Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pas daljes nga institucioni, ai u ndal shkurtimisht para mediave, duke deklaruar se ishte thirrur për “histori të vjetra”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyen e paraqitjes së tij.I pyetur nga gazetarët nëse kishte dhënë dorëheqjen dhe nëse kjo i ishte kërkuar, Verdho u përgjigj: “Po, po”, por pa sqaruar në mënyrë të qartë nëse bëhej fjalë për largimin nga posti i drejtorit të Hekurudhës Shqiptare apo për një çështje tjetër. Ai nuk dha komente shtesë lidhur me këtë deklaratë.
Verdho ka drejtuar më herët edhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), si dhe ka qenë bashkëpunëtor i Belinda Ballukut gjatë kohës kur ajo drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Dyshohet se paraqitja e tij në SPAK lidhet me çështje të mëparshme nën hetim, por deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi objektin e pyetjes apo dëshminë e dhënë prej tij.

