Blushi duke firmosur kopjet e librit të ri Nga Sulejman Pashë Bargjini te Ahmet Zogu, nga familja Toptani te Enver Hoxha, shkrimtari Ben Blushi sjell në një libër prej 500 faqesh historitë e pazakonta të njerëzve që ndërtuan dhe ndryshuan Tiranën. Pak orë përpara promovimit, autori rrëfen çfarë e bën të veçantë veprën e tij më të re. Shkrimtari Ben Blushi rikthehet te lexuesit me romanin e tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, një rrëfim që përshkon katër shekuj të historisë së kryeqytetit shqiptar, nga viti 1600 deri në vitin 2000, përmes ngjarjeve të pazakonta dhe personazheve që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e qytetit.
Pak orë përpara promovimit zyrtar, që do të mbahet sot në orën 18:00 në Hotel Plaza, Blushi ka ndarë detaje mbi përmbajtjen dhe mënyrën se si është ndërtuar libri, ndërsa ka nisur të firmosë kopjet e para për lexuesit.
“Meqenëse në promovim do të ketë gjithmonë rrëmujë dhe njerëz që duan një autograf, po e firmos librin që tani përpara që të mos ketë radhë”, u shpreh Blushi me humor në nisje të videos promocionale.
Me rreth 500 faqe, libri nuk synon të jetë një histori tradicionale e Tiranës, e ndërtuar mbi data dhe ngjarje të renditura kronologjikisht. Përkundrazi, autori ka zgjedhur të sjellë historinë e qytetit përmes fateve njerëzore, familjeve me ndikim, figurave historike dhe episodeve që, sipas tij, kanë përcaktuar identitetin e kryeqytetit.
“Libri mund të lexohet kollaj; mund ta fillosh në faqen 200 dhe të kthehesh prapë në faqen e parë, sepse nuk ka një rend kronologjik. Është historia e shumë familjeve dhe personazheve që kanë bërë qytetin tonë nga viti 1600 deri në vitin 2000”, shprehet ai.
Në qendër të librit janë rreth 100 personazhe realë, historitë e të cilëve, sipas autorit, mbështeten në dokumente dhe dëshmi historike. Ata vijnë nga periudha dhe fusha të ndryshme, por kanë një të përbashkët: lidhjen me krijimin, zhvillimin dhe transformimin e Tiranës. Rrëfimi nis me Sulejman Pashë Bargjinin, të njohur si themeluesi i Tiranës, për të vijuar me Haxhi Et’hem Beun, një prej figurave të rëndësishme të historisë së qytetit, të lidhur me ndërtimet që u kthyen në simbole të kryeqytetit, përfshirë Kullën e Sahatit.
Në libër zënë vend edhe personazhe të artit dhe kulturës, si poeti Zenel Bastari, i konsideruar ndër poetët e parë të Tiranës, si dhe piktori e udhëtari anglez Edward Lear, i cili vizitoi qytetin në vitin 1848 dhe la pas dëshmi të rëndësishme pamore përmes veprave të tij.
Një hapësirë e veçantë i kushtohet familjes Toptani, e cila ushtroi ndikim të konsiderueshëm në jetën politike dhe shoqërore të qytetit për rreth dy shekuj.
Mes figurave që trajtohen është edhe Ahmet Zogu, të cilit i atribuohet një rol i rëndësishëm në modernizimin e Tiranës dhe shndërrimin e saj në një kryeqytet me tipare evropiane.
Historia e Tiranës në librin e Blushit nuk kufizohet vetëm te personazhet shqiptarë. Në të përfshihen edhe figura të huaja që kanë ndikuar në fatet e qytetit dhe të vendit.
Mes tyre janë diktatori italian Benito Musolini dhe mbreti Viktor Emanueli III, emra të lidhur me periudhën e pushtimit italian dhe zhvillimet politike të kohës. Autori ndalet gjithashtu te ngjarje të pazakonta, përfshirë atentatin ndaj mbretit italian në Tiranë.
Rrëfimi vijon me periudhën e komunizmit, ku shfaqen figura si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, për të mbërritur deri te transformimet e kryeqytetit në fund të shekullit XX.
Përmes kësaj galerie personazhesh, Blushi synon të tregojë jo vetëm historinë e ndërtesave, rrugëve dhe institucioneve, por edhe historinë e njerëzve që morën vendime, ushtruan pushtet, krijuan, ndërtuan dhe ndikuan në jetën e qytetit.
“Historitë e çmendura të Tiranës” vjen kështu si një përpjekje për ta rrëfyer kryeqytetin nga një këndvështrim ndryshe, ku ngjarjet historike ndërthuren me histori personale, episode të pazakonta dhe dëshmi të së shkuarës.
Libri do t'i prezantohet publikut gjatë promovimit të sotëm në Hotel Plaza, ku lexuesit do të kenë mundësinë të takojnë autorin dhe të marrin kopje të firmosura të veprës.blushi historite e cmendura te tiranes liber Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Londra ndez skenat, Pitchfork sjell shtatë net me yjet e muzikës alternative 2 Nëntor 2026, 13:5913:59Kulture “Odisea” thyen rekordin historik të Universal, filmi i Christopher Nolan kalon 1.17 miliardë dollarë në arkëtime 2 Nëntor 2026, 13:5313:53Kulture Ndahet nga jeta në moshën 41-vjeçare aktori dhe regjisori Gjergj Mena! 2 Nëntor 2026, 10:4510:45Kulture Miles Davis, 100 vjet nga lindja e njeriut që ndryshoi jazz-in 1 Nëntor 2026, 14:2014:20Kulture Ben Blushi zbulon historinë e romanit të ri: Si u kthye një zhgarravinë e rastësishme në kopertinë 31 Tetor 2026, 19:3119:31Kulture Përtej 'Bukës dhe Cirkut' 30 Tetor 2026, 22:5222:52Kulture

