Bashkimi Evropian ka përcjellë një mesazh të qartë pas reagimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit Edi Rama, ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Ndërsa Kurti e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe Rama e ka quajtur “marre”, zyrtarët e Komisionit Evropian kanë mbrojtur pavarësinë e institucionit gjyqësor dhe kanë kërkuar respektimin e procesit ligjor.
Zëdhënësi i BE-së për politikën e jashtme, Christian Wigand, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë mbi bazën e procedurave të pavarura, të drejta dhe të paanshme. Sipas tij, përgjegjësia penale është individuale dhe vendimi i shkallës së parë nuk përbën fundin e procesit gjyqësor.
Wigand rikujtoi se të dënuarit kanë të drejtën e apelimit përpara një trupi tjetër gjykues, ndërsa u bëri thirrje aktorëve politikë dhe shoqërorë në Kosovë dhe rajon të shmangin deklaratat që mund të tensionojnë situatën. “Shikoni, ajo që mund të them për këtë çështje është se Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një trup gjykues të veçantë të shkallës së apelit. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, tha Wigand. Në të njëjtën linjë ishte edhe zëdhënësi për Zgjerimin, Guillaume Mercier, i cili tha se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen, duke theksuar se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre mbetet një element qendror i procesit. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Aktgjykimet e tyre duhen të respektohen dhe personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ne u bëjmë thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i tejkalojnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, drejt Bashkimit Evropian”, tha ai. BE-ja u bëri thirrje vendeve të rajonit që të përballen me të kaluarën përmes dialogut dhe pajtimit, si rruga për të kapërcyer ndarjet dhe për të avancuar drejt integrimit evropian.
Vendimi i shkallës së parë, i shpallur më 16 shtator, dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite burgim./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

