Studenti ekselent i Mjekësisë Dentare, Joni Sinoimeri, ka reaguar pas publikimit të fotografisë së tij nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se kreu i qeverisë e ka paraqitur si person të dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa në News24, 20-vjeçari ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar se është student me mesatare 10.0 dhe se nuk ka lidhje me asnjë organizatë kriminale. Sinoimeri tha se nuk e di përse kryeministri ka zgjedhur të publikojë fotografinë e tij, ndërsa tregoi se më 13 tetor, ditën e parë të protestave studentore, ishte shoqëruar në komisariat. I pyetur për të vërtetën e tij, 20-vjeçari tregoi uniformën e Fakultetit të Mjekësisë Dentare dhe rezultatet e tij akademike, duke theksuar se është një student i zakonshëm që ka dalë në protestë për të kërkuar të drejtat e tij. Studenti kritikoi ashpër edhe kushtet e arsimit dhe shëndetësisë në Shqipëri, duke treguar përvojën e tij personale gjatë një shtrimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sinoimeri ngriti shqetësimin edhe për mungesën e perspektivës së të rinjve në Shqipëri, duke përmendur oraret e gjata universitare, pagat e ulëta dhe vështirësitë ekonomike që i presin studentët pas diplomimit. Ai tha se studimet në Mjekësi Dentare kërkojnë pesë vite përgatitje, të ndjekura nga specializimi, ndërsa shprehu shqetësimin se të ardhurat nga puna mund të mos mjaftojnë për të përballuar jetesën apo për të krijuar një familje. INTERVISTA Osman Stafa: Jon, të përshëndes! Joni Sinoimeri: Përshëndetje!
Osman Stafa: Të kishte nxjerrë kryeministri sot?
Joni Sinoimeri: Po, më kishte nxjerrë si të dyshuar, nuk e di, me precedent penal për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Po kjo s’është çudia e parë që kemi dëgjuar prej tij sot. Kemi dëgjuar edhe të tjera këto ditë dhe në vazhdim, por ndoshta paranoja, ndoshta frika… Nuk është në gjendjen e tij më të kthjellët.
Osman Stafa: Po pse të ka nxjerrë ty?
Joni Sinoimeri: Nuk e di, nuk e di. Unë kam qenë… Më kapën më përpara, më datë 13 tetor, ditën e parë të protestës studentore, dhe më çuan në komisariat. Ndoshta… nuk e di, ndoshta e kishin emrin gati. Nuk e di.
Osman Stafa: Cila është e vërteta jote?
Joni Sinoimeri: E vërteta është që unë jam thjesht një student 20-vjeçar, si gjithë të tjerët. Nuk jam as më i mirë se të gjithë këta që janë prapa meje dhe as më i keq. Unë jam student, mund ta shihni. Këto janë uniformat që na ka dhënë vetë Fakulteti i Mjekësisë Dentare. Po, Universiteti i Mjekësisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare. Këto na i kanë dhënë vetë. Unë jam student ekselent, me mesatare 10.0. Nuk jam pjesë e asnjë lloj organizate të mundshme, siç ka dëshirë ky të na etiketojë për të njollosur këtë protestë. Por, siç thashë edhe një herë, të gjitha ato epitete që na kanë ngjitur, nxjerrin në pah edhe shtetin e tij, nuk na nxjerrin vetëm neve. Se unë jam 20 vjeç, kam një jetë të gjatë përpara. Kam një jetë shumë të gjatë dhe do t’i arrij të gjitha.
Osman Stafa: Pse dole në protestë?
Joni Sinoimeri: Unë dola në protestë sepse jam një njeri i lirë dhe kam të gjithë të drejtën e Zotit që, në qoftë se nuk jam i kënaqur me qeverinë që na përfaqëson, me kushtet e arsimit, me institucionet, me mjekësinë, të protestoj. Unë kam qenë i shtruar në QSUT dhe kushtet kanë qenë mizerabël. Kaq dua të them, nuk do të futem më thellë për këtë. Këtu kushtet janë të tilla që nuk kemi më besim në asnjë institucion. Ti, në fund të ditës, në qoftë se ndihesh në rrezik, do të marrësh policinë, por policia këtu të vret. Po na vrasin policët, po na mbysin të gjithëve. Dhe nuk e di, është një indiferencë e frikshme… Indiferencë e frikshme.
Osman Stafa: Të ka nxjerrë një foto tënden të para sa viteve?
Joni Sinoimeri: Më duket se duhet të kem qenë në klasë të nëntë, diku para 4-5 vitesh.
Osman Stafa: Pra, je ti ky personi…
Joni Sinoimeri: Po, jam unë. Ai personi, J. S., 20 vjeç, jam unë, por nuk e di ku i ka gjetur këto pretendime. Të më njoftojë edhe mua që ta di. E morëm vesh edhe këtë.
Osman Stafa: A do të vijojë protesta juaj?
Joni Sinoimeri: Patjetër, nuk bëhet fjalë.
Osman Stafa: Pse të rinjtë nuk e shohin një të ardhme për ta ndërtuar në Shqipëri?
Joni Sinoimeri: Sepse këtu nuk të jepen mundësi. Ne jemi në universitet, oraret janë skandaloze. Nuk ka ditë që ta mbarojmë mësimin para orës 3 ose para orës 4. Madje, në vit të parë kemi pasur edhe raste me mësim deri në orën 5. Ne mbarojmë universitetin dhe shumica duhet të shkojnë në punë. Kur do t’u dalë koha për punë? Do të punojnë 8 orë, do të marrin një pagë të neveritshme, një pagë që as nuk duhet zënë në gojë. Gjithashtu, edhe kur të mbarojmë universitetin… Unë do të bëj 5 vite shkollë, do të bëj specializimin, do t’i bëj të gjitha dhe do të nis një punë me një pagë që nuk do të më dalë për të jetuar, për të mbajtur veten gjallë. Për të mbajtur veten gjallë… Në qoftë se dua të krijoj një familje, si do t’ia dalim? Si do t’ia dalim? Unë nuk e di se ku pretendon të shkojë ky vend me këto kushte. Si pretendojmë të futemi në Bashkimin Evropian, kur ti ke një universitet të tërë, të gjitha universitetet janë të bojkotuara, studentët kanë dalë këtu, njerëzit nuk janë të kënaqur? Ky thotë se ne do të futemi në Bashkimin Evropian, kur nivelet e korrupsionit dhe të vjedhjes janë… nuk e di, jashtë çdo imagjinate. Nuk e di, nuk di çfarë të them më.
Osman Stafa: Për sa i takon korrupsionit, cila aferë e madhe të ka mbetur në mendje, që sipas teje ka mbetur pa përgjegjësi?
Joni Sinoimeri: (Qesh) Që nga Unaza, tuneli i Llogarasë… Të gjitha, të gjitha, të gjitha! Këtu nuk ka asgjë më, këtu nuk ka asgjë! Shkon në spital dhe hyn i gjallë e del i vdekur. Ju e dini më mirë se unë, sepse keni folur, dhe populli shqiptar duhet t’ju jetë mirënjohës për… nuk e di, për punën fantastike që keni bërë ju për spitalin onkologjik dhe për QSUT-në, sepse 90% të ilaçeve i kemi dhuratë nga ju. Jo dhuratë domosdoshmërisht, sepse dalin edhe… kjo kuptohet. Por ju keni luftuar, keni bërë çmos, na keni ndihmuar. Ka ende shumë punë, por ju na keni ndihmuar. Nuk ka kushte për asgjë këtu.
Osman Stafa: Nuk ke frikë?
Joni Sinoimeri: Jo, nuk kam frikë. Për çfarë të kem frikë, që po dal të them fjalën time? Çfarë do të më bëjë? Do të më heqë bursën, do të më ndalojë hyrjen në trena? (Qesh) Do të më ndalojë hyrjen në trena?
Osman Stafa: Se do të përdorësh metronë, besoj, do të përdorësh tramvajin…
Joni Sinoimeri: Ishalla! Po, po, ato po. Ato i kemi përdorur, siç e shihni, por… Çfarë të bëjmë? © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Joni Sinoimeri Studenti ekselent i Mjekësisë Dentare
