas tij, duhet të synojë zhvillimin e zonave rurale, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe ripopullimin e vendit. Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Berisha kritikoi reformën territoriale të vitit 2014, duke pretenduar se ajo nuk ka ulur kostot e administratës vendore, por përkundrazi ka rritur numrin e punonjësve dhe barrën financiare për taksapaguesit. Sipas tij, para vitit 2014, 410 njësitë e qeverisjes vendore kishin rreth 19 mijë punonjës, ndërsa pas reduktimit të tyre në 61 bashki, numri i të punësuarve ka arritur në rreth 41 mijë. “Jo vetëm që nuk u pakësua barra e taksapaguesve, por ajo u dyfishua, sepse u punësuan patronazhistët”, u shpreh Berisha. Kreu i demokratëve tha se Partia Demokratike do të bashkëpunojë me forcat e opozitës dhe me komunitetin ndërkombëtar për të propozuar një reformë territoriale që, sipas tij, të jetë në interesin më të mirë të qytetarëve. “Ne do të insistojmë që kjo reformë të jetë një reformë për ripopullimin e Shqipërisë, për shërbime sa më afër qytetarit dhe për mundësi reale të zhvillimit të Shqipërisë rurale”, deklaroi ai. Berisha foli edhe për reformën zgjedhore, duke bërë të ditur se opozita po vijon punën për hartimin e një kodi të ri zgjedhor. Ai u shpreh se, sipas bindjes së tij, kryeministri Edi Rama nuk do të pranojë ndryshime që prekin pushtetin e tij, por theksoi se opozita do të paraqesë para qytetarëve një projekt që, sipas tij, përmbush standardet më të mira ndërkombëtare.