Lajme Zone
Begaj: Integriteti dhe profesionalizmi i magjistratëve do të përcaktojnë suksesin e drejtësisë
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Begaj: Integriteti dhe profesionalizmi i magjistratëve do të përcaktojnë suksesin e drejtësisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik 2026-2027 në Shkollën e Magjistraturës, ku iu drejtua brezit të ri të magjistratëve, kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë, avokatëve të shtetit dhe ndihmës gjyqtarëve.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik 2026-2027 në Shkollën e Magjistraturës, ku iu drejtua brezit të ri të magjistratëve, kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë, avokatëve të shtetit dhe ndihmës gjyqtarëve. Begaj theksoi rëndësinë e integritetit dhe profesionalizmit të brezit të ri të magjistratëve, duke u shprehur se këto vlera do të përcaktojnë suksesin e drejtësisë së reformuar në një fazë të rëndësishme për Shqipërinë dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Brezi juaj ka një përparësi historike: ju po hyni në sistemin e drejtësisë që reforma ndërtoi. Kjo vjen edhe me një përgjegjësi të shtuar: ju, me integritetin dhe profesionalizmin tuaj, do të bëni që ky sistem të funksionojë me efektivitet”, u shpreh Presidenti Begaj. Kreu i Shtetit nënvizoi se zgjedhja e profesionit të magjistratit kërkon më shumë se njohuri juridike, duke theksuar rëndësinë e karakterit, integritetit, pjekurisë profesionale dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë. “Vullneti juaj, përkushtimi ndaj vlerave dhe vendosmëria për t’i shërbyer drejtësisë janë gatishmëria dhe gurthemeli për një shoqëri të drejtë, parimore, të virtytshme, të paqtë dhe të respektueshme. Keni zgjedhur një profesion që kërkon jo vetëm dijen juridike, por kërkon karakter, integritet, pjekuri profesionale dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë”, deklaroi kreu i shtetit. Begaj tha se auditorët e Shkollës së Magjistraturës nuk duhet të shihen vetëm si hapësira për marrjen e njohurive profesionale, por edhe si një etapë e rëndësishme formimi për përgjegjësinë që magjistratët do të mbajnë në sistemin e drejtësisë. “Këta auditorë nuk duhet t’i shihni e përjetoni thjesht si vende që do t’ju bëjnë profesionistë, por do t’ju formojnë si misionarë. Magjistrati nuk është thjesht specialist i ligjit, por garant i të drejtave dhe lirive të individit dhe mbrojtës i rendit kushtetues”, u shpreh Begaj. Presidenti u ndal edhe te besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë, duke e cilësuar atë si një nga asetet më të rëndësishme që duhet të fitohet dhe të ruhet. “Aseti më i çmuar i drejtësisë, që duhet fituar, është besimi: besimi se çdo individ do të dëgjohet; se çdo pretendim do të shqyrtohet me paanshmëri; se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë; se pushteti i drejtësisë do të ushtrohet me përulësinë dhe përgjegjësinë që kërkon shteti i së drejtës”, tha Presidenti. Duke folur për ecurinë e reformës në drejtësi, Begaj vlerësoi konsolidimin e institucioneve të reja, duke theksuar se sistemi ka hyrë në një fazë të re, atë të rezultateve. “Procesi i vetingut ka përfunduar, institucionet e reja të drejtësisë janë formuar, ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bashkë me gjykatat e posaçme, kanë krijuar një realitet të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror nuk është më diçka e pamundur. Kjo është një arritje kyçe për shtetin e së drejtës, për Shqipërinë. Drejtësia shqiptare ka hyrë tashmë në një fazë të re: nga reforma, te konsolidimi; nga ngritja e institucioneve, te funksionimi i tyre; nga pritshmëritë, te rezultatet”, u shpreh ai. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, si një nga kolonat themelore të shtetit të së drejtës. “Pavarësia e drejtësisë nënkupton një pushtet të pavarur nga pushtetet e tjera, një drejtësi të pandikuar nga çdo interes, një drejtësi që i nënshtrohet vetëm ligjit dhe askujt tjetër”, deklaroi Begaj. Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Presidenti nënvizoi se drejtësia mbetet një nga fushat më të rëndësishme për përmbushjen e standardeve, duke theksuar nevojën për një drejtësi jo vetëm të drejtë, por edhe në kohë. “Sfida jonë është që cilësia e vendimmarrjes dhe efektiviteti të mos shihen si objektiva konkurruese, por si vlera që ecin së bashku”, tha Begaj. Në përfundim, Presidenti i Republikës i ftoi magjistratët e rinj ta ushtrojnë misionin e tyre me integritet, kurajë dhe përkushtim, në shërbim të drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe qytetarëve. Duke iu referuar betimit publik të magjistratëve, Begaj solli edhe një citim të Lord Chief Justice Hewart: “Drejtësia jo vetëm që duhet të vihet në vend, por duhet edhe të jetë qartësisht e perceptueshme dhe e dukshme si e tillë, pa lënë vend për asnjë dyshim”.