Konferenca e Kryetarëve ka nisur në orën 11:00, ndërsa në mbledhje janë diskutuar çështje që lidhen me organizimin dhe punimet e Kuvendit në sesionin e ri parlamentar. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pasur një përplasje me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar këtë të fundit për mosrespektim të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Bardhi e ka nisur fjalën e tij duke kritikuar Peleshin për mënyrën se si po interpretohet hierarkia e normave juridike. “Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.” Sipas Bardhit, Kuvendi po e nis sesionin e ri parlamentar në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ai e ka lidhur këtë situatë edhe me mbylljen e sesionit të kaluar. “Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese.” Në vijim të debatit, Bardhi ka ngritur edhe çështjen e situatës në gjykata, duke akuzuar Kuvendin se nuk po zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve. “Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta.” Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se ekziston edhe një vendim i Këshillit të Legjislacionit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij, Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme. “Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë.” Bardhi e ka bërë Kuvendin përgjegjës për situatën që, sipas tij, është krijuar në sistemin gjyqësor. “Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.” Në përfundim, Bardhi ka vijuar akuzat ndaj Peleshit, duke deklaruar se Kuvendi duhet të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin nesër. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën.” Pagat e magjistratëve, Balla: Respektojmë vendimin e “Kushtetueses” kemi depozituar projektligjin

